Nga Elhaida te…Tedi Papavrami e Anri Sala

22/06/2013 00:00

Mustafa Nano – Një ditë pasi Elhaida Dani fitoi konkursin televiziv “The
Voice of Italy”, nëpër gazeta u pa lajmi që thosh se asaj i kish
telefonuar Kryeministri Berisha. Në fakt, lajmi bazohej në një njoftim
të Kryeministrisë lidhur me këtë “ngjarje”.

Në këtë njoftim thuhej se Berisha e përgëzoi Elhaidën për suksesin e arritur, dhe në fund, shtruar-shtruar, nënvizohej se “Elhaida nga ana e saj e falënderoi Kryeministrin për telefonatën”, dhe “i uroi atij suksese”. Më bëri përshtypje menjëherë evidentimi i kësaj fraze të fundit: Elhaida i uroi Kryeministrit suksese. Ishte piku i fushatës.

Tani që Kryeministri e mori në telefon Elhaidën në momentin më të bukur të jetës së saj, moment që shërbeu aq sa mund të shërbente – duke qenë se bëhej fjalë për një program shumë të ndjekur në RAI 2 – edhe si një operacion marketingu për Shqipërinë, jemi ok. Madje, ky gjest kryeministror ishte jo vetëm i lavdërueshëm, por edhe i udhës. Ajo vajzë i meritonte falënderimet e lëvdatat e Kryeministrit të vendit të vet.

Por Kryeministri e prishi më pas. E prishi së pari me njoftimin për shtypin. Do ish mirë që kjo telefonatë të mbetej mes atyre të dyve. Ndokush mund të thotë se telefonata të tilla kryeministrore nuk ka pse të mos bëhen të njohura për publikun, se kjo do të ndodhte edhe në vende të tjera në rrethana të ngjashme, apo të përafërta, se Elhaida ishte bërë më në fund një personazh shumë i njohur për publikun, e prandaj telefonata kish kuptim për të gjithë etj., etj. Ok, ndoshta mund të hahet dhe kjo logjikë, por nuk ka pasur nevojë për një njoftim kryeministror për shtypin. Lajmi mund të dilte në forma të tjera, fjala vjen, ajo Laura që nxirret në konferenca për shtypin të recitojë mufkat që i shkruajnë, mund të kontaktonte si pa dashje ca gazetarë e mund t’ua thosh, prapë si pa dashje, në bisedë e sipër këtë lajm. Dhe këtu mbyllej. Ishin gazetat që bënin, më tej, punën e tyre.

Por gjëja më e palezetshme në atë njoftim, ishte fraza e fundit: Elhaida i uroi suksese Kryeministrit. Është një gjest i lig që këtë frazë të pafajshme, që me siguri është thënë prej saj në atë bisedë (është thënë si një urim cliché, që në shqip bëhet nga të gjithë. “Suksese!”, themi ne vend e pa vend), ta shndërrosh në një mesazh elektoral. Mund të pretendohej fillimisht se Elhaida i ka uruar Kryeministrit “suksese të posaçme në zgjedhje”, por ka qenë vetë Elhaida që, më pas, ka përgënjeshtruar çdo hamendje të tillë. “Mos më përzieni me politikë”, ka thënë ajo, duke u ngutur ta bëjë këtë saktësim. Dhe motivet merren me mend.

E gjithë kjo përpjekje kryeministrore për ta futur Elhaidën me pahir në një valle që s’i përkiste, la një shije të keqe. Sikur Elhaida të dilte e të thosh, se “po, unë jam me dr. Berishën, unë do të votoj për të”, do të ishim ok. Do të bëhej nga ndokush ndonjë nënvizim, sipas të cilit “kjo çalltisje politike në momentin më të bukur të jetës së saj është jo inteligjente”, por askush me mend në kokë nuk do ta shfrytëzonte këtë ngjarje të supozuar si një rast për ta denigruar Elhaidën për motive artistike e jo artistike. Në fakt, kolegë të Elhaidës e kanë bërë zakon të marrin pjesë në fushatë, të dalin nëpër skenat e tribunat elektorale, madje e bëjnë këtë me të dyja palët në këmbim të parave, dhe askush nuk është marrë me ta. Me sa duket, është rënë dakord se secili bën zgjedhjet e veta, e askush nuk ka të drejtë t’i gjykojë.

Mirëpo këto ditë ka bërë përshtypje një mobilizim internautësh dhe tek-tuk kolumnistësh gazetash, për t’iu derdhur në mënyrë harbute Tedi Papavramit e Anri Salës, ngaqë këta të dy kanë vendosur të mbajnë anë në këtë garë elektorale që finalizohet nesër në mbrëmje. Që të dy (dhe të tjerë si ata, të suksesshëm jashtë vendit) kanë “interpretuar role” për një spot elektoral, në të cilin shfaqen për të përcjellë mesazhin se “këtë herë duhet votuar për opozitën e për Edi Ramën”. Nuk e kanë bërë kurrë më parë një gjë të tillë (ndonëse kanë qenë miq me Ramën), dhe kjo mua personalisht më kish bërë të mendoja se nuk do ta bënin asnjëherë as në të ardhshmen. Por e bënë. Kanë pasur arsyet e tyre për ta bërë, të cilat unë personalisht i njoh, i kuptoj, i mbështes. Ca të tjerëve, jo vetëm s’u ka ardhur mirë nga gjesti i tyre, por kanë zënë të derdhin dhe vrer mbi ta.

Këtu po ndalem. Në reagimet “kritike” që erdhën në adresë të tyre bëhet një ngatërresë e ligë, e qëllimshme. Këta të dy nuk janë artistë dosido, ashtu si nuk është artiste dosido as Inva Mula që është rreshtuar në krah të Berishës në vitin 2009. Dhe askujt, në dijeninë time, nuk i shkoi në mendje t’i bënte Invës atëmot ndonjë sulm rrugaç faqe botës. Papavrami dhe Sala pra janë artistë shqiptarë, që kanë bërë emër në Perëndim. Ata, nëse “fusin hundët” në tollovinë politike të Shqipërisë, nuk e bëjnë për një interes banal, nuk e bëjnë për honorare, si ato që marrin këngëtarët shqiptarë që shoqërojnë nëpër tubime Ramën, Metën e Berishën. E bëjnë, sepse kanë bindjen që duhet bërë. Mund të mos biesh dakord me qëndrimin e tyre, bën vaki që ky qëndrim të jetë i gabuar, por qëllimi i tyre është i mirë e i fisëm. Ata e bëjnë këtë edhe për të mirën e atyre që me ta nuk janë dakord. Përsëris: ky është qëllimi i tyre. Qëllim tjetër nuk kanë. Nuk ka pse të kenë. I kanë punët e tyre në rregull.

Në këtë mes injorohet dhe diçka tjetër. Papavrami e Sala janë artistë, por nga ana tjetër janë dhe njerëz që, në ndryshim nga Sabiani, Elvana, Bleona, Genta, Greta etj., kanë edhe kokëçarje të natyrës publike, sociale, civike, politike, kulturore, globale etj. Nuk është se e kanë demonstruar shpesh këtë gjë në Tiranë (janë jashtë vendit të shumtën e kohës), por kush i njeh e di mirë se ata janë kureshtarë, të etur për dije, lexojnë, informohen, kanë një optikë të tyren për gjërat e kësaj bote, kanë qëndrime të tyret mbi vlera, ngjarje, dukuri e zhvillime të caktuara.

Ne duhet të mbrojmë të drejtën e të gjithëve për ta pasur e për ta shprehur një opinion, edhe të drejtën e atyre që një opinion nuk kanë fuqi ta kenë. Na pëlqen, s’na pëlqen, kjo është demokracia, të cilën kemi rënë dakord që t’mos ta shohim në asnjë rrethanë si optional. Madje, në këtë pikë qëndron dhe forca e demokracisë. Por kujdes, pasi një fije lipset që ky atribut force i demokracisë të shndërrohet në pikën e dobët të saj. Prandaj, teksa bëjmë çmos të mbrojmë të drejtën e gjithkujt për ta pasur e shprehur një opinion, edhe të drejtën e atyre që një opinion s’e kanë, duhet të bëjmë çmos, gjithashtu, që të mos i lejojmë këta të fundit, të babëzitur siç janë, t’i njohin vetes edhe të drejtën për t’u mbyllur gojën (me shpifje, sharje, sulme rrugaçe etj.) atyre që një opinion, jo vetëm e kanë, por edhe duan ta shprehin, sidozot, Tedi Papavrami e Anri Sala.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA