Mes shtetit dhe anarkise, zgjedh shtetin!

22/06/2013 00:00

Zamira Cavo – Mes dhjetëra makinave që të kalojnë afër, madje dhe kur ti je në
trotuar, e që kanë targa “voto 44”, dëgjon sharje e mallkime që vijnë
nga të dyja krahët, edhe nga brenda makinave dhe nga jashtë tyre.

Shoferët, që zakonisht janë trupmëdhenj e me shenja dalluese të njerëzve të fuqishëm fizikisht, shfryjnë sharje pse u zihet rruga, kur ata vetë kalojnë mbi trotuar. Këmbësorët shajnë se nuk ka shtet që t’i vërë nën kontroll këta lloj njerëzish. Dhe jemi vetëm pak orë para zgjedhjeve! Kjo pamje është në përgjithësi pamja e një situate, gati natyrore, që sundon në Shqipëri. Kjo situatë, ku i forti shtyp të dobëtin, është e dukshme pothuajse kudo. Dhe ky “i forti” është dikush që nuk do t’ia dijë për ligjet, nuk ka frikë nga institucionet e shtetit, nuk do t’ia dijë për zhvillimin, moralin, edukatën. Ky i “forti” është ai që të fut frikën natën, kur pa as më të voglën frikë, lëshon borinë e makinës, ndez kasetofonin e saj deri në kupë të qiellit dhe ti si qytetar hesht. Është ai që t’i flak plehrat sipër kokës dhe kur ti kthen kokën për ta parë se cili është, të fut një ulërimë që ti nuk di ku të futesh. Ky “i forti” është ai që ia kërcet me breshëri automatikut kur del i dehur në mesin e natës nga lokali, ku ka bërë sherr me të gjithë… Ndaj shoqëria njerëzore zgjodhi të ndërtojë shtet, të krijojë ligje që pikërisht ky “i forti” të mos tronditë të tjerët e të mos u kallë datën fëmijëve. Po ku është shteti ynë sot?

Së pari: Dhe pse kemi shtet, madje demokratik, sërish anarkia ka mbuluar vendin. Vetëm në këto dhjetë ditët e fundit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, z.Basha, ka inauguruar me dhjetëra rrugica dhe rikonstruksione lagjesh. Por sa ai kthen krahët, rinis hapja e kanaleve se punimet nuk janë bërë me standarde… asfalti del sapo makina e parë bën një frenim të fortë (nëse doni shembuj konkretë shikoni rrugën tek “Ali Demi”, apo rikonstruksionin te “Haxhi Dalliu”, apo rrugën te “Komuna e Parisit”, apo…) lexuesi me siguri gjen çudira kudo. Pra çfarë po ndodh me paratë tona? Ku janë institucionet përgjegjëse që duhet të kontrollojnë fondet? Por sigurisht që edhe kjo nuk ka ndonjë “rëndësi të madhe”. Si mund të mendosh se kemi shtet, pra kemi ligje, kur brenda këtyre dhjetë ditëve janë ngritur në Tiranë me dhjetëra ndërtime pa leje. Brenda 24 orëve ngrihen lokale, vetëm që të “legalizohen” nga pushteti që kanë ndërtuar të paligjshmit! Ti njofton policinë si një qytetar që ndihet i dhunuar nga makinat pa targa dhe polici, si pa të keq, nderon pikërisht dhunuesin tënd! Ti njofton për prishjen e qetësisë publike në orët e vona të natës nga “të fortët” që luajnë kumar e zihen, duke u rrahur poshtë dritares tënde dhe policia u thotë atyre se “x” qytetar ka denoncuar për ju!

Së dyti: Administrata publike është e vetmja pjesë e shtetit që duhet të demonstrojë profesionalizëm ekstrem në mbajtjen gjallë të respektimit të ligjit. Por kjo administratë nuk ekziston! Po dhe pse në bordero shënohen emra dhe merren paga nga taksat që paguajmë ne, këta nëpunës të kësaj administrate janë shndërruar në shkelësit më të mëdhenj të ligjit. Dhe shkaku është frika e “të fortit”. Pra Mungesa e Shtetit! Është sinqerisht një rrumpallë klasike e tipit shqiptar! Administrata e shtetit, që zbaton ligjet, i shkel ato për shkakun se shteti nuk funksionon! “Të fortët” i urdhërojnë, i tërheqin për hunde, i shtypin me dhunë psikologjike e fizike dhe ata heshtin, sepse hesht policia, drejtësia, sepse të drejtën e tyre nuk e gjejnë dot! Dhe ne të tjerët presim të gjejmë të drejtat tona dhe shërbimin që na takon te kjo administratë!

Së treti: “I forti”, që jo rrallë nuk ka as edhe një klasë shkollë, por që mund të ketë blerë diploma te publiku apo privati (kjo s’përbën ndonjë risi), i imponohet akademikut, profesorit, studiuesit, me dhunën e “të fortit” që di gjithçka sepse ka para! Padija shitet si praktikë dhe e lejon atë të shpifë, të shajë, të “prodhojë” lajme, që më tej tirren si të vërtetat e mëdha të kohës. Dhe viktimat janë gjithnjë “të dobëtit” ata që vlerësojnë ligjin, rregullin, shtetin!

Së katërti: Anarkia që ka mbuluar vendin është dhe anarki sociale. Padija dhe varfëria të bëjnë frikacak, të bëjnë paranojak. Kjo frikë është një tjetër frikë sociale e asaj kategorie, që ndihet mirë nga një mbrojtje e ngjashme me psikologjinë e tij, me aftësitë e tij perceptuese dhe logjike. Ndaj gjen njerëz që nuk kanë asnjë përfitim nga ky lloj shteti anarkik, por që duartrokasin Berishën dhe modelin e tij. Sepse në thelb gjejnë të ngjashmin. Ata kanë frikë nga të mençurit, nga civilët e qytetëruar, sepse mendojnë gabimisht se modeli i tyre do të jetë shumë i avancuar dhe ata nuk mund ta arrijnë dot. Është si puna e dy fëmijëve përballë një kërkimi në internet, ku njëri prej tyre nuk ka parë kurrë kompjuter me sy. Është e kuptueshme që fëmija të ketë frikë, të preferojë një lloj kërkimi tjetër, më të vjetër, madje më primitiv që të përshtatet. Dhe këtu qëndron gabimi i madh. Këta njerëz duhet ta kuptojnë se pa një model shteti të fortë e të qytetëruar, ku ligji dhe vetëm ligji është ai që sundon, kurrë nuk do të arrijnë të maten me botën e qytetëruar ku jetojnë.

Mungesa e shtetit ka bërë që te njerëzit të zërë vend mendimi se në Shqipëri askush nuk pyet për ligje. Në të vërtetë “dikush” i përdor ato si shkop vetëm ndaj kundërshtarëve, ndaj atyre që zbatojnë ligjet.

Nga mungesa e shtetit humbasim të gjithë, nga anarkia fitojnë “të fortët”, që nuk kanë as vizion e as model. Ata kanë vetëm një armë në dorë: pushtetin. Ndaj u duhet hequr kjo armë që ne të gjithë jo vetëm të marrim frymë lirisht, por të jemi si gjithë kombet e tjera të Europës! Unë zgjedh të votoj për shtetin dhe jo për anarkinë!

Gazeta “Shqip”

Top Channel