“Rama dështimi i 23 qershorit”

20/06/2013 00:00

Do të duheshin të kalonin 648 orë nga hapja zyrtare e fushatës që, gjatë një fjalimi elektoral, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, të mos përmendte asnjëherë Edi Ramën dhe Partinë Socialiste.

E pikërisht kjo gjë ndodhi aty ku nuk pritej, në Kavajë. Poshtë monumentit të demokracisë, të shumëdiskutuar ditët e fundit, Berisha foli vetëm për fitoren e 23 qershorit dhe zhvillimin e Kavajës.

“Fitorja hap dyert për dyfishimin e turistëve në Kavajë dhe shfrytëzimin e të gjitha potencialeve turistike të saj, mahnitëse e të mrekullueshme. Ndërtimin e rezorteve të mëdha, që do të bëjmë në Kavajën turistike, të famshme në Europë e në botë. 4 vitet që vijnë, do të jetë vitet e lidhjes direkte të Kavajës me Tiranën, me autostradën e saj. Do të jenë vitet në të cilat Kavaja do të kapë nivelet më të larta të zhvillimit”, tha Berisha, në Kavajë.

Por, mospërmendja e Edi Ramës zgjati shumë pak. Vetëm 40 minuta më pas, nga qyteti i Durrësit, Berisha e cilësoi numrin 29 dhe Edi Ramën si dështimi i këtyre zgjedhjeve.

“Çfarë është 29? Është dështimi, në numerologjinë lëxon dështim, është Edi Rama, kujdes! Kujdes prej atij numri, nuk sjell fat e mbarësi. Sjell dështim”, tha Berisha, nga Durrësi.

Më herët, gjatë ditës, kreu demokrat zhvilloi mitingun përmbyllës në qytetin e Kamzës, ku u zotua për ndërtimin e dy parqeve industriale në këtë zonë.

“Kamza industriale, qendër e fuqishme e prodhimit industrial është dhe do të mbetet projekti ynë kryesor. Dy parqe të mëdha industriale me 30 mijë vende pune do të përfundojnë së shpejti. Banorët e Kamzës dhe Paskuqanit do të jenë të parët, që do të punësohen në këto parqe”, tha Berisha, nga Kamza.

Edhe nga Kamza, Berisha sulmoi Edi Ramën, si gënjeshtar dhe të pabesë.

Top Channel