Mesazhet e ditëve të fundit të fushatës

19/06/2013 00:00

Jemi tashmë në 2-3 ditët e fundit të fushatës elektorale, që do të përfundojë ditën e  premte nga të dy kampet e mëdha të partive kryesore në vend.

Megjithatë, në mungesë të besueshmërisë së sondazheve që qarkullojnë, mbetet të analizohet një fushatë që nuk jep shenja lodhje nga Partia Demokatike dhe vazhdon me intensitet edhe nga Partia Socialiste.

Të paktën, në opinionin publik, duket ende se beteja është e hapur. Por, a është e vërtetë diçka e tillë, cili lider po tregon më pak shenja lodhje dhe dëshpërimi? Për të gjitha këto, Sokol Balla, në studion e tij të “Top Story; Shqipëria Vendos 2013”, ftoi personalitete të politikës dhe analistë të pavarur.

Nga Ylli Manjani, kandidat për deputet i LSI-së në Tiranë, Preç Zogaj, politikan i së djathtës dhe publicist, e deri tek Andi Tela, kryeredaktor i gazetës “Panorama”, e analistët Shpëtim Nazarko, Lorenc Vangjeli e Aleksandër Çipa, për rreth dy orë u debatua në lidhje mbi këtë temë të nxehtë, në finishin e kësa fushate.

Tela: Fushata, mungojnë incidentet e së shkuarës

Duke bërë një pasqyrim të paanshëm mbi specifikat e kësaj fushatë të deritanishme, zoti Tela vlerësoi: “Sigurisht që qetësia që karakterizon fushatën në raport me incidentet është e dukshme dhe e prekshme në krahasim me 2011-n, 2009-n dhe 2007-n. Është fakt se nuk kemi atë numër të lartë incidentesh, krahasuar edhe në fushatën e mëparshme. Incidentet kanë qenë periferike, jo domethënëse. Ka pasur vetëm dy ngjarje të rënda, ajo e Fieri me rrahjen e kandidatit të FRD-së dhe Shkodrës, ku iu vu eksploziv një kryetari komune. Megjithatë, të dhënat e para sugjerojnë se këto ngjarje duken jo të lidhura politikisht. Ajo që nuk dihet është se çfarë do të ndodhë pas përfundimit të votimeve, a do të ketë incidente gjatë numërimit dhe në ditët që do të pasojnë”.

Manjani: PD po përdor çdo formë presioni e çdo mundësi për të influencuar

Duke pasur parasysh që Partia Demokratike, në historinë e saj ka punuar vazhdimisht si një makinë elektorale, në muajin e fundit të fushatës, krijohet një ide se fushata e të djathtëve ka një ritëm relativisht më të zbehtë, duke ndikuar në tensione më të ulta. Megjithatë, Manjani dha një shpjegim tjetër, teksa arsyetoi kundërshtinë e tij me konstatimin e Ballës.

“Në vlerësimin tim, kam përshtypjen që partitë politike, veçanërisht të mëdhatë kanë kuptuar që jetojnë në një kohë ku shqiptarët janë të ngopur e të velur nga politika”, komentoi kandidati i Lëvizjes Socialiste për Integrim, për deputet në Qarkun e Tiranës.


Ylli Manjani, kandidat per deputet i LSI-se ne Tirane

“Bëhet fjalë për një velje 20-vjeçare, që përsëritet me të njëjtin ritual dhe histori e kam përshtypjen që partitë politike kanë qenë të detyruarua t’i përshtaten këtij mjedisi e kjo ka qenë arsyeja përse partitë erdhen tek përfundimi i LSI-së, që është mirë të komunikohet, të ketë përballje idesh, të arsyetohet nëpërmjet dialogout, në vend që të ndiqet politika e debateve me sherr e shamatë”.

“Kur flisni për Partinë Demokratike, unë mendoj që siç është konstatuar edhe një vit më parë nga ambasdori amerikan, kjo lodhje shfaq shenja nervoziteti në vitin e fundit pas zgjedhjes së presidentit e në këtë fushatë, PD është e lodhur, me përjashtim të zotit Berisha, që në stilin e tij nuk tregon kurrë shenja lodhje në podiumin politik”, vijoi Manjani.

“Deri të dielën ka pasur një qetësi, por pas kësaj dite, Partia Demokratike është kthyer në ditët e vjetra. Përpiqet me gjithçka, me ushtri, me SHISH, polici, administatë publike, fonde për asistencën sociale, kartat e identitetit, lojrat me KQZ-në, komisionet, presionet me telefon dhe këto janë fakte që Partia Demokratike ende në pushtet po tregon se është e gatshme të bëjë gjithçka për të mbajtur pushtetin me dhunë me mandatin e tretë, edhe pse pas një performance krejtësisht të lodhur”.

Replika Tela-Manjani mbi kartat e identitetit

Sipas zotit Tela, komenti i Manjanit nuk është tërësisht i saktë. “Kur flitet për abuzime apo keqpërdorime të administratës duhet saktësuar se karta e identitet e ndihma ekonomike jepet nga pushteti vendor që në shumicën e vendit është në dorë të PS e LSI”.

E menjëhershme replika e Manjanit. “Kjo nuk është e vërtetë, pasi kartat e identitetit jepen nga kompania private e nënkontraktuar nga shteti e që ka vetëm një detyrë, të lëshojë një cerifikatë”, deklaroi ai.

Zogaj: Asnjë provë për presion apo tentativë të marrjes së zgjedhjeve me dhunë nga mazhoranca

Në vlerësimin e Zogajt, kryesorja që duhet të kenë parasysh të gjithë, është që këto zgjedhje të kalojnë standartin. “Kryesorja është që të jenë zgjedhjet të ndershme e të kalojnë testin e standartit, pasi kjo është sfida e Shqipërisë. Kemi folur shpesh për standartin dhe i gjithë komuniteti ndërkombëtar e opinionin publik është shumë i ndjeshëm për këtë aspekt”, deklaroi Zogaj.

“I bëj jehonë këtij shqetësimi, standartit. Nga ato që u thanë më përpara, besoj se konkluzioni që do të bëhet gjithçka për të marrë zgjedhjet me dhunë nuk përputhet me faktet e deritanishme. Ne të gjithë jemi të interesuar që zgjedhjet të kalojnë testin, por kjo fushatë ka disa karakteristika të vetat. Nga zgjedhja në zgjedhje, çdo fushatë ka një portret të vetin. Ne na bën përshtypje pozitive, pasi në krahasim me të shkuarën, nuk ka shumë incidente e para dhe e dyta, pasi ka pasur një përballje të mirëfilltë politike, kur përfaqësuesit kanë folur për programin, projektet që ofrojnë dhe manifestojnë në fund të fundit edhe nivelin e tyre”, vazhdoi arsyetimin e tij Zogaj.


Prec Zogaj, gjate debatit ne Top-Story

“Partia Demokratike, veçanërisht kryeministri kanë tërhequr debatin në fushën e temave të zhvillimit. Kjo është një ndër fushatat që është folur më shumë se kurrë për ekonominë, duke neglizhuar temat e përhershme të fushatave, demokracisë e drejtësinë, por mbase për shkak të krizës dhe për shkak të një anashkalimi që është bërë në të shkuarën temës ekonomike, mendoj se PD e ka tërhequr të gjithë debatin në këtë fushë. Mendoj se demokratëve i ka interesuar si temë, pasi ndihet më e fortë në taksat, rrugët, zhvillimin ekonomik e kjo është ndër karakteristikat që dua të nënvizoj. Nga ana tjetër, fushata ka prodhuar gjithashtu një dekor, që për mendimin tim nuk është në respekt të krizës. Të shikosh Shqipërinë në fushatë, kush nuk e njeh, do të mendojë që këtu është shumë mirë, kur e dimë që vendi ka probleme”, shtoi Zogaj.

Çipa: Fushata, dekor i tepruar. Tensioni ndihet në prapaskenë

Duke nisur nga fundi i arsyetimit të Zogaj, kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, zoti Çipa vlerësoi: “Kjo fushatë nuk ka pasur raportim nga mediat e vetë partitë, që janë përgatitur për të pasur një regji, një kamera të tyre dhe të pasqyrojnë fushatën. Unë vë në vëmendjen tuaj se nuk mbaj mend një “stand-up” të një reporteri nga ballafaqimi mes liderëve, nuk kemi një raportim të vetëm në të gjithë këtë fushatë të një medie nga terreni, por vetëm raportimin që kanë servirur partitë dhe kanë përdorur regjitë e tyre. Kjo është e rëndësishme për të arritur në deduksionin se kjo fushatë ka qenë e qetë, pasi e tillë është pasqyruar”.

Në vlerësimin e tij mbi ekonominë, Çipa shtoi: “Itenerari i Arvizus, nga Kukësi në Fier, e madje takimi urgjent në Elbasan, të lë të kuptosh që ka një “underground” normaliteti të zhvillimit të fushatës e tensionit. E fundit, ndaj të njëjtin vlerësim me Preçin, mbi fasadën që po eklipson mjedisin socioelektoral të shoqërisë sonë. Nuk është kjo pamje që serviret e vërteta e mediat këtë kontrast nuk e kanë ekspozuar si duhet. Për ta mbyllur, më duhet të besoj që kjo betejë është shumë e rëndësishme jo vetëm për vendin, por për rivalitetin që kanë palët në normalitetin elektoral, pasi në Shqipëri gjithmonë ka qenë pjesa e fundit ajo që e ka prishur këtë normalitet”, tha Çipa.

Vangjeli: Ditët e fundit, si një “ecje në errësirë”. Fushata ngjan si presidenciale, mes vetëm dy figurash

Në marrjen e fjalës, zoti Vangjeli arsyetoi: “Unë mendoj se opozita nuk ka hyrë muajin e fundit në fushatë, por ka dy vjet që e bën këtë gjë. Fillimisht në salla të mbyllura e tryeza me intelektualë, në çështje për arsimin, shëndetësinë e duke artikuluar tema të tjera, duke dhënë mesazhe  të ndryshme e vetëm në muajt e fundit është dalë në terren”.

Në cilësinë e analistit, Vangjeli ndan një mendim të ndryshëm me Zogajn për kë ka tërhequr kë në debatin mbi ekonominë. “Më ngjan se ka ndodhur e kundërta e asaj që po thotë Zogaj, është opozita e cila ka tërhequr pozitën në temat e mëdha, duke nisur nga roli i shtetit si rregullator në ekonomi, ndërhyrja për reformimin e shëndetësisë e kështu me radhë. Risia e kësaj fushate është se ngjan si një garë presidenciale, me dy lidera partish që synojnë të marrin pushtetin dhe aktorët e tjerë, përjashto këtu zotin Meta e deri diku Topin, të tjerët janë vetëm figura. E kam fjalën për listën e pafundme të partive që garojnë në fushatë, kjo ka bërë që tonet të ashpërsohen dhe pavarësisht kësaj qetësie relative deri tani, ngjan si një ecje në errësirë pasi të gjithë kanë ankth se çfarë do të sjellë e nesërmja. Shpresojmë që të mos jetë kështu e gjërat të kthjellohen. Sidoqoftë, ajo që do të ndodhë në 23 qershor më duket e qartë, do të ikë Berisha dhe Shqipëria do të rikthehet në normalitet, nuk do të ketë një bum të menjëhershëm, por do të kthehet në normalitet”, deklaroi Vangjeli.

Nazarko: Fushatat e PD kanë mundur të replikojnë fushatat e komunistëve në vitet 1985-90

Në këndvështrimin e Nazakos, komenti i Vangjelit për një fushatë me “vetëm dy kuaj”, është ai që i përgjigjet më mirë realitetit. Ai gjithashtu hoqi një paralele midis fushatës që po realizon Partia Demokratike, me fushatën që realizonte dikur Partia Komuniste në pushtet. “Bie dakord që pavarësisht 1 mijë kandidatëve, ka vetëm dy rivalë dhe ngjan si një fushatë elektorale, ndërsa pjesa tjetër e mitingjeve është tradicionale. Kjo është forma. Përsa i përket qetësisë së fushatës që po zhvillohet? Pse e reflekton këtë? Unë mendoj se kjo vjen nga një arsye objektive që ka lidhje me karakterin e Berishës dhe formimin e tij. Mendoj se se kemi arritur një pikë se si forma në fund arrin të shndërrojë përmbajtjen. Ne po shohim qeverinë që vazhdimisht merr borxhe në Bankën Qëndrore, shohim dhe Bankën që nuk jep kredi për bizneset dhe edhe kur e jep, prapë këto para i merr qeveria me tenderat e biznesit. E më në fund, është gjetur një teknikë gjeniale për të marrë borxh, duke çuar biznesin e madh në 20 milionë e sipërmarrësi më i madh i kësaj është i pari i vendit, Berisha, që merr rolin e bamirësit duke ndarë këtë pasuri në fshatra e komuna”.

Në këndvështrimin e Nazarkos, ekzistojnë ngjashmëri mes fushatës aktuale të PD-së dhe PPSH-së së një kohe. “Në vitet 1985-90, Partia e Punës kuadronte 200 mijë veta në shesh me një rregullsi shumë të madhe e PD e ka arritur këtë standart, më në fund, në të gjitha mitingjet e saj”.

Vangjeli: Batuta e Nanos, “qetësia, pasi ata mund të shkaktonin tension janë në zyrat e shtetit”

Duke qëndruar përsëri tek argumenti i qetësisë së fushatës, Vangjeli kujtoi një batutë. “Qetësia e fushatës nga PD më kujton një batutë të hershme të Nanos, i cili mendonte se me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike nuk do të kishte më rrëzime të shtyllave të tensionit të lartë dhe ngjarje të tilla, pasi përgjegjësit do të futeshin në zyrat e shtetit. Duke kujtuar këtë batutë, duket se njerëzit që mund të bënin këto revolta mund të jenë në zyra”, tha analisti.


Lorenc Vangjeli, ne “Top-Story, Shqiperia Vendos 2013”

Gjatë së mërkurës, ndërsa Partia Demokratike mbylli fushatën e saj elektorale në Korçë e Elbasan, duke vendosur theksin tek punësimi e ekonomia, Partia Socialiste ishte në Fier e Kavajë, ku theksoi edhe një herë më shumë nevojën e rotacionit. E megjithatë, në fjalën e dy liderave, zotit Berisha dhe Rama, ranë në sy edhe sulmet personale, adresuar përkatësisht moshës së kryeministrit dhe të shkuarës bashkëshortore të kryetarit të opozitës.

Tela: Etiketimi i Berishës si gjysh, kundërprodhues për opozitën

“Unë mendoj se është e gabuar nga Rama përdorimi i epitetit gjysh e katragjysh dhe mendoj se nuk fiton asgjë nga përmendja e këtyre epiteteve e vetëm mund të acarojë kryeministrin, e të futet në akuza për jetën private të ramës. Kur shoh kryeministrin nga mëngjesi në darkë nëpër mitingje, vetëm katragjysh nuk mund t’i thuash, e përtej preferencave personale, mendoj se energjia e Berishës është për t’u vlerësuar. Pjesa e përgjigjes për jetën private të Ramës, nuk më bën habi, pasi hyn në gjuhën e urrejtjes që ndajnë të dyja palët, edhe në Kuvend prej shumë vitesh. Ajo  që dua të theksoj është se kur dëgjoj këtë përplasje gjysh-katragjush, kujtoj në mitingun e fundit në Shkodër, replikat Doshi-Topalli, që të bëjnë të kuptosh që fushata nuk është vetëm kjo që shohim në TV, por edhe ajo që bëhet në çdo shtëpi, në fshatra e kudo për të mbledhur çdo votë”, komentoi kryeredaktori i “Panoramës”, Andi Tela.

Manjani: Akuzat personale mes liderave, ka humbur debati

Duke nisur me një batutë, “Rama e akuzon gjysh sepse nuk është vetë gjysh dhe Berisha e akuzon për ndarjen e gruas sepse nuk e ka bërë këtë”, Manjani sheh një element tjetër në sulmin personal të dy liderave. “Ideja është që kjo tregon se ka humbur tërësisht debati, e në këtë këndvështrim nuk ka rëndësi kush tërhoqi njëri-tjetrin në debat. Sa për të dhënë një shembull, ne jemi të lumtur që PS erdhi tek tema e ekonomisë prodhuese, e kjo është e rëndësishme për të dalluar një debat substancal, me PD që mbështet ekonominë e konsumit, që ka treguar se sjell rritje të shkurtra, por edhe rënie të befta. Këto ne nuk mund t’i heqim nga axhenda politike për të treguar kush është gjyshi dhe në këtë debat më vjen keq që shkëputet vëmendja e programit me këto”, deklaroi Manjani.

Zogaj: Sulmet personale, gjëra të zakonshme në fushatë. Rama tregon varfëri argumenti

“Unë jam dakord që më poshtë mund të ketë gjëra më të rënda, por këto janë gjëra shumë normale në fushatë, ka edhe pak tone e humor. Unë mendoj se Rama për gjyshin, është gjetur jo për faktin se Berisha është gjysh, por nuk më duket se është pa lidhje dhe nuk do ta kuptoja një nervozizëm për këtë gjë nga ana e mazhorancës. Nuk ka arsye për t’u nervozuar nga kurrkush për këtë gjë, sepse ky është një debat humoristik, por të bësh dy javë fushatë me moshën, tregon që ke varfëri në program. Nga një herë, publikun e bën për vete më shumë një person që ka vështrimin e duhur prej gjyshit, se sa një njeri i ri që ka vetëm lakmi. Mendoj se gjithsesi nuk është thelbësore për fushatën e ka marrë një vëmendje që nuk i takon”, përmblodhi mendimin e tij mbi këtë fakt zoti Zogaj.

Vangjeli: Sulmi i Berishës për moralin, dëmtuese për PD-në tek votuesit e rinj

Sipas Vangjelit, sulmi i kryeministrit, mbi moralin e “armikut” të tij politik, dëmton shanset e Partisë Demokratike për t’u votuar nga votuesit e rinj në moshë. “Ky term (gjyshi) është përdorur në fjalorin politik jo vetëm për moshën, por për pamundësinë e Berishës për të qeverisus përsëri, prej tharjes së ideve të tij, me lodhjen e mungesën e vizionit, jo vetëm nga pikëpamja e moshës, por edhe nga pikëpamja e lodhjes. Nëse do të më kishin kërkuar në këtë rast unë do të kisha sugjeruar një sinonim tjetër, i lodhuri e i ngjiruri me antiplumb”.

“Nga ana tjetër, martesat e Ramës sjellin një kundërsens të jashtëzakonshëm”, vijoi Vangjeli. “Kjo i drejtohet një pjese konservatore, kryesisht të moshuarve, 50 vjeç e diçka më tepër në moshë. Kontradikta është se Berisha thonte të votojnë 16-vjeçarët dy muaj më parë e tani imagjinoni në 18-vjeçar që ka pasur dy aksidente dashurie, se si i duken këto sulme. Ky është një ndër autogolat më interesantë të tij”.

Nazarko: Historia e moshës dhe moralit nuk ka vlerë

Për Nazarkon, sulmet personale adresuar moshës apo moralit janë të pakuptimta. “Historia e moshës nuk ka vlerë. Shembujt klasikë vlejnë sidomos për njerëzit e kulturuar, por nuk mund ta teprosh me budallëqe. Shrëderi ndau katër gra dhe njeri më të ndershme se gjermanët, Churchull ishte i moshuar dhe tërësisht jashtë asaj forme që thuhet se duhet të ketë një politikan, kur drejtoi Britaninë në Luftën e Dytë Botërore. Këto janë impotenca mendore. Unë besoj se Rama është një mjeshtër i ironisë, a e ka tepruar apo jo nuk e di, por unë mendoj se një ndër pamjet më të flliqura të fushatës është se këta të dy udhëheqësa, duke qenë se kanë personalizuar fushatën, në vend të uleshin e të tregonin platforma, kanë gjetur vende ku njëri thotë do bëjmë rrogën 700 dollarë e tjetri dicka tjetër, gjëra tym e kot”, komentoi Nazarko.

Çipa: Fushata, në kulmin e demagogjisë, shqiptarët nuk njohin shumicën e kandidatëve për deputetë

“Kjo fushatë e ka ngritur në kulm demagogjinë dhe irrealizimin e marrëdhënies komunikative që ka politikani me qytetatrin. Është ngritur një fasadë, që po implementohet në ditët e tanishme dhe ky irrealizëm që ka ndërtuar kjo marrëdhënie, ka bërë të mundur që në datën 24 kur të certifikohet procesi zgjedhor, shumica shqiptarëve nuk do ta dinë se kush do të futet në Parlamentin e ri. Fushata na ka hequr nga një kontekst që do të jetë pas datës 24”, vlerësoi Çipa, i pyetur mbi këtë temë.

Çipa: Ndarja e pushtetit pas zgjedhjeve, një problematikë dytësore

Në pjesën e fundit, vëmendja u përqendrua në sulmet e spekulimet që kanë përfshirë opozitën, mbi problematikën që mund të ketë ajo në ndarjen e pushteteve. “Mendoj se periudha e qeverisjes së ardhshme, nëse e majta do të rezultojë fituese, do të jetë një periudhë që do të ballafaqohet me atë që Nazarko e quajti malin e problemit apo gropën e detyrimeve financiare. Unë mendoj se qeverisja e deritanishme ka realizuar shumë investime, por pa u audituar dhe këtu e kam fjalën për borxhet, bilancet, etj. Problematikat do të jenë shumë më specifike në qeverinë e re, ndaj mendoj se ndarja e pushtetit do të kalojë në plan të dytë”, komentoi Çipa mbi këtë temë.

Manjani: Koalicioni majtas i natyrshëm. Debati mbi kryeministrin, keqdashës

Përsa i përket komenteve të paqarta të disa anëtarëve të lartë të kryesisë së LSI-së, si Naço apo Tavo, që kanë spekuluar mbi mundësinë që të jetë Meta kryeministri i ardhshëm i vendit në rast të fitores së të majtës, Manjani shpjegoi: “Kemi rënë dakord që të hyjmë në një koalicion të natyrshëm, në një mënyrë të natyrshme e nuk duhet të blasfohemi sikur kemi bërë ndonjë krim. Ky është një koalicion i mirëfilltë politik, si e tillë ne kemi nënshkruar kartën e parimeve, që është nënshkruar në Shkodër dhe përcakton ndërtimin e një sistemi qeverisje krejt tjetër nga ky i sotmi dhe asnjë detaj më shumë se sa kaq. E dyta, dua të sqaroj se është e pamundur të menaxhosh sensibilitetet individuale të kujtdo që merret me politikë e është një risi majtas që njerëzit janë të tillë, flasin e shprehin një mendim siç e kanë, por qëndrimi zyrtar është ky. Rreth debatit se kush do të jetë kryeministër, mendoj se është keqdashës dhe i pakuptimë, pasi kushtetuta përcakton qartë se është partia më e madhe fituese apo partia më e madhe e koalicionit ajo që do të propozojë kryeministrin e në këtë pikë, gjithçka është shumë e qartë”.

Debati u mbyll në “Top-Story” me reagimin e Zogajt dhe Nazarkos. i pari ftoi edhe një herë më shumë LSI-në që “meqë gjithçka është e qartë, të thonë se edhe ata mbështesin Ramën kryeministër në rast fitoreje”, ndërsa Nazarko nënvizoi se “ndarja 60-40% apo çdo ndarje tjetër është kriminale, në një vend që ka një status nënpunësi civil dhe duket se kthen në pazar pushtetin e nesërm”.

Top Channel