
Gennaro Gattuso është zyrtarizuar si trajneri i ri i Palermos. Ekipi siçilian ka njoftuar se drejtimi teknik i skuadrës do i lihet në dorë ish-mesfushorit të Milanit që la futbollin e luajtur vetëm disa muaj më parë.
Gattuso ka nënshkruar një kontratë për një vit me klubin italian që do të luajë në Serinë B sezonin e ardhshëm. Ai do të prezantohet të premten përpara shtypit në stadiumin “Renzo Barbera”.
Verën e kaluar, kur i skadoi kontrata me Milanin, Gattuso firmosi për Sionin e Zvicrës dhe në shkurt u emërua lojtar-trajner i kësaj skuadre. Eksperienca zgjati shumë pak, vetëm 4 ndeshje (1 fitore, 1 barazim dhe 2 humbje).
Edhe pse me shumë pak përvojë në stol, presindenti Zamparini ka shumë besim tek ish-milanisti. Në një komunikatë për shtyp lexohet: “Gennaro Gattuso i ka treguar të gjithëve se mund të arrihen suksese të jashtëzakonshme me grintë dhe besim tek vetja. Tani do të nisë një aventurë të re si trajner dhe presidenti Zamparini është i sigurtë se i ka dhënë besim njeriut të duhur.”
“Ngjitja e shpejtë në Serinë A do të jetë edhe fryt i punës së Gattuso-s”, përfundon komunikata në faqen zyrtare të Palermos.
Top Channel