Berisha mes Çanit e Kanunit; dhe i kapluar nga frika

16/06/2013 00:00

Mustafa Nano – Parmbrëmë, nga ora 22:00, kur bëra të hyja brenda Kinostudios, te hyrja e madhe buzë rrugës, pashë disa policë, civilë e me uniformë.

Ishin disi të tendosur, dhe fillimisht mendova se do kish ndodhur diçka në zonën e televizioneve. Disa metra më tutje, tek një kthesë e lehtë, para se të marrësh andej nga është Klani e Ora News-i, ishin nja dy policë të tjerë, dhe te dera e televizionit të Frangajt kish akoma policë të tjerë, të cilëve duhet t’u shtojmë dhe dy-tre roje të veshur me uniformë që rrinë atje për çdo rast. Nuk m’u desh shumë të ftillohesha, se kjo ishte nata e Berishës te Çani.

Ky i fundit kish kohë që ia kish bërë ftesën, por Berisha ia kish refuzuar. Çani ka bërë gjithë kohën sikur nuk e kuptonte këtë refuzim, por kam përshtypjen se vetmevete duhet ta ketë shpjeguar ashtu si e kam shpjeguar dhe unë, d.m.th. Berisha nuk do ndihej mirë në studion e pabesë e të shthurur të Çanit ku, ok, dakord, kanë shkelur të gjithë njerëzit qibarë e të mençur të vendit (me pak përjashtime), por kanë shkelur në të njëjtën kohë dhe personazhet më vulgarë të jetës publike shqiptare. Këta të fundit kanë rënë në sy më së shumti, aq sa në kokën e Berishës ajo studio mund të ketë marrë formën e një kuplaraje televizive.

Dhe kjo s’shkonte me përpjekjen e Berishës për të përcjellë në vijimësi të publikut një imazh rapsodik, namusqar, konservator, patriarkal të tij. Është përpjekur Berisha të duket kështu? E vërteta është, se në të shumtën e rasteve, nuk ka pasur nevojë të përpiqet, pasi ai kështu është; asëll-asëll, të vetmet raste kur ai është përpjekur janë ato, kur ka dashur të përcjellë imazhin e kundërt, atë të një njeriu mendjehapur, modern, empathik, tolerant, demokrat. Para ca javësh, priti në zyrë dhe dy përfaqësues të komunitetit LGBT; kushedi sa do jetë sforcuar për t’i pritur e për të pozuar tok me ta para kamerave. Nuk i shkonte ajo pozë në mes të Xhenit e të Kristit. Berisha mes këtyre dy të fundit formonte një sandwich që s’ngjërohej dot. Prej atij vetë në radhë të parë. Dhe kuptohet pse. Ai ashtu është. Ka lexuar, nuk duhet vënë në diskutim që ka lexuar, madje ka lexuar shumë, dhe në këtë kuptim e ka kokën plot, por ka mbetur i prapambetur si të mos kish lexuar kurrë, asgjë. Ka njerëz që mund të lexojnë pak libra, e të kenë pak përvoja të natyrës intelektive, e këto libra e përvoja mund të jenë mjaft, megjithatë, për t’i bërë ata që ta fitojnë betejën me vetveten, me origjinën, me habitatin, me familjen, e në përgjithësi me formimin e hershëm, që rëndom lë gjurmë të forta në karakterin e personalitetin e një njeriu. Ndërsa Berisha bën pjesë tek ata njerëz që s’e kanë parë fare të nevojshme një betejë të tillë. Kur ka dalë në botën e madhe, ai ka qenë ndërkohë një shkëmb, të cilin erërat e dijes e të modernitetit veç mund ta lëmonin e ledhatonin paksa. Ai e dëshmon në çdo çast të aktivitetit të tij publik se ka mbetur po ai shkëmb.

Ai edhe këto ditë po e sulmon Ramën me argumente “shkëmborë”. “Rama i ndërron gratë në çdo dy vjet”, ka thënë ai më shumë se një herë. Ka dhjetëra vjet që askush në botën e qytetëruar nuk mund të këpusë mufka të tilla. Madje, kush e thotë këtë gjë, merr qortimet e të gjithëve, pasi jeta private është jetë private. Ashtu si Berishës nuk ka pse t’i vijë turp, apo të mburret, që e ka kaluar gjithë jetën me një grua, edhe dikujt tjetër nuk ka pse t’i vijë turp, apo të mburret, që na i ndërroka gratë në çdo dy vjet. Jeta private është jetë private, dhe një personalitet publik duhet gjykuar për atë që ai ka marrë përsipër të bëjë në publik e për publikun, e jo për medemek yçklat që ai ka në jetën private. Berisha me sa duket, ndonëse është njeri që ka lexuar, nuk arrin ta bëjë të vetin këtë postulat të jetës moderne. Ai kulturalisht është ende një macho kanunor.

Janë të gjitha gjasat që ai ta njohë këtë “tabiat” të botës moderne. Me një fjalë, ai ndoshta e urren relativizmin moral që maskohet prapa “stratagjemës” së jetës private, por ka inteligjencën të bëjë sikur nuk e urren. Mirëpo, në rastin “e Ramës që ndërron gratë çdo dy vjet”, ai nuk shtiret. Është formimi i hershëm kaq i thellë e i fortë? Apo ai është i sigurt se këtej nga anët tona janë të paktë ata që kanë ndjeshmëri të tilla nazike? (Në fakt, asnjë përfaqësues i opinionit publik nuk e ka ngritur zërin ndaj mënyrës kanunore që ka gjetur Berisha për të denoncuar rivalin, d.m.th. si qejfli grash. Edhe Çani që këto tema i ka shumë për zemër për një predispozicion të lindur e për një qejf për të bërë lojëra lapërdhare në TV, nuk u ndal në këtë pikë).

Duhen thënë dy gjëra që nuk duhen vënë në diskutim. Së pari, është formimi “shkëmbor” i Berishës. Një njeriu, i cili e ka bindje se të ndërrosh gratë/burrat e jetës sipas ëndjes është një gjë normale, krejt normale, nuk mund t’i shkojë në mendje të denoncojë tjetrin, edhe sikur qari elektoral të jetë i dukshëm, si “njeri që shkon me shumë burra/gra”. Në këtë kuptim, idenë që dikush bën jetë libertine, Berisha e ka në kokë në formën e mëkatit të rëndë. Me sa duket, Kamy-ja e Kafka, apo Édith Piaf-i nuk kanë ç’t’i bëjnë “shkëmbit”.

Së dyti, është pasioni i Berishës për pushtetin. Është aq i madh ky pasion, sa në ndonjë rast ai i jep karar punës t’i mbyllë sytë përballë ndonjë “perversiteti human”. Me fjalë të tjera, po të ish për të, ai do t’i sikteriste gay-të, dhe kur ka rast e demonstron këtë gjë (më shumë se një herë ka bërë ironi faqe botës me gay-të, me burrat e zhburrëruar, etj.), por kur halli ia do që të bëjë sikur gay-të i ka xhan, ai e bën dhe këtë.

Kështu është dhe me “Zonën e Lirë”. Këtë herë ai do shkonte se s’bën te Çani. Ia donte puna të shkonte. Është një program që ka audiencë, dhe është një program, në të cilin nuk i duhet t’u përgjigjet pyetjeve me spec. Është një program thjesht gazmor, një show, ku nuk i duhet të shpjegohet (prandaj, po shkon dhe te “Apartamenti 2XL”). Pastaj, është dhe Çani që nuk është më Çani. Çani i parë mund të ishte disi i dyshimtë për Berishën, ndërsa Çani i sotëm është për të i rehatshëm si një jastëk. E prandaj, pse të mos shkonte te Çani, derisa loja do të bëhej në favor të tij? Deri dhe loja me antiplumbin shkoi mirë.

Dhe me këtë jam rikthyer aty ku u nisa. Berisha e bëri testin e antiplumbit te Çani, por jashtë ishte një test tjetër. Kur dola nga Ora News pak pas mesnatës, m’u desh të bëja rrugën që do bënte Berisha në përfundim të bisedës që vijonte në TV Klan. Tek dera e këtij televizioni dhe tek hyrja e Kinostudios ishin shtuar rojet, policët, gardistët (kushedi sa policë mund të kish brenda territorit të Klanit!). E më tutje, në gjithë gjatësinë e rrugës, deri tek ura e Rrugës së Elbasanit, sidomos në kryqëzime, kish policë të përforcuar nga një prani … policësh.

Dhe mendova: ky njeri është i terrorizuar. Ne nuk bëjmë mirë që ia përmendim antiplumbin, pasi kështu lozim ndyrësisht me frikën e tij. Dhe jemi ne, që e kemi detyruar në nja dy raste të dalë pa antiplumb në publik. Nuk duhet ta bëjmë më. Ai ka arsye që e vë antiplumbin. Ne nuk kemi arsye ta terrorizojmë ca më tepër me nënvizimet tona mbi këtë fakt. Ah, po, ne kemi arsye për të bërë diçka tjetër: Të mos e votojmë. Një njeri kaq i terrorizuar duhet mirëkuptuar e mbrojtur, por nuk duhet votuar. Nuk ka kuptim të kesh në krye të vendit një njeri, i cili don të jetë në krye, përveç të tjerash, nga frika. Ky është një hall i tij, kuptohet. Por halli i tij nuk ka pse të jetë i yni. Dhe aq më pak mund ta shohim këtë hall si një kredenciale elektorale të tij. Siç bëjnë ca e ca.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel