”Top-Story”: Infrastruktura

13/06/2013 00:00

Një “kalë beteje” për maxhorancën, rrugët dhe infrastruktura në tërësi është shndërrruar në një prej temave kryesore të debatit politik midis dy kampeve të ndryshme.

Nga njëra anë, qeveria në pushtet këmbëngul se prioritetit i investimit në infrastruturë është garancia më e mirë për të rritur mirëqënien dhe garantuar rritjen ekonomike të vendit.

Opozita, nga ana e saj, akuzon se pas rrugëve fshihet jo vetëm manipulim me shifrat zyrtare, që flasin për mbi 10 mijë kilometra rrugë të shtruara, por edhe afera të shumta korrupsioni ndërsa sipas socialistëve, vetëm shtrimi i rrugëve nuk garanton automatikisht rritjen ekonomike, pa e bashkërenduar këtë me reforma të tjera ekonomike e sociale.

Pikërisht, për të folur për një nga debatat më të nxehta të kësaj fushate zgjedhore, Sokol Balla përballi në studion e tij të “Top-Story; Shqipëria Vendos”, nga njëra anë ministrin e Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi e drejtorin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Benet Beci, me dy kandidatët socialistë për deputetë, Artan Lame dhe Eduard Shalsi.

I pari që mori fjalën në studio, ministri Olldashi iu përgjigj pyetjes se përse rrugët janë shndërruar në krenarinë kryesore të kësaj mazhorance. “Ky nuk është flamuri i vetëm i yni, por një ndër ato që i paraqisim qytetarëve si ndër arritjet tona, pasi rrugët janë shumë të rëndësishme pasi ofrojnë lehtësinë e lëvizjes së gjithçkaje”, nisi debatin zoti Olldashi.

”Nga 2005-a kemi pasur një program të qartë për rrugët, sepse vendi është si njeriu, që nëse një venë e caktuar nuk furnizohet më me gjak, ajo pjesë e trupit vdes. Deri tani ia kemi dalë sepse zona të tëra të humbura po marrin zhvillim kryesisht prej rrugëve. Territore të tëra bujqësore të pakultivuara sot po zhvillohen e zona me potencial minerar e turistik që kanë qenë të largëta, sot po preken në të gjithë aspektet. Kjo tregon që strategjia jonë për të ndërtuar rrugë ka qenë inteligjente dhe funksionon në të gjithë aspektet. Mbaj mend në 2007-n, në Rrugën e Kombit, në Rreps mund të ngrije një pallat 4 katësh me 200 mijë lekë, sot është krejt ndryshe. Nuk po them që është Paris, por këto zona janë rivitalizuar. Ka pasur toka të pakultivuara sepse nuk dilnin dot në treg, ndërsa sot kultivojnë dhe fitojnë mirë për një familje fermerësh. E njëjta në Bylis, në Ballsh, etj etj etj. Sot nuk mund të pretendosh që fshatari do të punojë tokën pa pasur lidhje me tragjet. Standartizimi i rrugëve ka qenë një strategji ekonomike, por edhe nga pikëpamja e zhvillimit social, ku komuna të tëra kanë qenë të palidhura, si Ishmi, që për të dalë në aksin Tiranë-Durrës donte dy orë. Sot del për 15 minuta dhe ekonomia është vënë në lëvizje”, shtoi Olldashi.

Për Lamen, rrugët e ndërtuara nga shteti jo vetëm që nuk janë 10 mijë, por ato janë pothuajse dhjetë herë më pak. Në fjalën e tij, kandidati për deputet ftoi ministrin që të zbardhë shifra dhe të publikojë inventarin zyrtar të rrugëve të ndërtuara, për t’iu referuar shifrave konkrete dhe jo studimeve të grupeve të ekspertëve të Partisë Socialiste. “Në parim është e domosdoshme të ketë rrugë, të ketë kapitale, ato nxisin zhvillim, etj dhe këtu zoti Olldashi ka të drejtë. Ajo që kemi pasur si kundërshtim ne është një thyerje e fortë e këtij koncepti, nisur nga e para, çfarë është harxhuar për të shtruar këto rrugë dhe e dyta, sa rrugë janë shtruar normalisht, e këtu nuk po hyjmë fare në debatin e cilësisë me të cilën këto rrugë janë shtruar”, akuzoi Lame.

”Në një vend normal është e turpshme të diskutosh sa rrugë janë shtruar sepse një institucion do ta paraqiste atë zyrtarisht dhe ne pastaj bisedonim a duhej bërë kjo rrugë apo një tjetër. Në momentin që ne kemi muaj që debatojmë sa kilometra rrugë janë shtruar sepse shteti ende nuk ka paraqitur një dokument zyrtar, le të jetë i pabesueshëm, e këtu ngec debati që në fillim. Ne detyrojmë që t’i rikthehemi debatit të kësaj çështje. Përpara disa kohe kemi bërë debat televiziv për këtë çështje dhe në atë debat u tha nga zoti Olldashi që herën e ardhshme do të vinte me tabelat e rrugëve … Në tre site ne kemi nxjerrë shifrën 1 515, duke e rritur me përurimet e fundit me 1565 km, këtë e kemi bërë me listë dhe emra rrugësh e gjatësinë e secilës, ndërsa ne i kemi pyetur për listat e tyre”, vazhdoi Lame.

Sipas kandidatit për deputet, transparenca lë për të dëshiruar dhe kjo ka qenë e qëllimshme për të favorizuar korrupsionin. “Olldashi tha që do i sjellë, por populli e di që Ministria e Transportit nuk ka asnjë të dhënë për rrugët e Shqipërisë në faqen e saj. Ministria Brendshme që menaxhon një pjesë të rrugëve s’ka të dhëna. Instituti i Statistikave përsëri nuk ka asnjë informacion për gjatësinë e rrugëve. Adresa e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugës, sot e kontrollova dhe nuk ekziston. E po flasim për Shqipërinë dixhitale, një tjetër reklamë e kësaj qeveri, e jemi në situatë që çdo shqiptar duhet të bëjë prokurim elektronik për cdo blerje mbi 100 mijë lekë, këtu s’kemi asnjë inventar për shpenzimin e gjysmës së parave të buxhetit të shtetit. i vetmi që ofron të dhëna është Fondi Shqiptar i Zhvillimit, një site që ekziston e para sepse financohet nga ndërkombëtarët, shumica e financimeve janë ndërkombëtare, gjë që i detyron të jenë transparentë dhe e dyta sepse e monitorojnë. Unë e lë të hapur këtë debat, sepse debati për rrugë, pa patur dokumentacion publik për mua është i kotë. Unë sot dua të flas gjithashtu për problemet e rënda që kanë lidhje me jetën, ndërsa për rrugët, ka aq shumë rrugë që reklamohen nga shteti si të mbaruara dhe ne na dërgojnë sms duke na thënë që asgjë nuk është shtruar”, shtoi Lame.

Në replikën e tij, ministri Olldashi deshi të evidentonte dy faktorë kryesorë. “Dy gjëra, e marrë të mirëqënë që sms ju kanë ardhur, por kjo s’do të thotë që janë të sakta. Nuk do të thotë përshembull që ai që shkruan e di ç’bëhet me rrugët. By-passi i Tepelenës, përshembull, nuk do të ndërtohet. Ramë dakord që Tepelena s’do të bajpasohet pasi kalimi me variantin e by-pass përtej Tepelenës do ta linte të izoluar, diçka që ka gjetur edhe miratimin e autoriteteve. Debati për rrugët lindi i pamenduar mirë nga PS, sepse nisi me disa deklarata të pastudiuara të Ramës për 600 km rruhë të shtruara, u ngrit më pas u ngrit në 1 560 km… U ngrit kjo tezë sepse Rama bëri batutën e Tokios, që me kaq rrugë sa janë shtruar i të shkosh nga Tirana në Tokio e të kthehesh. Dikush duhet t’i ketë shpjeguar nga stafi i tij se vendi ka 18 mijë km rrugë, e në këtë moment duhet të bëjë një hap mbrapsht në këto deklaratë dhe për të mbajtur në këmbë këtë gabim të Ramës, u shpik historia e kilometrave. Edhe diçka, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve nuk ekziston më si institucion sepse është shndërruar në Autoritetet Rrugor Shqiptar”, tha Olldashi.

Duke shpjeguar me shifra konkrete, ministri i Punëve Publike dhe Transporteve shtoi: “Duke u kthyer tek rrugët, çështja është e thjeshtë. Zotërinjtë, kur bëjnë këtë llogari e bëjnë me akset kombëtare dhe rajonale. Kushdo prej jush mund të shkojë në komunën Xhafzotaj në Durrës, që nuk ka asnjë shtëpi që të dalë në dhe, por dalin në asfalt. Janë rrugë terciare, rrugë të vogla fshatrash, rrugë që lidhin fshatra, rrugë brenda qyteteve, rrugë të tilla janë rreth 7 mijë km. 3 800 km rrugë janë shtruar nga Drejtoria e Rrugëve dhe FSHZH. Ju a them unë ku u bënë të tjerat, vendi ka 308 komuna dhe 65 bashki, 373 njësi të qeverisjes vendore në total. E le të të ngrihet njëri dhe të thotë që në bashkinë e tij s’janë bërë 3 km rrugë në vit, të dalë një banor i secilës komunë që në atë komunë të thotë që s’është bërë 3 km rrugë. A, mund të ketë ende fshatra që si kemi prekur ende, por sikur nga tre km në vit të shtrojmë për komunë, ja ku e keni llogarinë tonë prej 10 400 km”, argumentoi Olldashi.

”Nga 1 515 km tani e kemi çuar në 1 565, e kemi ngritur me 40 km inagurime që janë shturar këtë kohë dhe të mos harrojmë që vazhdojnë të debatojnë me letrat tona duke qenë opozitë. Olldashi kritikon letrat e mia, unë i them publiko letrat e tua dhe ai debaton për të miat. Unë mbaj përgjegjësi për këto që them, rrugët e vogla nuk janë fshirë nga llogaritë tona dhe janë përfshirë të gjitha, përfshi rrugët e FSHZH-së apo edhe ato që janë shtruar nga Ministria e Brendshme me fondin e saj. Do shtohen 20-30 km të tjerë të Elbasanit, por nuk shkon dhe të arrijnë ta kapin 1 600 kilometra”, kundërshtoi Lame.

Pasi debati fillestar u karakterizua nga shkëmbimi i batutave midis Olldashit dhe Lames, në marrjen e fjalës, Shalsi gjithashtu sulmoi shifrat e mbrojtura nga qeveria, për ndërtimin e më shumë se 10 mijë rrugëve në këto tetë vjet të drejtimit të djathtë të vendit. “Nëse do të shohësh zhvillimin e një vendi duhet ta nisësh nga infrastruktura, këtë e dinë të gjithë, por shifrat në vetvete kanë qëllim të vetëm t’i tregojnë shqiptarëve ç’është bërë. Ajo që dokumentohet sot është një paradoks i jashtëzakonshëm. Sapo tha 10 400 km ministri, përpara disa ditësh tha 10 600 km zv/ministri e Berisha tha 11 mijë më parë gjatë muajit, e në një vend të vogël, ku ministri, zvs/ministri e kryeministri luajnë me 400 km kombëtare, imagjino çfarë ndodh. Ne sot e kemi nisur debatin nga km e shtruar, sepse sot Shqipëria vuan nga mungesa e informacionit, statistikat e rrëmujshme dhe inventari i munguar i rrugëve është problem”.

”18 mijë km rrugë ka e gjithë Shqipëria, në dokumentin e 2010-s zbriten 4 mijë rrugë që të çojnë në reparte ushtarake e minera që janë të papërfshira në rrjet ose inekzistente sot. Po duke iu referuar atij raporti, sot shqiptarët duhet të dinë një të vërtetë që me 11 mijë kilometra, çdo shqiptar përpara derës duhet të kishte asfalt, e kjo nuk është e vërtetë”, vazhdoi argumentimin e tij Olldashi. “Ajo që na preokupon nuk janë vetëm deklaratat bombastike të Berishës, kakofonia mes ministrave që thonë shifra të ndryshme. Nuk na shqetëosn vetëm si propagandë, ajo që na shqetëson është që në këtë vend janë shpenzuar para, me miliona euro nga buxheti i shtetit. Gjëja më shqetësuese në këtë histori pa inventar rrugësh është fakti se ku kanë shkuar këto para se që nuk janë bërë 11 mijë km kjo është evidente. Mjafton të shkosh në Peshkopi e Berat, Levan-Tepelënë e papërfunduar e një seri rrugësh, që mund të inagurojë nja 100 km ministri, edhe pa shtruar asnjë kilometër. Por, ajo që na shqetëson realisht është fakti që pas këtij pompoziteti, fshihet një shumë e jashtëzakonshme parash dhe nëse këto kilometra s’janë bërë, ku kanë shkuar këto para?”, pyeti Shalsi.

Sërish deputeti socialist, Eduard Shalësi këmbënguli në qendrimin e opozitës për numrin e km  të shtruara: E thënë nga goja e kryeministrit për 11 mijë km, donim të thonim që nuk janë bërë as 7 mijë km rrugë. Këta zotërinj i tregojnë shqiptarëve, jo ne, sepse me 11 mijë km rrugë do të thotë Shqipëria 3 herë lart e poshtë, ne po flasim cfarë ka thënë ky kryministër dhe cfarë thotë sot, Rruga e Arbërit, Qafë-Pllocë dhe të gjitha të thënat në 2009. Asgjë nuk është bërë dhe pyetja është ku kanë shkuar miliarda për rrugët?

Por ministri Olldashi shtoi se opozita spekulon për fushatë sa i përket infrastrukturës. “Është një spekulim i madh që bëhet për fushatë. Opozita i ka patur 8 vite kohë dhe gjithë instrumentat për t’u njohur me projektet dhe tenderat në këto vite”.

Sa për përparësinë e investimeve Olldashi tha se nuk ka patur favorizime, por thjesht përparësi të zonave që u lanë pas dorë gjatë qeverisjes socialiste.

Kreu i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Benet Beci tha: Nuk ka patur asnjëherë debat për rrugët dhe gjëja e mirë është që kemi nisur një debat për rrugët. Ne e kemi nisur këtë pa asnjë ndërhyrhjë në rrugët rurale, ndërsa sot janë shndërruar në rrugë të rëndësishme ekonomike. Ne kemi patur një strategji dhe sot diskutohet se sa ka qenë efikase. Në vitin 2005-2006 në vlerësim për rrugët rurale, shkruhej se 70 përqind e rrugëve janë shumë të këqia ose të këqia, dmth rrugë që nuk kaloheshin në 6 muaj. Rrugët rajonale i kanë paraprirë zhvillimin e fortë të bujqësisë,

Zoti Beci tha se janë 1529 kilometra rrugë rurale të shtruara nga ky fond dhe që sipas tij, përbëjnë zemrën e rrjetit rrugor rural. “1529 km rrugë rurale janë rrugë që quhen zemra e rrugëve rurale. Ajo që është bërë me rrugët rurale ëhtë një krenari kombëtare. Sot janë 750 mijë qytetarë që kanë përfituar nga këto rrugë, që kanë nxitur edhe zhvillimin ekonomik”, tha Beci.

Deputeti Shalësi u ndal tek standardet e rrugëve të cilat sipas tij lënë për të dëshiruar. Ai tha se cdo vit me qindra shqiptarë humbasin jetën në aksidentet rrugore dhe kjo jo për faj të tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA