Kandidati i Frymës së Re Demokratike në Fier, Mit’hat Hoxha, është dhunuar barbarisht në Roskovec.

Ai është goditur me mjete të forta, nga persona të cilët i ka njohur. Për shkak të dhunës, kandidati ka mbetur pa ndjenja në rrugë dhe është përmendur vetëm në urgjencën e spitalit të Fierit, ku ndodhet aktualisht.

Bashkëshortja e tij thotë se edhe më parë kanë patur kërcënime, që ai mos bënte fushatë elektorale në Roskovec.

“Na kanë kërcënuar në shtëpi para dy javësh. Do ta vrasim, kanë thënë. Mos të vijë në fshat për punë partie dhe për zgjedhjet”, tha e shoqja e kandidatit, Liliana Hoxha.

Familjarë të kandidatit konfirmojnë kërcënimet, ndërsa drejtuesit lokalë të FRD-së thonë se tre dhunuesit janë të identifikuar tashmë.

“E vërteta është se kandidatit i është bërë presion edhe nga individë të tjerë më përpara, ndoshta edhe me telefonata të panjohura, që të mos bënte politikë këtu. Jo nuk kemi raste të denoncuara në polici, pasi nuk mendonim se incidente të tilla do të ndodhnin në vitin 2013”, tha Shezai Çobo, kryetar i FRD-së Fier.

Ndërsa policia lokale konfirmon ngjarjen dhe nisjen e hetimeve, por deklaroi se dhunuesit janë të paidentifikuar.

Topi: Versioni i policisë, jo i vërtetë
“Të gjenden autorët, i gjithë shteti është angazhuar në fushatë”

Gjatë mbrëmjes, Mit’hat Hoxha u transportua për një mjekim më të specializuar në Tiranë. Pasi e vizitoi në spital, kreu i FRD-së, Bamir Topi, deklaroi:

“Kur dhunohet një kandidat, praktikisht dhunohet potencialisht një njeri i parlamentit të ardhshëm. Përfytyroni që, policia jep një deklaratë të pavërtetë, dhe më thoni se ku është garancia, që duhet të kenë njerëzit në këtë vend. Kur policia shkon te varianti i së pavërtetës. Pra, është çështje e institucioneve të shtetit, që sot në këtë klimë, mendohen vetëm të rekrutohen për mitingje dhe askush nuk bën detyrën e vet. Kjo është një situatë e rëndë”, tha Bamir Topi, kryetar i FRD-së.

“I drejtohem atij që e ka për detyrë të garantojë një proces të lirë dhe të ndershëm, që përpara se të flasë se cfarë do të bëjë në vitet e ardhshme, të garantojë integritetin dhe sigurinë e zgjedhjeve. Ky shtet që operon me falangat e tij, duhet patjetër të reagojë sepse kjo ngjarje nuk nderon institucionet e Shqipërisë dhe na ve një njollë të zezë përpara ndërkombëtarëve”, u shpreh Topi, në një deklaratë për media.

“I uroj shërim të shpejtë Hoxhës dhe siguroj familjen se FRD është pranë tyre në këtë moment. FRD jo vetëm nuk shantazohet, por do të punojë më intensivisht për të rikthyer standardet e shtetit ligjor. Nesër në Parlament dhe pse jo në Qeverisje ne do të punojmë fort për të rikthyer këto standarde”, u shpreh Topi.

Tre ditë më parë kryediplomati amerikan Aleksandër Arvizu kërkoi garanci nga policia shqiptare për sigurimin e një klime të qetë parazgjedhore dhe gjatë ditës së votimeve.

Arvizu deklaroi per mediat se pavaresisht disa incidenteve ajo çfare presin Shtetet e Bashkuara te Amerikes eshte zbatimi i ligjit: “Njerëzit shprehin pasionin e tyre për kandidatët dhe partitë e tyre, ka patur disa incidente dhe fatkeqësisht kanë ndodhur disa prej tyre. Qartazi mbështetësit e partive politike mund ta bëjnë shumë më të lehtë jetën e Policisë së Shtetit duke zbatuar ligjet. Sigurisht mund të kesh pasione politike, por duhet ta zbatosh ligjin, duke qenë i kujdesshëm dhe kjo është ajo që SHBA pret dhe kjo është ajo që shpresojmë.”

Top Channel