Topi: Do rikthejmë vlerat e humbura

08/06/2013 18:30

Kreu i FRD-së, Bamir Topi ka zhvilluar pasditen e së shtunës një takim elektoral me banorët e njësisë numër 3 të Tiranës.

Në fjalën e tij para simpatizantëve, Topi ka dhënë garancinë e tij se, FRD merr përsipër të punojë fort për disa vlera që sipas tij janë rrënuar, ose mënjanuar, ose s’janë realizuar.

“FRD është një forcë politike e qendrës së djathtë, që u është rikthyer momenteve më të qenësishme që ka situata politike në Shqipëri. Për fat të keq, këto vlera duhet të rigjenerohen dhe të kthehen në Parlament, qeveri dhe institucionet e tjera të Shqipërisë”, ka deklaruar Topi.

Ish-presidenti i Republikës ka kritikuar situatën parazgjedhore, e cila sipas tij po e çon vendin drejt zgjedhjeve të manipuluara, që nuk përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve.

“Po përballemi jo vetëm me një situatë politike të rrënuar, por me një garë të deformuar që tenton të rikthejë atë që ka ndodhur vazhdimisht në Shqipëri, zgjedhje të manipuluara e të deformuara. Mbi të gjitha, zgjedhje që nuk përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve”, ka theksuar Topi.

“Është e pakuptimtë që KQZ vazhdon të operojë me 4 militantë të partisë në pushtet. Bëjmë apel që të rivendoset funksioni normal i KQZ-së. Të gjithë e dimë se cfarë thotë raporti i vëzhguesve”, ka vijuar ai.

Më tej Topi ka komentuar edhe shkarkimin e gjeneralëve, veprim që sipas tij nxjerr në dritë një shtet politik të rrënuar e që vazhdon të rrënohet.

“Ky është një turp i jashtëzakonshëm”, i cili e ka cilësuar si absurd titullin e fisnikërisë të marrë nga kryeministri Berisha. “Sot kemi një kryeministër që derdhi gjak në mes të Tiranës, vrau katër të pafajshëm dhe sot merr titull fisnikërie”, ka shtuar Topi.

Top Channel