Meta me të rinjtë në Kavajë

08/06/2013 00:00

Kreu i LSI, Ilir Meta e ka zhvendosur fushatën në Kavajë, ku ka shprehur mbështetjen e forcës politike që përfaqëson për të rinjtë e këtij qyteti.

Në fjalimin e tij, Meta është shprehur i bindur se të rinjtë besojnë tek LSI-ja, për faktin, siç tha ai, se edhe LSI beson tek forca e rinisë.

“Jam i bindur që Kavaja po ecën drejt ndryshimit. LSI ka një plan të qartë për punësimin e të rinjve. Tek programi ynë do të gjeni mbështetje”, ka thënë Meta.

“Programi ynë synon ndryshimin e sistemit ekonomik. Rinia është e sotmja dhe jo vetëm e ardhmja e vendit. Vetëm përmes bashkëpunimit do mund të çojmë vendin përpara”, ka vijuar ai.

Meta: Projekte për punësimin

Pak ditë pasi kryebashkiaku i Kukësit deklaroi shkëputjen nga PD dhe
bashkimin me LSI, ai ka marrë kartën e anëtarësisë në këtë force
politike nga kryetari i saj, Ilir Meta.

Në këtë takim të mbajtur në qytetin e Kukësit janë anëtarësuar në LSI edhe 300 anëtarë të tjerë. Kryebashkiaku Hasan Halili, i zgjedhur dy mandate në bashkinë e Kukësit nga PD, deklaroi se bashkimi me LSI do ta ndihmojë të mbajë premtimet për qytetin e tij.

Ndërsa kryetari i LSI në takim foli për projektet që synojnë nxitjen e punësimit në këtë qark. Meta u shpreh i bindur se fitorja më 23 qershor do të fillojë nga Kukësi dhe do të përshkojë të gjithë Shqipërinë.

“Alternativa jonë jep shpresë dhe zgjidhje përmes programit për punësimin edhe për Kukësin dhe të rinjtë e të rejat e qytetit. Ne do punojmë së bashku pas 23 qershorit në mënyrë që Kukësi të ecë në rrugën e progresit ekonomik e social dhe në rrugën e punësimit. Ne do punojmë me kryetarin e bashkisë Kukës dhe do ta ndihmojmë që ai të mbajë ato premtime, pasi e kemi mbështetur kur është zgjedhur për herë të dytë kryetar”, deklaroi Meta.

Meta: Iku koha e premtimeve boshe

Më herët gjatë ditës, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim deklaroi nga
Devolli se koha e atyre që përpiqen të mashtrojnë qytetarët me premtime
boshe tashmë ka përfunduar.

“LSI e ka treguar se është një forcë politike, e cila kujdeset për njerëzit dhe do të kujdeset çdo ditë edhe në të ardhmen dhe jo thjesht në prag të fushatave elektorale. Koha e premtimeve boshe ka ikur, ndaj eshte koha qe te veme Shqiperine ne pune”, tha Meta.

I bindur për fitoren, zoti Meta prezantoi në Devoll kandidatët e LSI për qarkun e Korçës, që kryesohen nga biznesmeni Piro Kapurani.

“Fitorja e Aleances për Shqipërinë Europiane eshte e sigurt, sepse vendi ka nevojë për rotacion. Devolli ka nevojë për të qenë në qendër të vëmendjes, jo thjesht të një grupi apo të një klani të caktuar. Devolli meriton të jetë në qendër të vëmendjes dhe jo vetëm një klan i tij”, tha Meta.
 
Gjatë takimit me qytetarët e Devollit zoti Meta e ka vënë theksin tek punësimi si shtyllën kryesore të programit të LSI, që sipas tij do të vihet në jetë pas 23 qershorit.

Top Channel