Në lagjen e tij të vjetër në Tiranë, Bamir Topi iu përgjigj anti-fushatës që kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Eduart Selami po bën ndaj FRD-së, sic tha ai, duke e cilësuar atë një parti që nuk përfaqëson të djathtën.

“Ky individi që u besua se kishte personalitet, rezultoi një zvarranik i politikës. Unë dua t’i përgjigjem kush është parti e djathtë ai që bën fushatë me Xhuvelin dhe Kastriot Islamin?!”, tha Topi.

Pasi është takuar me ish-banorë të kësaj lagjeje të Tiranës, Topi tha se shumica e shqiptarëve janë të papunë, duke akuzuar për këtë qeverinë aktuale.

Mediu takon fasonët

Kryetari i republikanëve, Fatmir Mediu zhvilloi një takim me biznesin
fason në kryeqytet, ku vlerësoi reformat e qeverisë për t’i ardhur në
ndihmë sipërmarrjeve dhe sulmoi taksën progresive të propozuar nga Edi
Rama. 

“Me një ekonomi si Shqipëria vendosja e taksës progresive është shkatërrim i bizneseve që keni ngritur ju, është shkatërrim i mundësive për të punuar dhe padyshim shkatërrim i ekonomisë tonë familjare dhe kombëtare”, tha Mediu.

Mediu vijoi takimet elektorale me banorë të njësisë 8 ku prezantoi kandidatin për deputet, Agustin Kola.

PDIU prezanton kandidatin në Fier

Shpëtim Idrizi ishte në qytetin e Lushnjes ku prezantoi kandidatin për deputet të PDIU për Fierin, Omer Mamo. Duke folur për arritjet 4-vjecare të forcës politike që ai drejton, Shpëtim Idrizi tha se arritja kryesore është Rezoluta për Zgjidhjen e Çështjes Çame.

“Ishte pikërisht presioni ynë i bashkuar me presionin e gjithë shqiptarëve që bëri që parlamenti ynë të nxirrte nga foletë e turpit rezolutën për drejtësi për çështjen çame”, tha Idrizi.

Angjeli: Po shkatërrohet trashëgimia

Nga shtëpia e Zekatëve, kandidati për deputet i Partisë Socialiste në Gjirokastër Anastas Agjeli u fokusua tek trashëgimia kulturore e lënë në harresë nga qeverisja e djathtë.

“Duke i dhënë fund njëherë e përgjithmonë orës së ndryshkur të Berishës, të qeverisë aktuale e cila po mundohet që të ndryshkë edhe Gjirokastrën, por ne nuk do ta lëmë atë”, tha Angjeli.

Angjeli premtoi dy buxhete për Gjirokastrën, një si cdo bashki tjetër dhe një për trashëgiminë kulturore.

Topalli, ftesë grave në Shkodër

Numri 1 i listës së kandidatëve për deputetë në Qarkun e Shkodrës, Jozefina Topalli ftoi gratë dhe vajzat të udhëheqin fitoren e Partisë Demokratike më 23 Qershor.

Në një takim në qytetin e Shkodres, zonja Topalli shprehu besimin se me fuqinë e tyre, gratë dhe vajzat do të jenë faktor vendimtar për një rezultat historik, duke i siguruar Partisë Demokratike mandatin e 8-të në Qarkun e  Shkodrës dhe duke i dhënë kështu përgjigjen e merituar, sipas saj,  kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama.

LSI: Program për punësimin

Kryesuesja e listës së kandidatëve për deputetë të LSI-së në Qarkun e Lezhës, Monika Kryemadhi zhvilloi një tur takimesh në Bashkinë e Rubikut dhe në katër komuna të tjera të Qarkut të Lezhës.

Në bashkëbisedimin me qytetarët, Kryemadhi tha se punësimi është prioriteti që dallon LSI-në nga forcat e tjera politike.

“Për të krijuar mundësinë e punësimit të njerëzve, për të filluar një mundësi të re, mundësinë e zhvillimit të kësaj zone. Unë do të jem zëri dhe syri juaj në parlamentin shqiptar. Të jeni të bindur që me votën tuaj për LSI më 23 qershor do të kemi mundësi për të zgjidhur problemet që janë prej vitesh të ngulitura këtu”, tha Kryemadhi.

Top Channel