Tiranë, zbulohet baza e falsifikimi të dokumenteve

07/06/2013 00:00

Policia e kryeqytetit ka zbuluar një bazë të falsifikimit të dokumenteve
zyrtare, ndërsa është ekzekutuar masa e sigurisë së Gjykatës për 62
vjeçarin Ylber Huqi.

Sektori Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorisë e Policisë së Qarkut Tiranë, finalizuan procedimin e nisur rreth 4 muaj më parë duke arrestuar shtetasin Ylber Xhaferr Huqi dhe shpallur një tjetër në kërkim policor si bashkëpunëtor i dyshuar.

Në kuadër të këtij operacioni policor, i realizuar me pjesëmarrje dhe koordinim të strukturave të Krimit Ekonomik – Financiar, Sektori i Operacioneve Speciale dhe nën drejtimin e Njësisë së Përbashkët Hetimore Kundër Krimit Ekonomik në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, u finalizua me sekuestrimin e një baze falsifikimi të dokumenteve zyrtare.

Operacioni u realizua në afërsi të zonës së Xhamllikut, në Tiranë, rreth orës 14.00, ku u bë dhe ekzekutimi i masës së sigurisë arrest në burg dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë për shtetasin e Ylber Huqi, për konsumim të veprës penale të falsifikimit të dokumenteve dhe vulave, e kryer më shumë se një herë”.

Pas një punë operative hetimore dhe procedurale u mundësua dokumentimi ligjor i përfshirjes së këtij shtetasi në aktivitetin e falsifikimit të dokumenteve zyrtare si: Vula të ndryshme të Drejtorisë Rajonale së Transportit Rrugor, vula të ndryshme të Komunave Paskuqan, Kryevidh etj.

“Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi e konsiderueshme të Dëftesave të shkollave të mesme të ndryshme të falsifikuara, një sasi e konsiderueshme të Vërtetimeve të Hyrje – dalje të Doganës së Durrësit, një sërë certifikatash të zyrave të ndryshme të gjendjes civile, karta identiteti të dyshuar të falsifikuara, një sasi e konsiderueshme të lejeve të qarkullimit ndërkombëtar të mjeteve ; formular të paplotësuar të vërtetimeve të ndryshme të titullit të pronësisë, Vërtetime e formular të paplotësuar të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Ndërkohë, pas një kontrolli të banesës së tij e cila shërbente njëkohësisht si bazë falsifikimi të dokumenteve zyrtare, u sekuestrua edhe një sasi prej 2 kg lëndë narkotike” deklaroi në një konferencë për mediat zëdhënësja e policisë së Tiranës, Alma Katragjini.

Top Channel