“S’ka shqiptar që beson Berishën”

07/06/2013 23:45

Gjatë një mitingu elektoral në Kuçovë, Edi Rama i ka dhënë përgjigje kryeministrit Berisha, i cili, ditët e fundit, ka artikuluar termin “taksa e Zotit”.

“Saliu flet, këto ditë, për një ‘taksë të Zotit’ dhe thotë se taksën e sheshtë e keni nga Zoti. Pra, Zoti e paska thënë dhe ia paska thënë Saliut në vesh se, shiko ‘mësuesja duhet të paguajë më shumë se ty, polici duhet të paguajë më shumë se ty, infermierja duhet të paguajë më shumë se ty’ dhe ky i dërguari i Zotit nuk ka ç’bën dhe thotë ‘kjo është taksë shumë e ndershme, se kush ka 10 paguan 1 dhe kush ka 100 paguan 10’. Jo mor Sali, se mësuesja me ty merr 500 dhe paguan 50, ndërsa me ne do paguajë vetëm 10, duke kursyer 40 mijë lekë në muaj, kurse zotrote ke 8 vjet që paguan taksa më pak se mësuesja. Nesër, kryeministri, ministrat, deputetët dhe gjithë ata, që marrin më shumë se 1.5 milionë lek të vjetra, në shtet apo privat, do të paguajnë më shumë taksa. A ka ndonjë shqiptar që ia lë më xhepin në dorë Saliut?” u shpreh Rama.

“Kush e beson më? Pse duhet ta besojnë?”, – tha Rama për kryeministrin Berisha, i cili bën premtime konstante fushatave elektorale, për certifikatën e tokës, por asnjëherë të bëra realitet.

“Po kur thotë, më jepni votën t’iu jap çertifikatën e tokës deri në fund të vitit, e keni dëgjuar këtë? Po 8 vjet në pushtet, pse nuk i dhe çertifikatën e tokës? Çfarë bëre në 8 vjet, u more tokën dhe ua dhe njerëzve, që vetëm një meritë kishin, ishin të lidhur me ty, me familjen tënde, ishin të lidhur me oborrin e pushtetit tënd. Çfarë certifikate mund të presin fermerët nga Saliu? Po legalizimet, e keni dëgjuar kur thotë se do t’i legalizojë të gjitha shtëpitë? E ka thënë, që kur doli në televizor 20 e kusur vjet përpara, e ka thënë që kur 20-vjeçarët, që janë sot në këtë shesh, nuk kishin lindur akoma, dhe prapë ua thotë do t’u legalizoj shtëpitë”, përfundoi Rama.

Top Channel