Meta: Më 23 qershor merr fund tranzicioni

07/06/2013 00:00

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka zhvilluar një
takim me të rinj të Njësisë Bashkiake nr. 4 në Tiranë dhe më pas është
ndalur në një bashkëbisedim me qytetarët në Njësinë Bashkiake nr. 7.

Në fjalën e tij para të rinjve Meta u shpreh se më 23 qershor të rinjtë shqiptarë votojnë për zgjidhjen e problematikave të tyre, për të cilët LSI ka një plan konkret.

“Ju votoni për të ngritur zërin tuaj në Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë, për t’i dhënë zgjidhje problemeve tuaja lidhur me reformimin e sistemit tonë arsimor, me krijimin e mundësive dhe hapësirave për formimin profesional, për zgjidhjen e problemeve tuaja lidhur me hapjen e vendeve të reja të punës për të cilat Lëvizja Socialiste për Integrim ka një plan konkret duke krijuar lehtësi fiskale për të gjithë sipërmarrësit të cilët punësojnë të rinj dhe të reja për herë të parë, si një mbështetje që u jepet atyre për të hyrë të sigurt në jetën që duhet të ndërtojnë me punë dhe me djersë”, u shpreh ai.

Ndërsa në bashkëbisedimin me banorët e Njësisë Bashkiake nr. 7, Meta u shpreh i bindur se më 23 qershor do të marrë fund ky kapitull mjaft i lodhshëm i këtij tranzicioni të stërzgjatur.

“Besoj se 23 qershori do t’i japë fund kapitullit të gjatë dhe mjaft të lodhshëm të tranzicionit. Dhe ne do të kemi mundësinë që më 24 qershor me votën plebishitare të qytetarëve të gjithë Shqipërisë të nisim një projekt të pandërprerë për evropianizimin e vendit, për zhvillimin e tij për modernizimin e tij përmes bashkëpunimit dhe gjithëpërfshirjes”, u shpreh Meta.

Top Channel