“Dyfishim rrogash dhe pensionesh”

07/06/2013 23:35

Kryeministri i vendit, Sali Berisha, gjatë fushatës së tij elektorale në Manzë të Durrësit, premtoi se do të ulë moshën e pensionit për minatorët, në 50 vjeç, dhe do të dyfishojë rrogat e pensionet, në mandatin e ardhshëm.

“Zbritje në 50 vjet të pensioneve për minatorët, premtoj rritjen e madhe të mëtejshme të rrogave dhe pensioneve, dy herë më të lartë se çmimet”, tha Berisha.

Berisha sulmoi nga Manza kreun e PS Rama, duke u shprehur se është fiksuar se çdo këmishë e tija është antiplumb.

“Gjatë gjithë fushatës, në cdo takim, nuk harrin të servirë këmishën, xhaketën apo jelekun tim si antiplumb. Një demokrat më coi një mesazh dhe më tha se ai beson se ke lindur me këmishë. I doli një ditë një lopë përpara autobusit mavi dhe u tmerrua, kjo nuk është rrugë tha, e shkoi e u tha qytetarëve, këto janë rrugët e Saliut, të del lopa. Po do të të dali lopa o zotëri, se kështu jemi ne në katund, kemi edhe veturën, edhe mushkën, edhe lopën, ecim përpara ne”, shtoi Berisha.

Kryeministri i mbylli takimet elektorale në mbrëmje në një miting në Fushë Krujë, ku premtoi se do të trefishojë grantet për fermerët shqiptarë dhe se do t’u financojë atyre me para në dorë akcizën e naftës.

“Ne u financuam 42 mijë projekte. Ju jap fjalën se do të trefishojmë grantin për ta, nga 56 milionë në 156 milionë. Fermerëve shqiptarë do t’u jipen para në dorë, akciza e naftës, TVSH-ja për të gjitha makineritë, të gjitha plehërat, inputet që ata përdorin nëpër në fermat e tyre, bujqësore apo blegtorale. Katër vitet që vijnë ne do të dyfishojmë punësimin në Shqipërinë dixhitale”, përfundoi Berisha.

Top Channel