“Ulje taksash për 95% të shqiptarëve”

06/06/2013 00:00

Ndalesa e radhës e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama në kuadër të fushatës elektorale ishte në qytetin e Rrëshenit, nga ku ritheksoi zotimin e opozitës për lehtësim taksash për 95 përqind të shqiptarëve.

Rama tha se qeveria ka lënë Mirditën, ashtu si gjtihë Shqipërinë në varfëri të skajshme, kokëulur dhe me lista borxhesh.

“Ja pse ne zotohemi solemnish për uljen e taksave për 95 përqind të shqiptarëve. Ja pse ne zotohemi se do të lehtësojmë të gjithë shqiptarët e vetëpunësuar duke u hequr taksën e biznesit të vogël dhe përgjysmojmë TVSH brenda 100 ditëve të para. Ne do të heqim taksën e ilaceve, taksën e ushqimeve bazë. Ne refuzojmë që sot, shqiptarët paguajnë 20 përqind taksë në cdo kilogram bukë dhe cdo gotë qumësht që u japin fëmijëve. Ne do t’i bëjmë zero këto taksa dhe do ulim nga 20 përqind në 6 përqind taksën e faturës së energjisë elektrike. Parimi ynë është i thjeshtë, kush fiton më shumë do paguajë më shumë, kush fiton më pak do paguajë më pak”, tha Rama.

Rama iu përgjigj akuzave të kryeministrit Berisha, i cili ka sulmuar sistemin e taksës progresive të propozuar nga Partia Socialiste dhe ka mbrojtur taksën e sheshtë si taksa e duhur për Shqipërinë.

“Katragjyshi me jelek anti-plumb ju thotë shqiptarëve që taksa e tij e sheshtë qënka taksa e Zotit. Pra shqiptarët varfërinë e paskan nga Zoti, shqiptarët papunësinë e paskan nga Zoti, shqiptarët barrën e taksave që po u zë frymën e paska nga Zoti dhe ky i dërguari i Zotit në tokë paska vetëm detyrën të gënjejë shqiptarët nga mëngjësi në darkë?! E keni dëgjuar kur ju thotë lëreni taksimin e ndershëm të tyre sepse ne do ju japim lekë në dorë, për naftën, për përmbytjet? Po a ka më shqiptarë që beson Saliun që të jep lekë në dorë?!”, u shpreh Rama.

Kreu i PS-së u ndal edhe tek premtimi i kryeministri Berisha që gjatë një takimi elektoral në Shkodër tha se brenda vitit do të pajisen me certifikatën e tokës të gjithë fermerët. Rama ngriti pyetjen se përse këto certifikata nuk u dhanë për 8 vite, por premtohen tani?

Më tej, kryesocialisti tha se vota e 23 qershorit nuk është një zgjedhje mes partish, as zgjedhje emrash se kush do të jetë kryeministër, por zgjedhje mes rrugës së rrënimit dhe rilindjes.

Në fund të fjalës së tij, kryetari i Partisë Socialiste bëri thirrje për të votuar numrin 29 dhe për pjesëmarrje masive në zgjedhje.

“Nr. 29 cliron frikën dhe korrupsionin dhe u jep shqiptarëve një qeveri që të luftojë krimin duke cliruar shqiptarët. Zgjedhja është shumë e qartë, kush do të mbajë pushtetin gjatë dhe të zhytet në batak, le të mbajë Saliun, kush do një qeveri të re në krah për hallet dhe problemet, ka vetëm një adresë, nr. 29 që është Partia Socialiste e Shqipërisë. Ndaj më 23 qershor bëni gjithcka mundeni dhe mos shkoni vetëm në kutinë e votimit, por merrni edhe atë që nuk ka votuar herë të tjera. Bindeni atë që vota është investimi për të ardhmen e tij, të fëmijëve dhe atdheut tonë”, mbylli fjalën e tij Rama.

Top Channel