Topi: Taksim të ndershëm për biznesin

06/06/2013 00:00

Kryetari i Frymës së Re Demokratike Bamir Topi, gjatë një takimi me
biznesin fason premtoi taksim të ndershëm, ndërsa akuzoi
kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e PS-së Edi Rama se po
çorientojnë njerëzit në këtë fushatë zgjedhore me premtimet e tyre.

“Dy individë kanë marrë rrugët e Shqipërisë dhe kanë marrë të drejtën për të qenë specialistë në gjithcka. Këta dy individë po mashtrojnë dhe po corientojnë njerëzit”, tha Topi, duke shtuar se ky është një helmim që po i bëhet shoqërisë shqiptare.

Topi shprehu mbështetjen për biznesin fason, pasi në këtë mënyrë do të rritet edhe mundësia për punësimin e njerëzve e për pasojë do te kete edhe rritje te mirëqënies së tyre.

Mediu: Eksperte europianë për pronat

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu vijoi takimet elektorale në njësinë bashkiake numër 7 në kryeqytet ku prezantoi kandidaten për deputete Elkida Sinani.

Mediu u ndal sërish tek çështja e pronave dhe rëndësia e përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë evropian.

“Kemi vendosur t’i kërkojmë Komisionit Europian një ekip ekspertësh për të vlerësuar gjithë legjislacionin e pronave për ta sjellë atë në përputhje të plotë me legjislacionin europian”, tha Mediu.

Idrizi: Kompensim ish te perndjekurve

Shpëtim Idrizi u ndal në Peqin, ku prezantoi kandidatin për deputet të PDIU-së për Elbasanin, Aqif Rakipi. Duke folur për ish të përndjekurit, Idrizi tha se PDIU ka një plan konkret për t’i dhënë fund, asaj që e quajti tallje 23-vjeçare me ish të përndjekurit.  

“Në programin tonë ne propozojmë që 20 për qind e vlerës që merret nga privatizimet, të kalojë për këtë shtresë dhe që të mbyllet përfundimisht plaga që çdo shqiptar ka ndaj kësaj shtrese”, tha Idrizi.

Xhafaj: Do te ndëshkohet kushdo qe abuzon me zgjedhjet

Në një bashkëbisedim me banorë të kryeqytetit, kandidati për deputet i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj siguroi qytetarët se kushdo që abuzon me votën e qytetarëve do të ndëshkohet.

“Miqësisht po ua them, ua thoni edhe aty ku gjendeni edhe për ata fqinjë, njerëz që janë në lagje apo në punëra tuaja që të kuptojnë se kush abuzon me zgjedhjet, kush me abuzon me votën e popullit do të ndëshkohet”, tha Xhafaj.

Bushati, takime në Shkodër

Duke folur para mbështetësve të demokratëve në Vaun e Dejës, numri dy i listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike në Shkodër, Elidon Bushati ftoi qytetarët të votojnë alternativën e djathtë për një të ardhme më të mirë.

“Vendi ynë meriton zhvillim dhe mirqënie dhe ashtu do të jetë në katër vitet e ardhshme me Partinë Demokratike. Do të kemi më shumë shkolla, më shumë qendra shëndetësore, më shumë rrugë, më shumë fonde për fermerët dhe blegtorët. Duhet të ecim përpara”, tha Bushati.

Sistem stimuluesh taksash

Në një takim me biznesin fason, Jorida Tabaku dhe Florion Mima shprehën angazhimin e Partisë Demokratike për të vijuar me politikat lehtësuese për biznesin, në mënyrë që ata të kenë më shumë mundësi për t’u zhvilluar dhe për të hapur vende të reja pune.

Tabaku u ndal tek vendimi i fundit i Qeverisë për heqjen e tatim-fitimin për pagat nën 30 mijë lekë të reja, nga i cili përfitojnë rreth 158 mijë të punësuar në sektorin privat dhe shtetëror.

“Do të fillojë që nga ky muaj, ju do të merrni 35 mijë lekë më shumë si rezultat i heqjes së tatim fitimit”, tha Tabaku.

 

Top Channel