“Punësimi do të jetë prioritet”

06/06/2013 23:00

Kryesocialisti Rama u ndal në Kukës, në faktin se kryeministri Berisha, dhe deputetët e tij në këtë qark, janë përpjekur gjatë gjithë kohës të krijojnë ndasi mes shqiptarëve – siç tha ai – për t’i mbajtur në këtë mënyrë të nënshtruar në politikën e tyre të mbrapshtë.

“Ne nuk jemi këtu për të ndarë, por për të bashkuar, sepse nga jugu në veri është një Shqipëri. I them atij Flamurit pa bisht, mos guxo më të rrotullosh thikën e ndasisë në palcën e këtij qyteti dhe kësaj treve, sepse këtë e bëjnë vetëm armiqtë e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, u shpreh Rama.

Për kryesocialistin, vota në 23 qershor nuk është një votë për një palë dhe kundër një tjetre, por një mundësi për t’i dhënë vendit një të ardhme më të mirë.

“Vota e 23 qershorit është votë për të vendosur uljen e taksave për 95% të shqiptarëve, ose mbajtjen në qafë të një pushteti, që po e zhyt Shqipërinë në papunësi, varfëri dhe dëshpërim social”, shtoi Rama.

Punësimi, sipas liderit të opozitës, do të jetë një tjetër prioritet i qeverisë së majtë, të pas 23 qershorit.

“Të ngrejë dorën këtu, kush është pa punë. Shikojeni! Kush është pa punë të votojë për të hequr nga puna katragjyshin me antiplumb dhe për të hapur rrugën e punësimit real, jo punësim me përralla”, tha Rama.

Programi i socialistëve, sipas zotit Rama, është një program, që përfshin të gjithë shqiptarët, ndryshe nga mashtrimet – sipas tij – të kryeministrit.

“Duke votuar numrin 29, do çlironi edhe katragjyshin nga jeleku antiplumb, se do të shkojë në shtëpi. Atje le t’ua tregojë përrallat mbesave dhe nipërve, po t’u tregojë përralla për kalamajtë, si ‘Çufo dhe bubi kaçurrel’. Jo të tmerrojë e të tërbojë gjithë Shqipërinë me përralla për ditë e për natë. Rroftë Shqipëria dhe Partia Socialiste e Shqipërisë”, përfundoi Rama.

Top Channel