“Më thonë pastaj mos u merr me protestuesit”, Rama nxjerr videon nga tubimi në bulevard: Ky patrioti i Çamërisë, i dënuar tre herë në Belgjikë si trafikant droge Një delegacion i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës mbërrin
në Tiranë të hënën me misionin për të vlerësuar kuadrin elektoral dhe
fushatën përpara mbajtjes së zgjedhjeve të 23 qershorit.
Gjatë vizitës 2-ditore parashikohen takime me kryeministrin, kryetaren e kuvendit, ministrin e Brendshëm, përfaqësuesit e Shqipërisë pranë Asamblesë Parlamentare, kryetaren e KQZ-së, si dhe përfaqësues të partive që marrin pjesë në zgjedhje, të shoqërisë civile, medias dhe të trupit diplomatik në Tiranë.
Me përjashtim të socialistëve, 4 grupimet e tjera politike pranë Këshillit të Evropës përfaqësohen në përbërjen e këtij delegacioni. E djathta kryeson misionin me italianin Luca Volonte. Grupimi liberal përfaqësohet nga rumunia Alina Stefania Gorghiu. Konservatorët dërgojnë britanikun Jonathan Evans, i cili është raportues për Shqipërinë së bashku me Grigore Petrenco, ekstremist i majtë nga Moldova. Nga e njëjta familje politike është përzgjedhur edhe anëtari i 5të, Petros Tatsopuolos nga partia komuniste greke.
Këshilli i Evropës njofton se një delegacion më i plotë prej 27 anëtarësh do të vëzhgojnë procesin e votimit në vend para vlerësimit përfundimtar. Pergatiti: Arta TOZAJ
Zgjedhjet, PE dërgon 7 eurodeputetë në Shqipëri
Parlamenti Europian vendosi dërgimin e një delegacioni prej shtatë eurodeputetësh për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit në Shqipëri.
Sipas pjesëmarrësit të djathtë, Eduard Kukan, kreu i delegacionit për Ballkanin dhe atij të majtë Libor Rouçek, kreu i grupit të punës në PE për rajonin, ky mision pasqyron konsensusin mes grupeve kryesore politike të Parlamentit Europian, për mbështetjen e fortë dhe vëmendjen që meriton vendi, posaçërisht gjatë këtyre zgjedhjeve.
Në një deklaratë të përbashkët, Kukan dhe Rouçek thonë se egziston mundësia për satusin kandidat, por se asnjë qeveri apo parti politike nuk mund ta arrijë e vetme, duke nënvizuar kështu rëndësinë e konsensusit dhe dialogut ndërpartiak në Shqipëri, nën shembullin e miratimit të tre akteve të fundit në Parlament.
« Gjithsesi, prova thelbësore e pjekurisë politike të Shqipërisë dhe angazhimit ndaj vlerave të demokracisë do të jenë zgjedhjet », theksojnë eurodeputetët, sipas të cilëve përgjegjësia bie mbi të gjitha forcat politike dhe mbi shoqërinë shqiptare, për të garantuar një proces në përputhje me standartet europiane, të lirë, të ndershëm dhe me rezultate të pranuara si legjitime nga të gjithë.
« Në këtë kontekst jemi të shqetësuar nga polemika qe rrethon përbërjen e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Pavarësia e administratës zgjedhore, funksionimi profesional, transparent dhe jo-partizan i saj, është çelësi i proceseve të suksesshme zgjedhore demokratike. Të gjitha palët kanë përgjegjësinë për të siguruar besimin në proces, përndryshe do të jenë qytetarët shqiptarë që do të humbasin në këto zgjedhje », paralajmërohet në deklaratë.
Në përfundim, Kukan dhe Rouçek kujtojnë se të djathtët dhe të majtët në PE, megjithë dallimet mes tyre, qëndrojnë të bashkuar në mbështetjen ndaj integrimit të Shqipërisë, me shpresën se partitë simotra shqiptare do të dëshmojnë aftësinë për një perpektivë të ngjashme dhe afatgjatë. Përgatiti: Ernest BUNGURI
Top Channel