“Top-Story”, kandidatët e pavarur

05/06/2013 00:00

Në vazhdim të maratonës elektorale në “Top-Story, Shqipëria vendos 2013”, Sokol Balla ftoi në studio ata që do ta kenë absolutisht më të vështirë se të gjithë të fitojnë një mandat në zgjedhjet e 23 qershorit, kandidatët e pavarur.

Një ditë përpara se në studion e “Top-Channel”, përpara një grupi analistësh të jetë Ilir Meta (të enjten, 6 qershor), në vëmendjen e publikut u sollën dy prej figurave më të njohura të së majtës ndër vite, Arben Malaj e Dritan Prifti, përballë analistëve Skënder Minxhozi e Blendi Salaj.

Vendimi për të dalë të pavarur, Prifti: PS më premtoi se do të isha deputet. Malaj: Nuk mund të lija përgjysmë punën e nisur

I pyetur për modalitetet e konkurrimit dhe momentin kur vendosi që të merrte pjesë në këtë zgjedhje si deputet i pavarur në Qarkun e Fierit, Dritan Prifti deklaroi: “Mbledhja e firmave nuk ishte e vështirë, sepse përveç këtij fakti, kodi elektoral ka një avantazh për deputetët ekzistues, ndaj plotësohet kriteri i regjistrimit edhe pa firma. Për shkak të këtij kodi zgjedhor, nuk besoj se kishte vështirësi, ajo qëndronte në faktin për vendosjen e hyrjes së kësaj sfide”.

Siç shpjegoi ish-ministri, i bërë i famshëm në videoskandalin me protagonist atë vetë dhe Ilir Metën, ai kishte një premtim për të qenë pjesë e ekipit të “Rilindjes”, në Partisë Socialiste, prandaj kandidimi si i pavarur pati një kosto të madhe, për vetë faktin që e gjeti të papërgatitur për diçka të tillë. “Kisha pothuajse tre vjet që mendoja se do të isha pjesë e Partisë Socialiste në këto zgjedhje, për shkak të marrëdhënies me PS e premtimit të zotit Rama e personave të tjerë brenda Partisë Socialiste, por edhe për shkak të një bindje time të brendshme që isha i orientuar drejt atij formacioni, por ndodhi ajo që ndodhi, bashkimi me Metën, që vendosi kushtin që të mos isha pjesë e skuadrës. Kur je tre vjet i përgatitur është e vështirë që për punë ditësh të marrësh një kthesë e t’i futesh një sfide si kjo”.

Nga ana e tij, pas 22-vitesh në gjirin e Partisë Socialiste, edhe për Malaj, vendimi i konkurrimit i pavarur kishte një kosto të madhe dhe një moment reflektimi personal. “Sigurisht, nëse kolegu im kishte tre vjet që ishte përgatitur për të shkuar tek PS, unë kisha tre vjet që kuptoja, se përgjegjësia për t’i shërbyer vendit në radhë të parë i krijonte një lloj alergjie Ramës. Megjithatë, prej dy vitesh e gjysmë punoja me një grup të rinjsh, me një thelb debatin publik e demokratizimin e partisë, pa të cilin nuk mund të ndryshojë qeverisja e vendit, ndaj kisha kohë që përgatitesha të krijoja një bazë edhe më të madhe mbështetëse, në funksion të së majtës”.

“Një lab pyeti direkt Partisë Socialiste në një takim përpara disa ditësh: Malaj iku apo e përzutë? Fakti që vendimi i Ramës ishte personal, pasi nuk kishte hezitim nga strukturat e partisë në Qarkun e Vlorës për ta kandiduar Malajn, u justifikua nga ai vetëm që axhenda ime nuk i përputhej partisë. Por,  axhenda ime ka qenë publike, ka kërkuar pjesëmarrjen në Parlament që në fillim, duke mos pranuar bojkotin, ka kërkuar debat për ndryshimet kushtetuese dhe ka kërkuar votimin e tre ligjeve të integrimit që në fillim. Përse duhej që të vinte një parti tjetër në koalicion, si LSI-ja, që të votoheshin këto ligje, kur propozimin e bëra unë i pari brenda PS?”.

Shanset e të pavarurve për të fituar mandatin

Për ish-ministrin e Financave dhe mbajtjen e disa posteve të larta qeveritare përgjatë drejtimit socialist, “ishte e vështirë pasi unë i mbetem mirënjohës PS për mandatet që më ka dhënë, por unë i kam përdorur me përkushtim e dashuri maksimale në sfidat që ka pasur vendi. Tjetra, lëvizjen që kisha nisur me disa të rinj nuk mund ta braktisja, ashtu si lënien e mundësisë për të përfaqësuar Qarkun, vetëm sepse kryetari i radhës i partisë mori një vendim individual. Gjithashtu mendova se Partia Socialiste nuk e merr dot deputetin e tetë, ndaj mandati im do ia rrisë përmasat e mandatit të opozitës, duke shtuar edhe një të tetë në Vlorë, ndërsa përmirësohet cilësia e Parlamentit”.

Në vazhdim të analisës së tij politike, Malaj u shpreh i bindur në shanset e tij për të siguruar votat e mjaftueshme për të fituar një mandat të ri. “Partia Socialiste në vitin 2009 ka marrë mandatin e shtëtë dhe i shkuan dëm 4 mijë e ca vota. Që të marrësh më shumë vota duhet të bësh diçka të re dhe e reja në këtë garë është Dritani e unë. E para, e dyta, në Vlorë janë 377 mijë banorë, 234 mijë banorë me të drejtë vote e 110 mijë që realisht votojnë, ndërsa këtë herë shtohen në lista edhe 14 mijë votues të rinj që do të duan dicka të re. Fakti që për mua është një aktivitet publik i përhershëm, i nisur në kuadrën e PS, krijon majanë që krijon bazën e fitores. Unë jam i sinqetë me përfaqësuesit në Vlorë, pa mua apo me luftën ndaj meje, PS rrezikon të zbresë në garë, me një garë të ndershme dhe të lirë. Fitorja është e mundshme e opozita bëhet nga 7 në 8, me ndërhyrje e kërcënime do të zbresë në gjashtë”.

Në vlerësimin e tij të shkurtër, Minxhozi vlerësoi kurajon e deputetëve të pavarur dhe mbështeti pretendimet e tij për faktin që nuk e njeh ende arsyen për këtë përjashtim nga lista. Njëkohësisht, duke mirëbesuar pretendimet e Priftit për “paktin e shkelur” nga ana a Partisë Socialiste, Minxhozi hodhi dyshime mbi dobinë që do të ketë vota për të pavarurit dhe aftësitë e tyre për të mbrojtur votën.

“Që lëvizjet e reja krijojnë energji pozitive ky është një probabilitet i plotë. Duke bashkuar faktin që nuk gjej në vetvete një gabim, sepse mendimin ndryshe nuk e quaj ashtu, po ju tregoj një histori, që më tregoi një i moshuar në Tragjas. Në vitin 1925, një deputet i Vlorës u la jashtë listës nga Zogu, konkurroi si i pavarur dhe fitoi. Më pas ishte Zogu ai që kërkoi falje e absolutisht që besoj se kaq shumë vite më pas, gjërat janë përmirësuar”, replikoi Malaj këtë vlerësim të Minxhozit.

Ndërkohë, nga ana e tij, Dritan Prifti sheh shanse “të sigurta” për veten, duke u bazuar mbi vetë bazën e mbështetësve që ka në Fier dhe në faktin që sipas tij, në zgjedhjet e fundit arriti të fitonte në emër të LSI-së, edhe pse iu vodhën shumë vota. “Zhgënjimi nga dy partitë është shumë i madh. Jam përditë në kontakt me votuesit e ato që dëgjon nga goja e tyre nuk i dëgjon dot kurrë në Tiranë. Njerëzit e thjeshtë kanë një zhgënjim të thellë nga Berisha e Rama, me arsyetime të ndryshme, por mendoj se gati 30% nuk kanë më asnjë lloj ndjesie nga partitë e mëdha dhe e kanë kuptuar që në  20 e ca vite në demokraci, këto forca kanë ndarë pushtetin dhe nuk më duket më terreni aq i vështirë. Unë e shoh jashtë mase pozitive situatën e nuk e kisha besuar që do të pritej kandidimi im në këtë lloj mënyrë. Në takimet në qytete e salla nuk i nxënë sallat njerëzit, bëra një takim në kinoteatër në Fier, kisha 600 veta brenda e 1 mijë jashtë. Ndaj njerëzit sot kanë nisur të vlerësojnë personin më shumë se partitë, e kanë një respekt ndaj meje ata njerëz që kam ndihmuar dhe i kam qëndruar afër, ndaj kam bindjen që do të thyej rekordin absolut të votave që ka marrë ndonjëherë një i pavarur. Këtë e besoj se dhe kur konkurroja për LSI-në, ndonëse më vodhën me mijëra vota, mblodha mbi 11 mijë e ca, e kalova limitim me mbi 2 mijë e ca vota, ndërsa këtë herë ndiej që mbështetja ime është rritur me 50-60% më shumë”.

Të pavarurit, i shërbejnë të majtës apo të djathtës?

Ndonëse si Prifti, ashtu edhe Malaj kanë deklaruar publikisht se mandati i tyre është i së majtës, votat që ata do të grumbullojnë, nëse nuk fitojnë, mund të hyjnë në kalkulime të ndërlikuara, të uljes së pragut të marrjes së një deputeti ose faktit që disa mijëra vota të së majtës, mund të humbin. Të pyetur për atë që mendojnë rreth këtij mandati, dy kandidatët e pavarur përsëritën se nuk janë pjesë e këtyre llogarive dhe mbrojtën të drejtën e tyre për të kandiduar.

“E para, nuk ka përse të më vrasë ndërgjegja, pasi ndërgjegjia lidhet me detyrime që unë i kam realizuar, ndaj debati që ne kemi nisur publikisht është mandati për modelin, që PS duhet të fitojë garën, duke votuar për avantazhet e saj e jo duke kopiuar modelin Berisha. Kam thënë që është e domosdoshme të reduktojmë pushtetet absolute që janë në pak duar, përfshi ato të kryetarëve të partive që edhe ata duhet të bëjnë rotacion”, komentoi Rama.

Nga ana e tij, Prifti u shpreh prerazi: “Nuk më intereson fare se kujt i heq pikë kandidimi im, mua më intereson të marr pikët e mia. Jam futur në një garë për të marrë një mandat dhe të përfaqësoj njerëzit që besojnë tek unë në Parlament. Nuk bëj llogaritë se kujt ia heq e kujt ia marr, unë e di sot që i heq 70% të votave LSI pasi është një forcë që e kam krijuar vetë, hiq disa drejtorë që duan të rikthehen në vendin e punës e do e votojnë, të tjerët më janë afruar mua, ashtu si shumë të djathtë e të majtë e të tjerë. Besoj se votat e mia do të ndahen në 15% vota djathtas e majtas, e 70% vota nga persona e individuale, që i ikun LSI-së, ndaj s’më intereson fare se kujt i bëj dëm, më intereson të përfaqësoj njerëzit, asgjë më shumë”.

Dobishmëria e votës dhe kushtëzimet e mundshme

Analisti Skënder Minxhozi hodhi dyshimet mbi dobishmërinë e votës së hedhur për kandidatët e pavaruar. Ai tha se ky sistem nuk i favorizon të tilla kandidatura dhe shprehu dilemën për votat e të pavarurve nëse ata nuk arrijnë të marrin mandatin: “Ky sistem zhduku deputetët e lidhur me bazën. Por ajo që duhet trajtuar është votë e dobishme. Votë e dobishme që lidhet me mundësinë reale për të fituar një kandidat i pavarur. Nëse kandidatët që nuk do të fitonin, votat me këtë sistem që kemi, ku shkojnë? Dhe pyetja e dytë për kandidatët e pavarur, cfarë do të bëjnë me mandatin e tyre? Ka një angazhim paraprak që do të jenë përfaqësues të së majtës, por nëse do jeni përcaktues në balancat e qeverisë, deri ku do të shkojë kushtëzimi juaj për të mbështetur mazhorancën? Do kërkoni tjetër post vec deputetit?”, tha Minxhozi.

Pyetjeve të Minxhozit i pari iu përgjigj kandidati i pavarur në Qarkun e  Fierit, Dritan Prifti: “Është një specie në zhdukje deputeti që i qendron pranë elektoratit. Vërtet partitë duan të zhdukin këtë lloj deputeti, dhe kjo mjafton të shohësh listat e vendosura. Unë gjithë paraditen e kaloj duke pritur njerëz dhe dëgjoj njerëz që thonë që s’kanë bukë, s’kanë lekë të blejnë ilace. Forca ime në këtë fushatë janë këta njerëz, që nuk do lejojnë të zhduket nga politika një person që ndihmon njerëzit. Ndihma ndaj banorëve mund të interpretohet si një lloj kompensimi për votën, por unë këtë e kam bërë 12 vite rresht dhe nuk ka lidhje vetëm me fushatën.

Lidhur me mundësitë e një bashkëpunimi me Sali Berishën nëse e merr mandatin e deputetit, Prifti shtoi: “Nuk ka shans që të ketë bashkëpunim mes mandatit tim dhe Sali Berishës. Ndarja ime përfundimtare me Sali Berishës ka ndodhur më 21 janar. Pas zgjedhjeve unë mbështes Ramën kryeministër. Unë nuk i jap votë Ilir Metës në qeveri dhe as ndonjë anëtari G99 në kabinet. Sigurisht do të ketë kushtëzime. Vota ime do të mbrohet nga njerëzit e mi atje, por kam edhe një marrëveshje personale me zotin Ruçi për të më mbrojtur çdo votë timen”.

Edhe Malaj tha se mbështetësit e tij i ka në bazë dhe siguroi që mandati i tij do të jetë gjithmonë një mandat në rotacion dhe se me votën e tij nesër si deputet, nuk do të kushtëzojë kryeministrin, ndërsa sa për emrat e kabinetit tha se ata duhet të jenë emra që e meritojnë:

“Mbështetësit tanë janë të shumtë. Kam qenë pranë bazës. Unë e kam deklaruar se me mandatin tim shton përmasën dhe rrit cilësinë e fitores së opozitës. Mandati im do të jetë gjithmonë një mandat për rotacion politik. Asnjëherë unë nuk u kam devijuar vendimmarrjeve politike kundër interesave të zgjedhësve të mi. Si do të përdor mandatin? Mandati do të përdoret për ekonominë sepse situata është kritike. Duhet qeveri stabël dhe e besueshme, qeveri që të mbajë përgjegjësi dhe unë nuk mund të abuzoj me votën time si deputet. Nuk e shkëmbej mandatin tim të pavarur për qeverinë e majtë. Nuk i pengoj bisedimet, përkundrazi mendoj që e majta duhet të nisë që tani të mendojë për qeverinë. Nuk kam merak se kush do vijë kryeministër, por t’i dalë vendit për zot. Unë me votën time nuk kushtëzoj kryeministrin, dhe as ata që duhet të futen nëse e meritojnë, por qeveri të shokëve dhe miqve atë do të kushtëzoj. Kjo është përgjegjësia ime me mandatin e qarkut të Vlorës. Mandati im do jetë një kërkesë që qeveria t’i përkushtohet këtij vendi në mënyrë që t’i shërbejë qytetarit”.

Prifti: Opozita rrezikohet nga Ilir Meta

Prifti shtoi se nuk janë kandidatët e pavarur ata që rrezikojnë opozitën të mbetet në opozitë. Sipas tij, rreziku më i madh i opozitës së sotme është LSI dhe marrëveshja e fshehtë, sipas tij, Meta-Berisha: “Ka një rrezik që opozita e sotme të mbetet në opozitë dhe nuk jemi ne rreziku. Rreziku është vetëm Ilir Meta dhe marrëveshja e tij e fshehtë me Sali Berishën që të marrë votat majtas dhe të kalojë djathtas. Nuk ka njeri në Shqipëri që e njeh Ilir Metën dhe LSI-në më mirë se unë. I vetmi rrezik që opozita mos vijë në pushtet është Ilir Meta”.

Malaj u ndal tek ajo që ai e quajti përkeqësimi i cilësisë së kandidatëve për deputetë dhe lënia e shumë figurave të njohura publike jashtë listave të kryetarëve, si majtas ashtu edhe djathtas:  “Ajo që më shqetëson është fakti që krijimi i listave të kryetarëve, jo vetëm unë e Dritani jemi të përjashtuar, por ka edhe shumë kolegë të djathtë që janë përjashtuar, sepse është presioni i kryetarit ose i nënshtruar ose i përjashtuar dhe kjo e ka përkeqësuar nivelin e përfaqësuesve të qytetarëve dhe janë ata që do e vuajnë këtë”.

Roli i Nanos dhe LMN në fushatën e Malajt

Analisti dhe gazetari Minxhozi ngriti pyetjen mbi rolin e Nanos në fushatën e Arben Malajt dhe se si ndikon ai në këtë fushatë, pozitivisht apo negativisht. Malaj u përgjigj: “Thelbi i kësaj që po ndodh nuk është marrëdhënia me Fatos Nanon. Unë jam krenar që në përiudhë të vështirë u mandatova si Ministër Financiash dhe e nxorrëm këtë vend nga një luftë civile dhe në 2005 me 250 mln dollarë projekte gati për t’u investuar. Një nga avantazhet që mburret edhe sot PS është modeli që ne krijuam për rotacion politik në 2005 na pëlqen apo jo. Në fushatë cdo kontribut duke filluar nga Nano, dhe cdo njëri tjetër i PS që nga 1991 për ta modernizuar atë është i mirëpritur”.

Analisti tjetër i pranishëm në panel, Blendi Salaj deklaroi se shkaku i vërtetë i lënies së Malajt jashtë listës së PS-së ishte prishja e tij me Ramën që me të ashtuquajturën “Lëvizje për Mendim Ndryshe” brenda socialistëve.

“LMN ishte lëvizja më e mirë dhe mendoj që duhet të vazhdojë. PS ka një avantazh, ka njerëz të mirëarsimuar. Nuk kishte faj Arben Malaj që kishte 7 vjet që nuk mblidhej FRESSH, nuk ishte faji im që një protestë me djegie gomash në rrugë nuk zgjidh problem, nuk jep rezultat. C’kusur kanë këta njerëz të shikojnë teatër me këtë politikë”, tha Malaj.

Por a dështoi apo pati sukses lëvizja? “Unë mendoj që nuk ka dështuar dhe ne synuam të hapim një debat publik. Të parin e kemi hapur ne për ndarjen e mandateve, për kufizimin e numrit të mandateve. Puna është të ketë debate”, shtoi Malaj.

Përse Malaj nuk institucionalizoi lëvizjen e tij brenda PS-së duke kandiduar për kryetar partie? “Unë nuk kam nguruar për të konkuruar. Kam konkuruar me Metën kur ai ishte kryeministër i Shqipërisë. U tërhoqa sepse Rama filloi fletë-rrufetë dhe gara nga një garë konkurentësh rrezikonte të shndërrohej në një luftë armiqsh. Shumë persona janë tërhequr nga gara për të mos përcarë partinë”, u përgjigj Malaj.

Nëpërmjet një letre publike të lexuar nga kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, PS i bëri thirrje Malajt të tërhiqet nga gara për të kandiduar si i pavarur.

“Këshilla ime për Gjikën është që të shikojë punët e bashkisë dhe të lërë punët e partisë. Nuk e di pse deklaratën e lexoi Shpëtim Gjika kur atje ka kryetar partie, ka kryetar të degës së partisë, fundja mund ta lexonte vetë Rama që kryeson listën për qarkun e Vlorës. Ky vend duhet të ketë sa më pak strategji shpifëse dhe baltosëse. Duhet të ketë një strategji pozitive. Fushata ime nis në 6 të mëngjesit me tone pozitive. Në asnjë rast unë dhe stafi im nuk kemi lëshuar një deklaratë përbaltëse dhe shpifëse. Kryetari i PS mund të jetë një ndër rastet unike ku në vend që të luftojë Berishën, sulmon kandidatët e pavarur. Unë s’kam komunikim me Ramën, unë nuk kam asgjë personale me Ramën”, u përgjigj Malaj.

Shanset e të pavarurve për të fituar

Skënder Minxhozi shprehu skepticizmin e tij në lidhje me mundësitë reale të kandidatëve të pavarur për të fituar zgjedhjet:  “Ndjej vështirësi të shpreh skepticizmin për dy njerëz që janë pjesë e një fenomeni kaq të izoluar në politikën shqiptare, sepse politika jonë është politikë e llogoreve të mëdha. Dy zotërinjtë besoj kanë përpara një sfidë shumë të vështirë. Unë e shoh jashtëzakonisht sfiduese rrugën e tyre drejt marrjes së një mandati sepse loja politike në fushatë do të bëhet shumë e egër sidomos javën e fundit. Gjasat janë që ritmi i përmbajtur i qeverisë do të ndryshojë javën e fundit,po ashtu edhe kundërpërgjigjja e opozitës”, tha Minxhozi.

Analisti Salaj deklaroi se PS duhe të tregohet më liberale ndaj këtyre dy kandidatëve, ndërsa kandidati Dritan Prifti shprehu bindjen në fitoren e mandatit të tij duke sjellë si shembull fushatën e 2009-ës. “Për mua në këtë fushatë nuk ka asgjë të re. Kam qenë në këtë pozicion edhe në 2009, më sulmonte PS, më sulmonte PD dhe mora mbi 2 mijë vota më shumë se sa ishte e nevojshme marrja e mandatit. Nuk kam asnjë lloj dyshimi për marrjen e mandatit”, tha Prifti.

Edhe Malaj shprehu bindjen për fitoren e mandatit të tij: “Nëse ka një vend ku cilësia e listës është përkeqësuar ajo është në Qarkun e Vlorës, pavarësisht se atje është Rama në krye të listës. Nga kjo fushatë unë kam kuptuar një gjë, kjo fushatë nga ana njerëzore, që njerëzit ndjejnë një farë mënyre detyrimin për të të takuar kur nuk je pjesë e asnjë partie. Unë do synoj nga 8500 deri në 10 mijë vota”, tha Malaj.

Top Story u mbyll me parashikimin e Dritan Priftit se e majta, bashkë me mandatin e tij dhe të Malajt si të pavarur nuk shkon më shumë se 72 mandate.

“Nuk besoj se e majta merr më shumë se 72 deputetë përfshirë këtu edhe mandatin tim dhe të zotit Malaj”, tha Prifti.

Top Channel