SHBA, nën hetim “mbreti” i kazinove

05/06/2013 21:35

Sërish telashe gjyqësore për Sheldon Adelson, një prej miliarderëve më të pasur të kumarit në Las Vegas.

Pronar i një prej zinxhirëve më të mëdhenj të kazinove në Shtetet e Bashkuara, “Sands Corp”, Adelson do t’i duhet të paraqitet përpara një jurie të madhe në Los Anxheles pasi dyshohet se ka pastruar shuma të mëdha parash.

Ai njihet gjithashtu si një nga sponsorët kryesorë të fushatës së Mitt Romney në vitin 2012, si dhe i së djathtës izraelite të kryeministrit Benyamin Netanyahu dhe kolonizimit të Territoreve Palestineze.

Hetimi ndaj Adelson drejtohet nga një prokuror amerikan i Los Anxhelesit, i cili flet për një përshkallëzim të pastrimit të parave nga manjati i kazinove dhe dy prej bashkëpunëtorëve të tij.

Këtë e ka bërë të ditur një person i afërt me hetimin, por që ka kërkuar të ruhet aninimati pasi nuk ishte i autorizuar të fliste për punën e jurisë së madhe.

Hetuesit janë fokusuar për të zbuluar nëse kompania “Sands Corp” ka shkelur ligjin e pastrimit të parave duke mos deklaruar shuma milionere, të cilat janë fshehur përmes transferimit të parave disa vite më parë nga dy bashkëpunëtorët e tij në rrjetin e kazinove.

Të dy personat në fjalë janë akuzuar veç e veç për krime të tjera dhe njëri prej tyre më parë është dënuar edhe me burgim për pranim ryshfeti.

Juritë e mëdha përdoren zakonisht nga prokurorët për të marrë dëshmi nga dëshmitarë apo persona të rrezikuar, si dhe për të kërkuar dokumente në rast hetimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA