KE: Liria e medias, e rëndësishme

05/06/2013 20:00

Ndaj vendimit të KQZ që mediat të pasqyrojnë fushatën vetëm përmes kasetave të ofruara nga partitë politike ka reaguar edhe Komisioni Europian, përmes zëdhënësit të komisionerit Shtefan Fyle.

Në një intervistë për Top Channel, Peter Stano tha se Komisioni Europian po shqyrton në detaje vendimin e KQZ-së dhe kujtoi se liria e medias është një prej vlerave dhe parimeve bazë të Bashkimit Europian, e cila duhet të garantohet dhe jo të kufizohet.

TCH: Cili është qëndrimi juaj mbi vendimin e KQZ për të detyruar mediat që të transmetojnë kasetat e gatshme të partive politike për fushatë zgjedhore?

Peter Stano: “Ne jemi në dijeni të këtij vendimi të KQZ-së dhe gjithashtu për reagimin nga shoqata e gazetarëve në Shqipëri. Aktualisht ne po shqyrtojmë detajet e këtij vendimi, për të parë se a përputhet ai me masat për të garantuar lirinë e medias në vend, si dhe sa përputhet me standartet dhe parimet në këtë fushë”.

TCH: A është ky vendim në përputhje me standartet e medias dhe mbi të gjitha me vetë rolin e KQZ-së dhe pritshmëritë e BE-së për mirëfuksionimin e institucioneve demokratike, një prej kushteve për statusin kandidat?

Peter Stano: “Ne e kuptojmë mirë ndjeshmërinë e situatës, veçanërisht në këto momente të fushatës zgjedhore. Kur flasim për lirinë e medias, ajo që është e rëndësishme për ne është që të garantohet se në çdo kohë dhe posaçërisht para zgjedhjeve, mediat të mund të veprojnë të lira, pa asnjë lloj ndërhyrjeje. Por siç e thash, ne po e shqyrtojmë vendimin e KQZ-së në detaje, për të parë a përputhet apo jo me rregullat standart”.

TCH: A duhet të paguajë media “çmimin” e pavarësisë nëpërmjet gjobave të një institucioni të ashtuquajtur të pavarur?

Peter Stano: “Nga pikëpamja e Bashkimit Europian në përgjithësi, është e rëndësishme që media të mund të veprojë e lirë. Liria e medias është një prej vlerave dhe një prej parimeve të Bashkimit Europian dhe është edhe pjesë e proçesit të integrimit që pasqyrohet ç‘do vit në raportet e progresit, për të gjitha vendet e këtij proçesi. Vetëm pas pak ditësh do të ketë një konferencë të posaçme kushtuar lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes në vendet e Ballkanit dhe në Turqi, e këto çështje do të diskutohen gjithashtu edhe aty. Mendoj se po i kushtojmë mjaft vëmendje dhe po përpiqemi të ngulisim tek partnerët tanë mesazhin se sa e rëndësishme është që të sigurojnë se media po vepron në një klimë lirie, dhe që liria e medias dhe liria e shprehjes të garantohet, dhe jo të kufizohet”.

Ndërkohë që Komisioni Europian po shqyrton detajet e përputhjes, së vendimit të KQZ-së me standardet dhe parimet e medias së lirë, TCH risjell në vëmendje vlerësimin e bërë nga vetë KE, në raport-progresin e vitit 2011, për ato media që nuk respektuan të njëjtin “detyrim  ligjor”, gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale të majit.

“Mediat ofruan mbulim të gjerë të zgjedhjeve lokale të majit 2011 dhe disa kompani ndërmorën një hap drejt rritjes së pavarësisë, duke mos transmetuar kasetat e gatshme të ofruara nga partitë politike”, thuhet në raport-progresin e dy viteve më parë.

(Përgatiti: Arta TOZAJ)

Biba: KQZ përsëriti gabimin

Për të diskutuar vendimin e Komisionit Qendor të Zgjedhjeve për të detyruar televizionet private të transmetojnë aktivitetet elektorale të partive politike me kasetat që ato sjellin vetë, në studion e edicionit qendror të lajmeve në Top Channel ishte i ftuar Denar Biba. Ish-nënkryetari i KQZ-së iu përgjigj pyetjeve të gazetarit Ilir Paço.

Ilir Paço: Zoti Biba, si e komentoni vendimin e 4 anëtarëve të KQZ-së për të detyruar televizionet private të transmetojnë materialet filmike të fushatës të ofruara nga vetë partitë? A është ky vendim në përputhje me nenin e kodit për këtë cështje?

Denar Biba: “Vendimi mund të kishte shkuar shumë përtej. Një vendim i ngjashëm nën drejtimin e Ristanit dikur, është goditur në Kolegjin Zgjedhor dhe ka një vendim gjyqësor për këtë, ku është goditur një vendimmarrje e tillë. Në këtë vështirm KQZ nuk kishte si përsëriste të njëjtin gabim. Vendimi lë për të dëshiruar në aspektin ligjor. Ligji parashikon daljen e një udhëzimi për mediat private në fushatë dhe ky vendim nuk është marrë nga KQZ. Sic duket funksionimi me 4 anëtarë ndikon në vendimmarrjen e këtij institucioni”.


Ilir Paço
: A është një kapërcim i vendimit të Kolegjit kjo vendimmarrje e re e KQZ-së?

Denar Biba: “Ka një vendim krejtësisht në kundërshtim me një vendim gjyqësor të mëhershëm. Në Shqipëri mirë apo keq precedenti gjyqësor nuk funksionon dhe organet e administratës mundet të interpretojnë vetë ligjin, por s’kishte pse KQZ të përsëriste një gabim të mëparshëm”.


Ilir Paço
: A ka paqartësi në Kod në lidhje me pasqyrimin mediatik të fushatës zgjedhore?

Denar Biba: “Mendoj se legjislatori duhej treguar i kujdesshëm duke njohur praktikën e mëparëshme, e kritikuar edhe nga ndërkombëtarët. Do të ishte mirë që KQZ ta lexonte këtë ligj që e përsërisim mund të ishte shkruajtur më mirë në këtë drejtim, ta lexonte konform Kushtetutës. Neni 22-23 i Kushtetuës parashikon lirinë e medias. Ajo që duhet të bëjë KQZ është ta lexojë ligjin në frymën e Kushtetutës”.

Top Channel