Berisha në Shijak, sulmon Ramën

05/06/2013 23:50

Kryeministri Berisha ka vazhduar, në fushatën e tij elektorale, të sulmojë planin e socialistëve për heqjen e taksave, të pesë ushqimeve bazë.

Sipas kreut të demokratëve, heqja e këtyre taksave do ta kthente vendin në Republikë bananesh, që nuk prodhon asgjë.

“Ata që mbjellin miliona hektarë grurë, kanë kosto disa herë më të ulët, se sa ai që mbjell 1 apo 2 hektarë, dhe po i hoqe TVSH-në, ai është i gatshëm të dyndet me grurin e tij nëpër porte. Konteinerë me qumështin e lopëve dhe qumështin pluhur, që subvencionohet 3 euro në ditë për lopë, do të dyndin Shqipërinë dhe ne do të shndërrohemi gradualisht në Republikë bananesh, duke mos prodhuar asgjë vet”, tha Berisha.

Kreu i PD-së, duke sulmuar liderin e majtë, tha se alternativa e tij është mavi, si autobusi që udhëton.

“Është alternativë kazani, sharjeje, mallkimesh, kërcënimesh, nuk ia vlen të merremi me to, le ta lëmë atë në autobusin mavi. Një burrë 50-vjeçar që beson dhe ka moralin se mund të fyejë të tjerët për vitet e moshës, është ai që është, më mirë të mos merremi me të, të ecim përpara dhe të votojmë 44-n”, shtoi Berisha.

Kampusi i ri universitar
Berisha: Ky universitet do të jetë diamant për Durrësin

Më pas, kryeministri inauguroi godinën e parë të kampusit univeristar “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ku vlerësoi ndryshimet e arsimit të lartë, në periudhën që ai ka qeverisur vendin.

“Shqipëria deri para vitit 2005, 2/3-at e ëndrrave universitare të të rinjve të vet i shkatërronte, atyre nuk u jepej mundësia të ndiqnin universitetet, vetëm e vetëm se gërshëra e shtetit përcaktonte me arbitraritet të papranueshëm, një numër jashtë të cilit askush nuk mund të dilte. Ai ishte një proces, për hir të së vërtetës, aspak transparent. Po lexoja një ditë një raport të Bankës Botërore. Njoftonte se në vitin 2001, në Shqipëri u diplomuan gjithsej, nga një komb 3 milionë banorësh, 6 mijë vajza dhe djem. Në vitin 2012 u diplomuan 25 mijë vajza dhe djem. Të quash sot piramida, universitetet e vendit, është një absurditet shumë i madh”, përfundoi Berisha.

Top Channel