“Berisha me premtime të vjetra”

05/06/2013 23:35

Në Gramsh, Edi Rama premtoi sërish zgjidhjen e çështjes së pronës, si një element thelbësor – siç tha ai – në programin për një Rilindje shqiptare, e nga krahu tjetër ironizoi premtimet e kryeministrit Berisha.

“E kemi vendosur në programin tonë, që do të japim çertifikatën e tokës për të gjithë familjet e zakonshme, që jetojnë në fshat dhe do të bëhen pronarë të tokës së tyre. Gjyshi me antiplumb iu thoshte sot atyre në Shkodër, se do t’ia jepte çertifikatën brenda vitit. Po si ka mundësi, që nuk ia ke dhënë o zotëri këto 8 vjet që ishe në pushtet? 8 vjet ta dhanë votën, pikërisht për çertifikatën, nuk ua dhe. Ta dhanë, që të prodhonin me kosto më të ulët, sot prodhojnë me kosto më të lartë se çmimi. Ndaj dhe ne do të ulim të gjitha taksat për prodhimin bujqësor”, u shpreh Rama.

Diferenca mes dy programeve, sipas liderit të opozitës, është mëse e qartë dhe e dallueshme nga të gjithë shqiptarët.

“Ne themi se do heqim akcizën e naftës, taksën e qarkullimit të naftës, taksën për plehërat kimik dhe për farërat, ndërsa Saliu del e thotë se do ua japë lekët në dorë. Por, a ka më shqiptarë, që të besojnë se ka më lek në dorë nga Saliu? A ka më ndonjë shqiptar të besojë, se ajo dorë mund të japë ndonjë lek për ndonjërin në nevojë, për ata që përmbyten, për ata që vuajnë, për ata që varfërohen, për ata që shohin prodhimin t’iu kalbet në mes të fushës. Kush e ha më përrallën e lekëve në dorë nga Saliu?”, shtoi më tej Rama.

Kryesocialisti nuk kurseu akuzat ndaj qeverisë për vendosjen e avionëve falas të një kompanie për emigrantët, që të vijnë të votojnë PD-në në 23 qershor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA