“Rezultate reale pas 4 vjetësh”

04/06/2013 23:40

Në Ersekë, kryesocialisti Edi Rama tha se 23 qershori është dita, kur shqiptarët do të zgjedhin mes rrënimit të mëtejshëm dhe rilindjes së një vendi me mundësi të mëdha.

“Të gjithë ata që kanë dyqanet këtu rreth e rrotull, le të jenë përkrahës të çfarë partie të duan, le të mbajë tesrën e çfarë partie të duan, në 23 qershor duhet të vendosin se çfarë do të bëjnë me votën e tyre. Do të mbajnë në punë një gjysh me antiplumb, që po shkatërron me taksa dyqanet e tyre, apo do të votojnë programin që heq taksën e biznesit të vogël dhe përgjysmon tatimin e fitimit”, tha Rama.

Sipas Edi Ramës, qeveria e ardhshme e majtë do të mbajë premtimet dhe do të vijë në fushatë pas katër vitesh me rezultate reale.

“Do të ndiheni më mirë, sepse nuk do të ketë më toka, që nuk ujiten, që nuk kulloten. Nuk do të ketë më prodhime, që kalben mbi tokë, sepse nuk mund të dalin në treg. Nuk do të ketë më mësues, të cilët jetojnë me frikë në zemër dhe që janë nëpër klasa me vendimin e partisë, por mësues që do t’i zgjedhim bashkarisht, qeveria dhe komuniteti i prindërve, dhe që do të jenë kujdestarët e mëdhenj të një brezi të ri, që ne e duam të shkolluar e të ditur, një brez qytetarësh që nesër do të jetë i lirë dhe i barabartë në Bashkimin Europian, dhe jo qytetarë të dorës së dytë e të tretë, që nuk dinë të lexojnë e të shkruajnë. Rrofshin të gjitha familjet e ndershme e punëtore të këtij qarku, që jetojnë me tokën dhe që meritojnë, mbas 23 qershorit, një qeveri që të lartësojë dinjitetin e punës dhe emrin e Shqipërisë. Rroftë Shqipëria!”, u shpreh Rama.

Top Channel