Muri i Podesta-s dhe izolimi i dytë i Shqipërisë

01/06/2013 00:00

Andrea Stefani – Enver Hoxha e izoloi Shqipërinë nga bota me tela me
gjemba, me ushtarë dhe qen kufiri. Pse? Sepse nuk donte që e vërteta mbi
shtypjen, mbi burgosjet, mbi diktaturën të përhapej nëpër botë. Enver
Hoxha donte që bota të besonte se Shqipëria ishte një demokraci dhe se
shqiptarët jetonin nën regjimin e tij të lumtur, me të drejta dhe liri
të garantuara.

Prandaj diktatori bllokoi lëvizjen e njerëzve, madje deri valët televizive për të ngritur murin e madh të izolimit. Që bota të mos mësonte e kuptonte të vërtetën për shqiptarët, por as shqiptarët të mos mësonin e kuptonin të vërtetën për botën.

***

Mbi dy dekada pas rënies së komunizmit nuk ka më tela me gjemba, nuk ka më bllokim valësh televizive, turistët e huaj nuk pengohen të vijnë në Shqipëri. Madje ftohen. As shqiptarët nuk pengohen të dalin. E megjithatë, e vërteta mbi natyrën e regjimit që po instalohet, nuk po arrin të depërtojë atje ku duhet, në qarqet e larta të Uashingtonit dhe Brukselit. Kryeministri Sali Berisha, një sekretar partie në kohën e komunizmit dhe mjek i udhëheqjes partiake, ia ka arritur që ta izolojë Shqipërinë dhe të bëjë që e vërteta mbi regjimin autokratik që po përpiqet të instalojë, të trukohet me anë të dezinformimit. Taktika nuk është e re. As e panjohur për shqiptarët. Diktatori Hoxha përdori bllokimin e informacionit. Berisha, duke mos pasur mundësi ta bëjë një gjë të tillë, po përdor gënjeshtrën. Por e përbashkëta e tij me diktatorin mbetet. Enveri përpiqej që diktaturën e proletariatit ta paraqiste si “demokraci proletare”. Berisha po përpiqet që regjimin despotik që po instalon me anë të kapjes së të gjithë pushteteve, ta shesë si “demokraci funksionale”. Dhe jo pa sukses. Prej vitesh një proces regresiv i rrëshqitjes praptazi drejt një regjimi autokratik, ekspozohet në raportet e ndërkombëtarëve paradoksalisht si një progres drejt integrimit me Bashkimin Europian! Progresi është bërë makiazh i regresit, demokracia makiazh i autokratizmit.

 

***

Ashtu si Enver Hoxha dje, Sali Berisha sot ka ngritur një mur që izolon nga bota të vërtetën për Shqipërinë. Jo me tela me gjemba, por me lobime të shtrenjta në zyrat e Uashingtonit dhe Brukselit, me aktivizimin në ambasadat e Shqipërisë të një diplomacie fanatike që i shërben pushtetit të tij dhe jo shtetit. Në publikun shqiptar ka një opinion të përhapur gjerësisht që Berisha ka arritur të fashisë kritikën e pritshme të Perëndimit për aksionet e tij autokratike, deri edhe me korruptim të figurave të ndryshme të politikës dhe diplomacisë perëndimore që mbulojnë Shqipërinë. Pjesë e taktikës së Berishës për të mbytur të vërtetën për sa ndodh në Shqipëri, është edhe presioni i egër, në nivele deri edhe brutaliteti, që ai ushtron mbi çdo ambasador të Perëndimit në Tiranë, që guxon të shprehë ndonjë kritikë për çka ndodh në Shqipëri. Një tjetër manovër është gatishmëria e tij për të bërë në favor të qeverive të SHBA-së apo BE-së, shërbime që shtetet dhe qeveritarë të tjerë nuk janë të gatshëm t’i ofrojnë. Mjafton që ta lënë të qetë të mbysë pa zhurmë dhe demokratikisht lirinë në Shqipëri.

 

***

Duke vepruar me shkathtësi në hapësirat ku ndahen dhe përplasen interesat e individëve dhe shteteve, ky Cezar “demokrat” ka arritur të përçajë edhe ndërkombëtarët në qëndrimet e tyre ndaj Shqipërisë. Tashmë e majta dhe e djathta europiane kanë qëndrime krejt të kundërta pro ose kundër lidhur me çka ndodh në Shqipëri. Pak a shumë e tillë është edhe gjendja me të djathtën dhe të majtën në SHBA. Një shembull elokuent i kësaj dukurie, qe gjithçka sapo pamë nga vizita e Jonathan Moore, ndihmëszv/sekretar i Departamentit Amerikan të Shtetit (DAP). Pritshmëritë e larta të një pjese të publikut se SHBA do t’i tërhiqnin veshin Berishës që rivendosi një shumicë besnike në KQZ me anë të dhunimit flagrant që i bëri Kodit Zgjedhor duke shkarkuar, pa u bazuar në asnjë nen të tij, një anëtar të KQZ, u zhgënjyen keqas. Vizita e Moor zbuloi, gjë që habiti jo pak shqiptarë, përçarjen e diplomacisë së SHBA mbi zhvillimet në Shqipëri. Ajo çka Moor formuloi “diplomatikisht” lidhur me krizën e KQZ, binte qartazi krejt në kundërshtim me paralajmërimet e dhëna pak kohë më parë Tiranës nga ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, për rrezikun e një kursi përplasjeje me SHBA. Në fakt, episodi nuk është pa precedent edhe në të shkuarën e afërt. E njëjta diskordancë është vënë re mes DAP dhe ambasadës së SHBA në Tiranë gjatë kohës kur ajo drejtohej nga John ëithers. Në atë kohë kabllogramet e ëithers drejtuar Uashingtonit me alarm për kapjen e pushteteve nga Berisha, neutralizoheshin nga deklarimet për “demokracinë funksionale” që Cantrymen, paraardhësi Moor në DAP, lëshonte gjatë vizitave në Tiranë. Me një ngjashmëri si veza-vezës është edhe qëndrimi i Berishës ndaj ambasadorëve “rebelë”. Ai e kërcënoi haptazi ambasadorin ëithers, duke bërë të qartë se do të ankohej tek eprorët e tij për mosmarrëveshjet mes tyre. Një kërcënim që i bëri të struken jo pak ambasadorë perëndimorë në Tiranë. Aq më tepër kur, edhe sot e kësaj dite, përflitet se ëithers është nxjerrë para kohë në pension. E kush është i gatshëm të rrezikojë humbjen e karrierës për hatër të demokracisë në një vend të humbur si Shqipëria?

***

Shkurt, Berisha ia ka dalë të përçajë jo vetëm shqiptarët, por edhe amerikanët! Dhe kjo “magji” besohet se është realizuar me anë të lobimeve të kompanive të specializuara si Podesta, të cilës, prej disa vitesh, Kryeministri i vendit më të varfër të Europës, i paguan kontrata të majme. Në këtë kuptim themi se Moor-i nuk është veçse një tullë më shumë te muri i Podesta-s, me të cilin Berisha ka rrethuar të vërtetën në Shqipëri. Një mur që i jep mundësi ta paraqesë regjimin autokratik që po ngre si “demokraci”. Një teknikë që na kujton jo vetëm Enverin, por edhe Hitlerin. Ky i fundit ngriti një kamp përqendrimi model të quajtur Terezinshtad, ku gazetarët e huaj ishin të lutur të vinin që të shikonin dhe t’i raportonin botës, trajtimin korrekt të të dënuarve. Dhe nuk është se Perëndimi nuk u mashtrua. Të paktën për disa vjet. Ose më saktë, deri në momentin kur regjimi hitlerian u fuqizua deri në atë shkallë, sa u bë i rrezikshëm edhe për vetë Perëndimin.

Gazeta “Shqip”

Top Channel