Risia e këtij viti, instalimi i zhurmuesve dhe detektorëve në shkolla
mendohet se do të “zhdukë” njëherë e mirë manovrat për kopje. Jo më kot
matura e këtij viti është quajtur matura më e “armatosur” ndonjëherë, në
vitin e tetë të përvojës së saj në arsimin shqiptar.
Por pavarësisht jehonës që iu kushtua kësaj risie, administratorët e maturës, një pjesë e tyre, thonë për gazetën “Shqip” se zhurmuesit nuk janë funksionalë.
Pas rreth 1 jave trajnim mbi përdorimin e pajisjeve, që vihen në dispozicion të procesit të maturës sivjet për herë të parë, 2 mësues të një prej shkollave të mesme të kryeqytetit dyshojnë se zhurmuesit nuk punojnë.
“Unë jam pjesë e procesit të Maturës Shtetërore që prej vitit 2009, si administrator. Kam besuar gjithmonë në rëndësinë që ky proces ka si për nxënësit ashtu edhe për mësuesit, por sidomos për transparencën dhe cilësinë që synon ai. Kam dyshimet e mia për mënyrën e implementimit, madje kam kërkuar herë pas here të vërehen me kujdes rregulloret që miratohen vit pas viti, ndonëse janë të njëjtat vazhdimisht. Ndryshimi i vetëm thelbësor mendoj është ky i këtij viti, instalimi i aparaturave që bllokojnë valët e celularit, objekt kopjesh në pjesën më të madhe të rasteve. Mirëpo në këtë pikë ka një problem. Çuditem kur përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit e quajnë arritje instalimin e zhurmuesve dhe detektorëve në qendrat e zhvillimit të provimeve, sepse sidomos zhurmuesit nuk punojnë. Një javë më parë MASH testoi aparaturat për të verifikuar gjatësinë e valës, por rezultoi që ato nuk ishin funksionale”, tha per “Shqip” mësuesi i matematikës, administrator i maturës në shkollat e mesme të Tiranës prej 4 vjetësh.
Ai është i shqetësuar për këtë fakt. Flet me rezerva për paratë e shpenzuara, që sipas tij kanë shkuar dëm, ndërsa nuk ngurron të ngrejë dyshime mbi të gjithë këtë situatë që ai e quan skenar për të futur paratë në xhepin e tyre, jo për t’i vënë në shërbim të cilësisë.
“S’di çfarë ta quaj ngjarjen e ndodhur, përveçse një skenar të planifikuar mirë e mirë për të shtuar para në llogaritë e tyre. Unë jam mësues prej 34 vjetësh. E dashuroj arsimin, për këtë arsye kam investuar jetën time në shërbim të nxënies së nxënësve, por kjo është e padrejtë. Gjoja paskan instaluar zhurmues, që në të vërtetë i kanë instaluar, sepse kam qenë vetë i pranishëm, nga ana tjetër nuk punojnë. Kjo do të thotë se kopja si koncept është legalizuar nga vetë Ministria e Arsimit, e cila nuk po nxit eliminimin, por motivimin e saj. Aparaturat janë fiktive në këtë rast. Ngremë dyshime për zhvillimin e tenderit, nëse ka pasur ose jo një të tillë, nëse është marrëveshje e kompanisë fituese me MASH-in për disa para më shumë”, theksoi mësuesi i matematikës.
Nga njëra anë, zyrtarët e Ministrisë së Arsimit që bëjnë me dije detajet e testimit të aparaturave, që sipas tyre rezultoi i suksesshëm, sepse parametrat e tyre përputheshin me pritshmëritë e tyre. Madje, specialistët në këtë institucion theksuan se matura e këtij viti do të jetë më e arritura ndonjëherë, sepse nuk do të ketë më kopje, për rrjedhojë nxënësit do të marrin notën që u takon, pa lënë vend për abuzime. Nga ana tjetër, administratorët e maturës së këtij viti të pranishëm në trajnimin që u mësoi atyre përdorimin që thonë se zhurmuesit nuk punojnë.
Fondi që MASH-i kishte parashikuar për blerjen e aparaturave, që bllokojnë valët e celularëve dhe konstatojnë mjetet elektronike që nxënësit fshehin në xhepa, ishte 200 mijë euro, ndërsa firma fituese ia ka shitur këto pajisje për 120 milionë lekë të vjetra.
Top Channel