Kur kanë kaluar më shumë se 3 muaj nga vrasja e modeles Reeva Stenkamp, e cila u qëllua nga i dashuri i saj, Oscar Pistorius në tualetin e shtëpisë së tij, bëhen publike imazhet tronditëse të banjos së përgjakur.
Fotot e shkrepura nga grupi hetimor që mbërriti në shtëpinë e atletit paralimpik pas vrasjes së modeles, tregojnë dyshemenë e tualetit dhe pjesë të korridorit me mbuluara nga gjaku.
Është hera e parë që fotot ku tregohet vendi i ngjarjes që tronditi jo vetëm Afrikën e Jugut, por mbarë botën, bëhen publike. Në to shihet qartë xhami i thyer nga plumbat i derës së banjos me shenjat e vendosura nga policia që tregojnë trajektoren e predhës së dalë nga pistoleta e atletit paralimpik.
Trajektorja e predhave përputhet me pretendimin e avokatëve të Pistorius dhe dëshmisë së tij para gjykatës se i ndodhur pa protezat e tij dhe përballë frikës së në banesë kishte hyrë një grabitës, kishte qëlluar pa u menduar dy herë.
Por akuza thotë se Reeva u mbyll në banjon e banesës pas një zënke me Pistorius, ndërsa ky i fundit pati kohë për të vendosur protezat e tij dhe ta qëllojë atë për vdekje me 3 plumba.
Në foto tregohen gjurmë gjaku edhe nëpër mur dhe nëpër shkallë, të cilat, sipas dëshmisë së Pistorius janë bërë pasi ai tërhoqi trupin e Reeva-s në katin e parë në pritje të mbërritjes së ambulancës.
Publike është bërë edhe imazhi i dhuratës së pahapur të Shën Valentinit që Reeva kishte përgatitur për të dashurin e saj dhe zarfin me mbishkrimin “Ozzy” (kështu e thërriste modelja Oscar-in) përsipër.
Gjyqi ndaj Pistorius, fitues i disa medaljeve paralimpike dhe rekordmen në këtë lojëra të organizuara në Londër vitin e kaluar, vazhdon ende. Vetë atleti i gjymtuar mundi të sigurojë gjykimin në liri, ndërsa procesi është në qendër të vëmendjes nga opinioni publik vendas.
Top Channel