Ndërsa fushata elektorale është duke u bërë gjithmonë më e nxehtë, kur mbetet më pak se një muaj nga votimet e përgjithshme, ishte programi e shanset mazhorancës aktuale të kryeministrit Berisha për një mandat të tretë, ato që u sollën në tryezën e emisionit të përjavshëm të Rudina Xhungës, “Shqip”.
Koalicioni dhe partitë, shanset e tij për t’u rizgjedhur, sondazhet, aleatët dhe fushata, ishin temat në të cilat u fokusua ky debat në të cilën morrën pjesë analistët Lutfi Dervishi, Artan Hoxha, Andrea Stefani dhe Shpëtim Nazarko.
Tre ligjet në këtë fushatë
Çështja e tre ligjeve është shndërruar në një “kal beteje” nga ana e Partisë Demokratike, që e ka akuzuar në mënyrë të vazhdueshme opozitën për bllokimin e vendit. Ditën e enjte, një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit, mund të shpallë miratimin e tyre përtej kufijve zyrtare të skadimit të legjislaturës aktuale. “Tre ligjet janë një çështje që duhet të ishin zgjidhur prej kohësh dhe tashmë nuk ka më justifikim”, nisi komentin e tij zoti Dervishi. “Problemi qëndron që në mesin e fushatës, kjo nuk duhet të ishte një çështje e vendosur në debatin e përditshëm. Në këtë debat duhet të ishin çështje të prekshme që lidhen me cilësinë e jetës së qytetareve. Fushatës aktuale po i bashkohet një papërgjegjshmëri fiskale, të gjithëve u thuhet që do i ulen taksat, ndërsa premtimet janë të përgjithshme. Nuk ka një debat me sens dhe çështje. Tre ligjet janë të vonuara, por përqëndrimi i fushatës në këtë pikë duket taktik”.
“Jam i prirur të besoj shumë që këto dy ligje dhe rregullorja e Kuvendit do të miratohen, por kjo nuk jep mësim. Duket sikur palët po heqin qafe një siklet që nuk e donin nëpër këmbë, por miratimi i këtyre tre akteve në një farë mënyre realizon një detyrë që duhet të ishte bërë që në tetor, pasi mosbërja që në atë kohë hoqi mundësinë e trajtimit të propozimit të dhënies së statusit kandidat”, nisi analizën e tij Hoxha. “Në këtë histori shfaqet LSI, që ofroi një formulë kompromisi. Zgjidhja që LSI ofron, duket në një këndvështrim si çelësi i artë, por në një këndvështrim real nuk është asgjë. Duket një paradoks që kemi këtë çelës të artë tani në dorë që zgjidhet nga LSI, kur kjo marrëveshje nuk u bë me vullnetin e dy partive të mëdha. Këtu kemi një lojë pragmatiste nga të gjitha palët, LSI që hiqet si një parti e madhe, PD kupton absurdin e propozimit, por është e detyruar të pranojë këtë propozim pasi prej muajsh avokaton miratimin e këtyre ligjeve dhe akoma më absurd, pranimi i PS që ka rezistuar deri në minutat e fundit”, shtoi Hoxha.
Nga ana e tij, Stefani foli për një lojë politike të kryeministrit me çështjen e statusin, ndërsa spekuloi mbi mundësinë e pasjes së një “qarku pro-Berishës” në instatancat europiane, që ndihmuan në krijimin e këtij truku. “Nuk e kam parë si një dëshirë e Berishës për të avancuar integrimin, por e kam parë si një truk politik që ai arriti ta realizojë edhe me përfaqësues të komuniteti ndërkombëtar në Shqipëri, duke bërë të mundur që befas, u bë ajo deklarata e KE që tha se janë vetëm këto tre ligje ato që kanë mbetur nga 12 kushtet që ishin vendosur vite më parë. Mendoj se qëllimi ka qenë mundësia që t’i jepej Berishës ose me një pseudosukses si marrja e statusit të vendit kandidat, siç e përdori në mënyrë abuzive statusin kandidat kryeministri ose për të paraqitur në të kundërtën, opozitën si armikja e vendit. Me sa di unë, statusi është një hap krejtësisht formal, siç e dinë pothuajse të gjithë. Debatet dhe akuzat e Berishës na kanë larguar nga thelbi i çështjeve që duhet të diskutoheshin në këtë periudhë të fushatës”, argumentoi Stefani.
Përsa i përket Nazarkos, në mendimin e tij “të dyja palët e kanë menaxhuar nga pak çështjen e ligjeve dhe nuk ka pasur ndonjë ndryshim këto ditë. Ka pasur një frikë më opinion që Berisha po të kishte që tani në dorë Gjykatën Administrative do t’i miratonte ai gjykatësit, por kjo mund të jetë edhe një sajesë e klubeve të majtë. Por, nëse Berisha e merr këtë favor tani dhe deri në fund të shtatorit ka në dorë të emërojë kë të dojë, ai truku që ka bërë Ilir Meta qënka për t’u lavdëruar, sepse nuk mendoj që politikanë të kësaj përvoje hanë hile të tilla. Në lidhje me ligjet, jam dakord me Andrean që nuk kanë qenë vetëm këto tre ligjet, edhe pse nuk jam dakord me idenë që ka korruptuar zyrtarë europianë. Rama, nga ana e tij e ka menaxhuar këtë lojë, duke thënë që ju vërtet i bëni favore (nënkupton europianët), por ky ende i dhunon institucionet. Nga ana e tij, Berisha e shndërroi në propagandë duke tundur këtë gogol. A funksionon? Deri diku, por po i vjen fundit besoj edhe kësaj taktike”.
Për analistin Shpëtim Nazarko, fushata e Berishës është mbështetur në dy kollona kryesore, infrastruktura dhe energjia. Sipas tij, qeveria Berisha ka vepruar mirë në realizimin e objektivave të vegjël, por ka dështuar me objektivat madhorë, që sipas tij cuan vendin në krizë të thellë dhe drejt falimentimit: “Kollonat e fushatës së Berishës janë rrugët dhe energjia. Rrugët rurale janë ato nga gjërat më të mira që ka bërë Berisha, në lidhje me rrugët kombëtare ka hedhur paratë e shqiptarëve tym. Unë nuk merrem me punën e kilometrave. Sa për energjinë, padiskutim që nisma e hidrocentraleve të vogla është gjë shumë e mirë, por Berisha gënjen kur thotë që ne do të bëhemi superfuqi e energjitikës. Edhe me energjinë ka gabuar në gjërat e mëdha, si TEC-i i Vlorës. Qeverisja e dytë e Berishës është një piramidë më e madhe se ajo e vitit 1992-2000. Në qeverisjen e dytë shumë veta mendojnë që kemi bërë përparime të mëdha, ndërsa unë mendoj që jemi në borxh. Në 2005 pas ardhjes në pushtet, bankat e mëdha ishin të privatizuara dhe nisën të japin kredi të mëdha. Në 2005 kishim marrë gjysmë miliardi dollarë kredi, ndërsa në 2008 u dhjetëfishua. Sot po shtohet kredia e keqe. Unë besoj që gjithë ky dekor nuk shërben asgjë, por vetëm sa shpërdoron lekun pafundësisht. Sot kemi një qeverisje që do të krijojë një piramidë shumë herë më të madhe”.
Ndërsa për analistin Artan Hoxha, e djathta ka një kompozim kandidatësh më pluralist, dhe këtë ai ia faturoi futjes së emrave të disa prej kryetarëve të partive aleate në listat e Partisë Demokratike: “Shoh një kompozim kandidatësh që garanton nesër një mazhorancë apo opozitë që grupi parlamentar i tyre nesër të jetë pluralist, po aq sa është pluralist ky krah i politikës shqiptare. Sali Berisha dhe PD pranuan që në listat e tyre të garantojnë kryetarët që kompozojnë aleancën e djathtë. Kjo krijon një asimetri avantazhuese për mua në raport me spektrin e majtë. Gjëja e parë që shohim sot, kemi një aleancë e të djathtë me një kompozim pluralist. E dyta është që preket një lloj entuziazmi në rritje në kampin demokrat. Entuziazmi në radhët e së djathtës, sic pati një zhgënjim në të majtë nga ftesa që rama i bëri LSI-së, nga një segment i së majtës, që ka besuar në të drejtën e saj, të thotë që ardhja e LSI-së na sjell të keqen, sic atje ka një grup që beson kështu, me siguri që në të djathtë ka një segment që beson se e keqja na erdhi nga LSI. E treta PD në të gjitha zgjedhjet ka një mënyrë të të krijuarit të saj, mitingun. PD është krijuar nga mitingu, ndërsa e majta është e krijuar nga celula. Mitingu është një metodë e përhershme e vetëorganizimit të PD-së, PD vjen gjithmonë në rritje, këto 3 faktorë shpejgojnë atë që unë them se ka një entuziazëm”.
Analisti tjetër, Andrea Stefani u ndal tek akuzat e drejtuara ndaj Partisë Demokratike se po detyron administratën të dalë në mitingje. Sipas tij, në administratë sot ka militantë, dhe problemi është se kjo qeveri ka humbur besimin edhe tek militantët e saj dhe ndaj i thërret ata me firma: “Kemi shumë militantë në administratë. Problemi është që edhe tek militantët ka humbur besimin saqë i merr me firma. Berisha e shikon qe sondazhet nuk e nxjerrin gjë dhe ka nxjerrë këtë teorinë që unë i besoj mitingut. E ka shndërruar në qëllim mitingun dhe tani vepron si një Bonapart, që kur kishte më pak ushtarë lëvizte më shpejt, por një gjë është e vërtetë kriza, korrupsioni, keqqeverisja nuk ia ngrenë dot entuziazmin për një mandat tjetër”.
Edhe Lutfi Dervishi tha se fushata është e përqendruar tek mitingjet, por shtoi se elementin e ri, që sipas tij janë mediat sociale, nga ku politikanët komunikojnë pa ndërmjetës me zgjedhësit: “Fushata është përqendruar më shumë tek mitingjet. Në këto zgjedhje për herë të parë është media sociale e pranishme, liderët komunikojnë pa ndërmjetës. PD në një farë mënyrë ka bërë proporcional kombëtar në anën e vet. Nuk e di nëse kjo është e mirë apo e keqe, por në parlamentin e ri do të kemi të paktën 10 parti. Qeverisja me parcela, është për t’u harruar. PD e nisi me dy standarde, e nisi 8 vjet më parë me standardin e Ilir Rusmajlit, nëse e mbani mend se për cfarë e dha dorëheqjen, dhe e mbylli me standardin e Ilir Metës që kishte në koalicion. Këto janë dy standarde të ndryshme, pavarësisht se peshën më të madhe e mban ky ekzekutiv”.
Shanset e Berishës për një mandat të tretë
Cilat janë shanset e Berishës për një mandat të tretë. Analistët e ftuar në panelin e Shqip me gazetaren Rudina Xhunga dhanë këto përgjigje:
Shpëtim Nazarko: Nga numrat e majta ka patur më shumë numra se sa e djathta, por sistemi nuk të lë t’i besosh. Ajo që dua të them është se vendi është në prag të falimentimit dhe kushdo që ta marrë, këtë proces falimenti do të përjetojë. Unë mund të thosha, do të doja që Berisha ta konsumojë deri në fund këtë histori. Fundi është shpallja zyrtare e falimentit tonë dhe do përjetonim skenarin grek akoma më keq.
Artan Hoxha: Plus-minus 2 deputetë rrotull 70. Do të kemi një situata rrotë më rrotë, të krahasueshme me rezultatin në Bashkinë e Tiranës. Me instrumentat që e masim unë them që gjendja është në barazi perfekte. Për një gjë jam i sigurtë, që forcat normalizuese konstruktive, dhe forcat destabilizuese, në parlamentin e ri do të kemi një mazhorancë më të madhe të forcave normalizuese.
Andrea Stefani: Të përpiqesh të parashikosh rezultatin nuk ësthë thjesht cështje numrash. Në katër qarqe, Elbasan, Tiranë, Fier dhe Berat, që përmendi zoti Hoxha opozitës i duhen 2 mijë vota për të marrë katër mandate më shumë. Por katër vjet qeverisje në mandatin e dytë, një mori e tërë gjërash të parealizuara nga qeveria, punësimi, unë mandatin e tretë e shoh shumë me më pak se sa shanset e opozitës. Rotacionin e uroj për nevojën që ka Shqipëria për të shmangur pushtetet e përjetëshme.
Lutfi Dervishi: Do të jetë një përplasje 8-vjecare. Nëse pajtohemi që 4-vjecari i parë ka qenë më miri i qeverisë, edhe i opozitës ka qenë kështu. Përplasja e dy modeleve të mira solli barazi në 2009. Tani do shohim përplasjen e dy modeleve jo të mira. Një qeverisje të keqe dhe një opozite jo bashkëpunuese. E dyta ka të bëjë me pjesëmarrjen si dhe faktorët e rinj që janë në fushë, AK dhe FRD. Por më shumë se sa rezultati, kjo do të gjykohet me mënyrën se si do të luhet loja. Në katër qarqet diferenca është e vogël dhe sondazhet nuk mund të merren për të mirëqëna.
Top Channel