Këngëtari dhe autori i njohur italian Al Bano Carrisi u nderua me
Urdhërin ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu’, titulli më i lartë i nderit i
dhënë nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani.
Ceremonia e dorëzimit u zhvillua në Romë gjatë një takimi të organizuar nga ambasada shqiptare me pjesëmarrjen e disa prej figurave më të shquara shqiptare me banim në Itali dhe të shumë miqve të Shqipërisë.Gjatë fjalës së tij përshëndetëse ambasadori shqiptar në Itali Neritan Ceka, i cili qe edhe iniciatori për dhënien e këtij titulli të lartë, kujtoi rëndësinë e figurës së Al Banos dhe rolin e muzikës së tij e të kolegëve të tij në formimin e rinisë shqiptarë të asaj kohe.Al Bano, plot emocion kujtoi babanë e tij që ka qenë ushtar në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“E mbaj mend kur isha i vogel, kishim një radio në shtëpi dhe im atë e vinte gjithnjë tek Radio Shqipëria, ku dëgjoja ato ninulla fantastike. Fjala e parë që kam dëgjuar në shtëpi ka qenë Shqipëri, e pra edhe brenda meje ka diçka shqiptare, shumë madje”, thotë Al Bano.
Çmimi i lartë iu dorëzua nga Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës së Republikës, z.Arben Idrizi.
“Presidenti i Republikës i jep zotit Al Bano Carrisi dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, një ndër dashamirësit më të mëdhenj të Shqipërisë dhe shqiptarëve, që përmes veprës dhe shpirtit human në mënyrë të pareshtur ka kontribuar në promovimin dhe përparimin e faktorit shqiptar”, thuhet në motivacionin e këtij çmimi.
Përpara se të largohej Al Bano ai tha se ka në program të kthehet sërish në Shqipëri si thjesht për një udhëtim ashtu edhe për koncerte. Ai në tregoi diçka më shumë nga koncertet që ka dhënë në Tiranë në fund të viteve tetëdhjetë.
“Në koncertin e parë në Pallatin e Kongreseve, aty për aty s’e kisha kuptuar por ma shpjeguan më vonë që kishte një lloj kaosi, gjërat po ndryshonin. U gjenda në mes të një furtune politike pa e ditur. Ndërsa të nesërmen, në koncertin në stadium, qe një shpërthim i popullit shqiptar. E mbaj mënd kur këndova këngën për Sarandën, brohorimat ishin si të luhej finalja Itali-Brazil. E pra muzika shërben edhe për të kryer një rrugëtim të saj njerëzor, në favor të njerëzve. Edhe në atë rast pata këtë siguri : muzika shërben për diçka”, kujton Al Bano.
Top Channel