Në një takim me investitorë italianë, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta premtoi lehtësira për inkurajimin e bizneseve të huaja në Shqipëri.
“Angazhimi ynë është për të krijuar menjëherë parqe industriale dhe zona të lira ekonomike, të cilat do të ofrojnë të gjitha lehtësirat infrastrukturore, por njëkohësisht edhe që do të bëjnë të mundur lehtësimin total edhe nga tatimet dhe taksat për një periudhë 5-vjeçare, me qëllim kryesor rritjen e punësimit”, deklaroi Meta.
Duke folur për programin e LSI për punësimin, Meta përmendi zerimin e taksave dhe tatimeve për të gjitha bizneset e reja të huaja të cilat investojnë për një periudhë 5-vjeçare deri në 30 milionë euro.
Një tjetër pikë e rëndësishme, sipas Metës, është rimbursimi automatik i TVSH-së, që do t’i japë fund problemit të bizneseve me administratën tatimore dhe agjencise së eksporteve.
Meta: KQZ u cënua rëndë nga mazhoranca
Ndërkaq, gjatë një takimi me delegacionin e asamblesë parlamentare të OSBE-së, duke diskutuar mbi situatën e krijuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Meta tha se integriteti i këtij institucioni është cënuar në mënyrë të dhunshme dhe të padrejtë nga ana e mazhorancës aktuale.
Sipas tij, për LSI-në është e rëndësishme që të rivendoset konsensusi dhe besimi te Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke i rikthyer legjitimitetin këtij institucioni.
Meta tha se i takon mazhorancës të tregojë reflektim e përgjegjshmëri në këtë drejtim, ndërkohë që garantoi delegacionin e OSBE-së që opozita shqiptare është e gatshme të kontribuojë në këtë drejtim.
Top Channel