Aleksander Cipa – Patosi i ish-ministrit të Ekonomisë së LSI-së,
kandidatit për deputet në Qarkun e Beratit, zotit Nasip Naço, për të
votuar Ilir Metën, pra sipas tij, “ish-kryeministrin dhe kryeministrin e
ardhshëm”, shkaktoi pështjellim në koalicionin e majtë.
Pasoi një nervozizëm i heshtur socialistësh dhe një kënaqësi inspiruese te demokratët. Në mediat pro kryeministrit Berisha u çelën hapësira të bollshme për debat e shkrime rreth këtij “debati brenda së majtës”. Është shfaqja e parë e mosmarrëveshjes së parathënë për postin e kryeministrit të ardhshëm mes dyshes kryesuese të koalicionit Rama-Meta, nëse opozita fiton. U komentua gjatë dhe interpretimet ende vazhdojnë.
Por hapja e një diskutimi të tillë bëhet dëshmi e një mendësie tradhëtuese brenda udhëheqësisë së majtë të një koalicioni të shumëdiskutuar, i cili erdhi në skenën politike zgjedhore mes një skepticizmi masiv dhe debatesh të ndryshme.
Në plan të parë, e majta mbetet në një histori vijuese provokimesh nga kundërshtari i tyre në pushtet, pra kryeministri Berisha, sikundër ekspozon po historikisht një ndërgjegje evidente mosbesimi mes udhëheqësve të saj. Madje, ka qenë kjo ndërgjegje shkaku i gjenerimit të konflikteve të brendshme, sikundër edhe arsye për të pasur një cikël të gjatë e me kurba konfliktesh dhe mosmarrëveshjesh dasuese.
Mirëpo deklarata e skraparlliut Naço në Berat, dukshëm nuk ka qenë thjesht një gjetje entuziaste e tij para kryetarit Meta që e promovoi nga përvoja e prokurorit në atë të politikanit. Ajo deklaratë është një recitim politik i porositur, për të çuar një mesazh dhe për të shpërndarë një siguri populiste te votuesit e shumëkërkuar nga zoti Meta. Në skakierën politike të këtij vendi, ai mbetet politikani që me çdo kusht e arrin mbetjen dhe të qenët forcë e tretë, e cila imponon në kushtet e diferencës së ngushtë të rezultateve zgjedhore marrjen e hisesë “më të madhe se shtati” të pushtetit dhe të përfitimit nga qeverisja. Në këtë logjikë, ai po udhëton edhe përgjatë kësaj fushate, pas kapërcimit në aleancën me PS-në e veçanërisht me Edi Ramën. Loja e tij makiaveliste, për llogari të hisesë që do dhe lakmon, do të jetë edhe më nervozuese sidomos në ditët e fundfushatës dhe veçanërisht gjatë afishimit të rezultateve të para zgjedhore të datës 23 qershor 2003. Luan vijueshmërisht që prej 2009 rolin e karakterizuar më së miri prej vargut “më ka lidh nëna një herë në djep”. E shmang me të gjitha mënyrat “lidhjet apo kapjen prej më të fortëve, të cilët deri tani i ka ndërruar periodikisht si aleatë, pa kontratë të përhershme e me besimin se e ndërpret kontratën pa e mbyllur derën, ose duke mbajtur hapur “të gjitha dritaret e katit të parë” të godinës së dashur të pushtetit. Ka hequr çdo pengesë morale për kapërcimet dhe kontraktimet partneriale në qeverisje sa majtas dhe djathtas, duke të lënë një moment shijen e përvetësuesit maksimal të sentencës së zotit Rama në 2009-n “matanë së majtës dhe së djathtës”. Sot Ilir Meta edhe pse është rikthyer në një koalicion parazgjedhor me PS-në, partinë e origjinës së vet politike, ka nisur një kapitull me strese dhe të papritura, të cilat në kohën e ardhme, sipas të gjitha gjasave, kanë për të qenë në mos më të shumuara, më të bujshme dhe me më tepër forcë imponuese mbi partnerin dhe partinë kryesuese. Ai njeh çdo “farë dobësie” dhe mendje të lëkunduri në PS. E njeh atë parti që e ka lënë me kohë, fatkeqësisht më mirë se vetë kryesuesi aktual i saj, edhe pse koha tetëvjeçare, ka qenë periudha e komfortit për ndryshime në lidershipin e PS-së dhe për promovim të një skote të vetë mbështetësish për zotin Rama. Por tek e majta, në këtë periudhë zgjedhore, lehtësisht mund të shquash dallesat dhe njëjtësitë mes grupeve dhe sidomos përfaqësuesve të deputetëve që e kanë të sigurt mandatin për shkak të pozicioneve në listë. Marrëveshja me standard të dyfishtë që arriti Ilir Meta me Edi Ramën për deputetët, vijon të mbetet e pazbardhur, jo vetëm mediatikisht, por së pari brenda familjes politike. Mungon një sqarim publik prej zotit Rama për rikthimin në vendin e sigurt të deputetit të ish-politikanit Spartak Braho, i cili i tundi para opinionit publik një çantë me CD kërcënuese zotit Rama, në kulmin e periudhës së skandalit të bujshëm Meta-Prifti. Ajo histori e kapërcyer ka lënë shumë të panjohura dhe ka pasur aq thelbe intrigash të pazbardhura, sa ngjan se në këtë model politikëbërjeje që afishojnë politikanët tanë, rikthimet dhe rizgjimet e bujshme të konfliktit janë vetëm realitet i pashmangshëm e jo realitet që ndryshon. Por raportet e ndërgjegjeve të vrara dhe atyre të molepsura, mes së majtës dhe sidomos në relacionet aq komplekse të PS-së me LSI-në dhe të zotërinjve Rama dhe Meta, në optikën e skpeticizmit qytetar shënojnë besimin e së ardhmes së paqetë dhe të konfliktit me cikle të tjera. Pjesë e kësaj brendie është edhe debati i hapur prej zotit Naço e i pasuar me djallëzi aprovuese prej vetë udhëheqësit të tij Meta dhe të tjerëve të bindur në këtë parti-fis, për çështjen e kryeministrit të ardhshëm, nëse opozita fiton.
Kjo ambicie e parashpalosur tradhton ambicien parimore të ortakërisë së shumëdebatuar Rama-Meta. Ajo është një parathënie e dualitetit të ardhshëm mes së majtës. Një dualitet që nuk rrezikon PS-në për luftë kryesimi, por udhëheqësinë e saj, për të vijuar lojën e njohur përgjatë tranzicionit që lideri rrethohet, duke flirtuar me rivalin apo kundërshtarin e tij. A nuk ngjau kështu kur u shfaq rivaliteti Nano-Meta? Po e tillë nuk u ripërsërit situata kur konkurronte Meta me Majkon? I tillë a nuk shfaqej shantazhi edhe kur nisi negocimi Meta-Berisha në 2009-n, për kalimin historik të zotit Meta në qeveri me zotin Berisha?!
Momenti i tanishëm politik, pra, koha për një nevojë të së majtës për të realizuar rotacionin qeverisës, është një provë e udhëheqësisë së saj në raport me vetë elektoratin e tyre. Hapja prej LSI-së një debat për karrigen kryeministrore, mund të rezultojë me një nervozizëm së pari në elektorat. Ky debat nuk e përjashton efektin bumerang për vetë LSI-në në raport me majtistët. Në prolog të fushatës, ai zvogëlon qëllimin e madh për fitore dhe sjell mobilizimin për t’iu përgjigjur me masën e unifikimit të votave majtiste. Kjo ambicie shantazhuese e ardhur nga LSI në adresë të zotit Rama, zvogëlon qëllimin për një fitore establishment, në interes për një kryeministër tjetër. Ky interes nuk përkon me qëllimin maksimal dhe aq më tepër me strategjinë bashkuese të së majtës. Ai riciklon në kohë të re, konfliktin e dualizmit të njohur të dy krerëve aktualë të së majtës.
Është kjo arsye dhe peshimi i drejtë i efektit të saj, që pas gati një jave diskutimesh, politikanët dhe oratorët PS-LSI iu larguan kësaj çështjeje, dhe ajo mbeti vetëm si angazhim diskutimesh të shqetësuarish pranë pozitës dhe mediumeve të saj. Në kohën e ardhme, ndoshta në ditët e fundit të kësaj fushate, dikush tjetër pranë ose indirekt me lidhje, në mos me kryeministrin së paku me zotin Meta, do të tentojë t’i rikthehet zgjimit të këtij debati, por tashmë motivi është zbardhur dhe autorësia ka lidhje me kryeministrin që largohet dhe kryeministrin që do kurorëzohet. Sido që të ngjasë në ato ditë dhe pas ditë të 23 qershorit, synimi i drejtë për të qenë kryeministër do të bashkëjetojë me intrigat për të imponuar kryeministër.
Top Channel