Entuziazëm dhe ovacione për fitore nga qytetarët e Qarkut të Tiranës që kishin tejmbushur Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, emocion prej kandidatëve që premtuan angazhim në shërbim të tyre dhe një vlerësim nga kryesocialisti, Edi Rama si super-skuadra e Rilindjes.

Kjo ishte atmosfera gjatë rreth dy orëve të prezantimit të 32 kandidatëve nga PS të cilët do të garojnë në 23 Qershor në qarkun më të rëndësishëm të vendit. Listën e Tiranës e udhëheq ish-kryeministri Pandeli Majko i cili tha se “këtu nisim rrugëtimin me historinë drejt 23 Qershorit pasi kundërshtarët tanë kanë përballë fitimtarët”.

“Votat e Tiranës në datën 23 qershor do të mbrohen nga
ligji, por dhe vullneti i çdo qytetari socialist. Pas 23 qershorit, të dashur
miq, ne ju premtojmë një dhëndër Tirone për kryeministër”, tha Pandeli Majko.

PS në këtë aktivitet elektoral nxorri foton e takimit që pati Edi Rama me presidentin e SHBA Barak Obama e cila u transmetua në ekranin gjigant gjatë fillimit të fjalës së Edi Ramë e cila zgjati 27 minuta.

Zoti Rama përcolli tre mesazhe që lidhen me legalizimet e ndërtimeve pa leje, çlirimin e biznesit të vogël dhe luftë pa asnjë kompromis ndaj krimit. Rama tha se njerëzit kanë ardhur nga të gjitha rrethet për të ndërtuar në Tiranë një Amerikë të vogël.

“Ata kanë ndërtuar mijëra shtëpi me sakrificat e tyre. Ato shtëpi prej 22 vitesh presin shtetin e shqiptarëve që t’i kthejë në pasuri të patundshme të çdo shqiptari në Kamzë, Paskuqan, Laprakë, në Kodrën e Priftit, Allias, Kombinat, Bregun e Lumit, në Sauk e në Selitë”, u shpreh Rama.

Me entuziazëm është pritur premtimi tjetër i Edi Ramës që lidhej me heqjen e taksës së biznesit të vogël.

“Shumë shqiptarë këtu në Amerikën e vogël të shqiptarëve ecën përpara me biznesin deri kur u gjendën përballë presionit të papërmbajtur të mallkimit të tyre dhe të gjithë shtresës së mesme, që duhet taksa e sheshtë. Ajo taksë po ia merr të gjithë frymën biznesit të vogël në Tiranë dhe në Shqipëri.Dua t’u them të gjithë tiranasve, të gjithë atyre që punojnë e jetojnë me një ushqimore, me një furrë buke, me një rrobaqepësi të vogël, me gjithçka që u jep mundësi të ushqejnë familjen e tyre, se më 23 qershor, duke marrë një copë letër në dorë, fletën e votimit dhe duke vënë vetëm një kryq tek numri 29, do ta heqin taksën e biznesit”, deklaroi kreu i PS-së.

Duke i quajtur problemet që lidhen me rendin si plaga e rëndë e shoqërisë tonë Edi Rama u zotua për dhënien fund të kësaj situate.

“Janë dyfishuar vjedhjet në banesa, janë trefishuar grabitjet në rrugë dhe janë katërfishuar vrasjet dhe plagosjet dhe unë zotohem se për 300 ditë do rikthej një Polici Shteti në krye të detyrës. Do e bëjmë rendin dhe sigurinë një shembull, për të cilin çdo shqiptar do ndjehet i sigurt për veten, familjen dhe pronën e tij. Kush do guxojë të prekë vajzën, babain, nënën apo cilindo familjar, ka prekur shtetin dhe do përballet me Policinë e Shtetit. Kush do guxojë të prekë pronën e familjes shqiptare, ka prekur shtetin dhe do përballet me Policinë e Shtetit”, tha Rama.

Top Channel