Një mesazh babait tim

23/05/2013 00:00

Sara Hoxha – Ia kam ngulur sytë këtij dokumenti të zbrazët prej disa
çastesh, pa e ditur çfarë të shkruaj.Kjo, jo sepse nuk kam asgjë për të
thënë, por sepse kam shumë.

Mund të shkruaj për orë e orë, por një gjë është e sigurt, asgjë nga këto që them apo shkruaj, nuk mund të jetë e mjaftueshme për të përshkruar dashurinë që kam për ty.

Teksa filloj të shkruaj, ndiej lotët që më rrëshqasin faqeve…

Është përsëri kjo kohë e veçantë e vitit, përsëri. Dita kur koha duket sikur ngrin dhe e gjithë bota ime vërtitet rreth një momenti.

Dita kur fytyrat janë të padallueshme dhe asgjë nuk duket se përbën interes për mua, përveç kujtimit për ty. Gjithçka bëhet e turbullt dhe kujtimet vijnë e përmbytin mendjen time.

Fytyrës i jap një pamje të guximshme dhe kokën e mbaj lart, ashtu siç ti më ke mësuar. Kjo është vetëm një maskë që unë vë, ndërsa brenda zemra më dhemb dhe diçka ndiej që më ngushtohet thellë në trup.

Sara HoxhaTë gjithë thonë se do të bëhet më e lehtë, të gjithë thonë “do ta kalosh”. Gjithçka që di është se zemra akoma më dhemb, si pesë vite më parë.

Ndonëse sot është dita kur ti ike përgjithmonë dhe një komb i tërë të kujton këtë ditë, unë të kujtoj ty gjithë kohës. Asnjë ditë nuk kalon pa të pasur ty në mendimet e mia.

Unë nuk jam një besimtare fetare, por unë besoj tek ti. Unë besoj se prej diku aty ku ndodhesh, ti kujdesesh për ne, kudo që ky vend të jetë. Sot, unë besoj se do të kem gjithnjë një engjëll në krahun tim.

Do të doja të të falënderoja. Do të doja të them “faleminderit” për gjithçka që kam dhe gjithçka që jam. Do të doja të të falënderoja që më dhe jetën. Falë teje, jam kjo që jam. E mira dhe e keqja.

Faleminderit për familjen time të bukur. Ti më ke dhënë dy mikesha të mira dhe një vëlla, në sytë e të cilit pasqyrohesh ti. Dua të të falënderoj që më mësove ta jetoj jetën me gjithë fuqinë time.

Duke të parë ty, unë kam mësuar si të jem e sjellshme dhe e dhembshur, të jem e mençur në veprime, por në të njëjtën kohë të jem e rreptë dhe e fortë kur duhet.

Duke qenë ai që ishe, ti më mësove të jetoja çdo çast si të fundit. Ti më mësove se çfarë do të thotë të ndjekësh ëndrrat.

Ti më frymëzove të jem vetvetja. Ka shumë gjëra për të cilat të jam mirënjohëse, por besoj se mund të tregoj gjithçka që kam mësuar prej teje, duke ndjekur hapat e tu dhe duke e bërë vetë emrin tim.

Teksa ne të gjithë vuajmë për ty sot, trashëgimia jote akoma jeton. Miliona shqiptarë në të gjithë botën e ndjekin “Top Channel”-in çdo ditë për gjithçka që mund të dëshirojnë. Qoftë për të qëndruar të informuar me lajmet e vendit, apo për të parë se kush i fitoi 100 milionët e së martës në mbrëmje, në këtë ekran ka gjithnjë diçka të re.

Shpresoj që, kur ne të gjithë të shohim “Top Channel”-in, të dëgjojmë “Top Albania Radio”-n, të kalojmë nëpër kanalet e “DigitAlb”-it apo kur të lexojmë këtë gazetë të enjten, ta kujtojmë burrin që është njeriu që i krijoi të gjitha këto.

Burrin që jo vetëm unë, por që të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, duhet t’i jenë mirënjohës.

Ashtu siç Benjamin Franklin shkroi dikur, “Nëse nuk do të harrohesh, sapo ke vdekur apo je kalbur, ose ke shkruar gjëra me vlerë për t’u lexuar, ose ke bërë gjëra me vlerë për t’u shkruar.”

Ti ishe ky i dyti. Unë jam vajza më krenare që të kam ty si baba dhe shpresa ime e vetme është që kudo të jesh, një ditë edhe ti të bëhesh krenar për mua gjithashtu.

Top Channel