Durrës, moti i keq pengon lëvizjet në port

23/05/2013 00:00

Gjiri i Durrësit është përfshirë nga moti i keq që ka shkaktuar vonesa
dhe vështirësi në ankorimin e trageteve, si dhe ulje të temperaturave.

Dy tragetet e linjës Bari-Durrës, që duhej të mbërrinin në orën 8.00 të mëngjesit, janë ankoruar me rreth dy orë vonesë, me ndihmën e mjeteve detare, për të orientuar manovrat dhe shmangur incidentet e mundshme për shkak të erës dhe dallgëzimit brenda në basen.

Sipas Kapitenerisë së portit detar, deti ka rregjistruar forcën 7 ballë, ndërsa shpejtësia e erës varion nga 8-16 km/h. Era e fortë me drejtim jug – jugperëndim, reshjet e herë pas hershme të shiut dhe deti i dallgëzuar kanë shkaktuar edhe pezullim të përkohshëm të përpunimit të anijeve veçanërisht atyre me mallra rifuxho, të cilat qëndrojnë në pritje të përmirësimit të kushteve atmosferike.

Aktualisht në port po përpunohen 7 anije tregtare, 4 prej të cilave me mallra rifuxho dhe vetëm një me kontenierë, ndërsa anijet e peshkimit kanë qëndruar në kalatë. Në orët e pasdites parashikohet që situata sinoptike të shkojë drejt normalizimit.

Top Channel