Përvjetori i revoltës së Spaçit

22/05/2013 00:00

40 vjet më parë, të burgosurit politikë në burgun famëkeq të Spaçit u
ngritën në një revoltë më 21 maj të vitit 1973, revoltë antikomuniste që
përfundoi pas disa ditësh me pushkatimin e disa prej të burgosurve
politikë.

Ish te burgosur dhe te aferm te tyre u rikthyen në burgun famëkeq të Spaçit, që tani ka mbetur një gërmadhë, simbol i egërsisë së regjimit komunist. Ata kane vizituar dhomat ku kaluan nën tortura vitet e tyre të rinisë.

“Bëra 11 vjet burg. Përvec torturave që më janë bërë në dhomë më janë bërë edhe torturave në galeri. Ne ishim skllevërit e komunistëve”, thotë Perikli Shqevi, ish i burgosur politik.

“Torturat ishin shumë të mëdha. E kemi hequr atë zi dhe nuk pretendonim se një ditë do të dilnim gjallë. Por Zoti na pa dhe sot vijmë të shohim këto ambiente ku kemi vuajtur”, thotë Vllasi Koci, ish i dënuar politik.

“Ne i bëjmë thirrje të gjithë atyre ish të përndjekurve politikë që t’i bashkohen këtyre burrave dhe grave, të cilët kanë marrë mundimin të vijnë sot dhe të ripërkujtojnë të gjithë vuajtjet e sistemit komunist, në mënyrë që diktatura të mos ripërsëriten më në Shqipëri dhe të gjithë ata martirë të marrin vlerat e duhura”, tha Keti Bazhdari, kryetarja e Grupit të Punës në PS për të përndjekurit.

Pushtimi i kampit nga te burgosurit zgjati deri ne daten 24 maj te vitit 1973, kur forca shtese nga Tirana shtypen revolten.

“PS nëpërmjet programit të saj për një Rilindje Kombëtare do të japë një zgjidhje përfundimtare problemit të të përndjekurve politikë në Shqipëri. Ne do u kthejmë dinjitetin, do të bëjmë dëmshpërblimin ekonomik, rehabilitimin moral dhe integrimin social të kësaj shtrese”, tha Bazhdari.

Ne nje gjykim qe zgjati vetem 13 ore disa nga te burgosurit u denuan e me pas u pushkatuan. Pjesëmarresit ne keto homazhe jane edhe pjesmarres ne greven e urise qe u mbajt ne Tirane pak muaj me pare.

Top Channel