Lëvizja Rinore për Integrim zhvilloi Konventën kombëtare, një aktivitet ku u prezantuan kandidatët për deputetë nga radhët e këtij forumi. I pranishëm ishte edhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.
Lideri i LSI-së parashtroi projektin e forcës, që ai drejton, për të rinjtë, teksa sulmoi qeverinë se në 8 vite nuk tregoi përkushtimin e duhur ndaj tyre. Meta i bëri thirrje të rinjve, që të mos ia besojnë të ardhmen Berishës.
“Një shprehje thotë se pranvera vjen çdo vit, por rinia vjen vetëm një herë. Ndaj dhe ju këtu, e dhjetra-mijëra të tjerë në gjithë Shqipërinë, duan t’ia bëjnë të qartë kryeministrit të largohet, se rinia juaj dhe e të rinjve e të rejave të Shqipërisë vjen vetëm një herë. Nuk keni më kohë për të provuar dhe eksperimentuar një njeri, që i pati të gjitha mundësitë për 8 vite, për të treguar përkushtimin e tij ndaj jush dhe gjithë të rinjve të Shqipërisë. LSI është forca e të rinjve dhe të rejave, vendi ku ata takohen e bashkohen për të ndihmuar njëri-tjetrin. Por, LSI është edhe partia ku promovohen politikanët e rinj, si askund tjetër”, tha Meta.
Duke i vlerësuar zgjedhjet e 23 qershorit si historike, kreu i LSI-së tha se Aleanca për Shqipërinë Europiane do t’u rikthejë shpresat të rinjve në të gjithë vendin.
Top Channel