Denoncimi i Sherif Merdanit: Më vodhën makinën

22/05/2013 00:00

“Ju lutem më sillni makinën, se e kam blerë me vitet e burgut! Duhet të
më kërkoni falje për atë që keni bërë dhe unë do t’ju fal!”. Kjo është
lutja që këngëtari i njohur, Sherif Merdani, u drejton hajdutëve të
makinës së tij.

Menjëherë pas kësaj, këngëtari e ka denoncuar rastin në polici. Në dëshminë e dhënë në Komisariatin Nr. 2, Merdani ka thënë se mjeti tip “Citroen Pikaso”, me ngjyrë të zezë me targë TR2824U, me vlerë prej 20 mijë eurosh, është vjedhur më datë 18 maj.

Mjeti i është vjedhur pranë banesës, disa ditë më parë. Sipas “Shqip”, Merdani thote se mjeti ka qenë i parkuar në zonën e shkollës “Dëshmorët e Lirisë”, ku këngëtari banon prej vitesh.

Një ditë para vjedhjes i kanë thyer xhamin e parë, sepse djali i tij, kishte harruar çelësat rezervë brenda në makinë. Këtë gjë e ka ditur vetëm Merdani, i biri dhe punëtorët e lavazhit. Ai nuk ka humbur kohë që të vendosë xhamin e ri, për çështje sigurie.

“Unë xhamin e vura sërish dhe të nesërmen ika me gruan në kishën e Shën Ndoit (Laç) dhe pas ceremonisë e parkuam makinën në territorin e shtëpisë. Në mëngjes nuk e gjetëm më. Kjo ndodhi natën e së shtunës. Menjëherë vajta në Komisariatin Nr.2, ku unë bëra denoncimin. Deri tani ka vetëm dyshime, por gjithsesi nuk mund të flas me emra. Dua të bëj një thirrje, atyre që e kanë marrë. Duhet të dinë se Sherif Merdani ia ka shlyer Zotit të gjitha dhe Zoti ia fali jetën. Kam punuar 11 vjet në minierë dhe shteti më dha 20 mijë euro shpërblim për vitet e burgut, më kanë vjedhur rininë time. Diktatura po vazhdon të më vrasë”, u shpreh Merdani, mjaft i prekur për atë që i ka ngjarë. Menjëherë pas marrjes së denoncimit, policia ka nisur punën për zbardhjen e krimit. Vjedhja e makinave është kthyer në makthin e qytetarëve kryeqytetas. Hajdutët, përveç zhdukjes së makinave, kanë si preferencë edhe vjedhjen e pasqyrave të mjeteve luksoze.

Top Channel