
Sali Berisha dhe Edi Rama nuk duket se do të dalin në një debat televiziv, por nga njëri qytet në tjetrin, ata nuk kanë kursyer replikat dhe batutat mes tyre.
Nga Librazhdi, ku kandidon për deputet ish-kryetari i Partisë Demokratike, Eduard Selami, kryeministri Sali Berisha nuk vonoi t’i kthente përgjigje zotit Rama, duke cituar fjalitë e tij ironizuese për politikën e ndjekur në ndërtimin e infrastrukturës.
“Ju e ndoqët zotin Rama, i cili tha për mua se po t’i kërkosh punë, të thotë rrugë, se po t’i kërkosh shkollë, të thotë rrugë, se po t’i kërkosh ujësjellës, të thotë rrugë. I nderuar zotëri, i ke nervat e lodhura dhe i ke të lodhura nga rrugët, ku ti ecën. Dhe po të përgjigjem këtu. Puna dhe punësimi janë qëllimet e mia më madhore. Dhe, para se të flasësh në atë mënyrë, të ftoj zoti Rama të ngjitesh me atë autobusin tënd mavi deri në Çermenikë. Atje sipër, zoti Rama, do të gjesh një lokal. Pronari i tij do të thotë se ‘unë e bëra investimin, se këtu erdhi rruga’, pronari i një HEC-i më tha se ‘ne e ndërtuam HEC-in, se ti ndërtove rrugë’. Pra, rruga është shpresa e qytetarëve tanë dhe ne do të ndërtojmë çdo kilometër rrugë”, u shpreh Berisha.
Pavarësisht atyre, që i cilësoi si të meta dhe gabime gjatë qeverisjes, kryeministri Berisha tha se është e pamohueshme, që gjatë këtyre viteve Partia Demokratike ka realizuar premtimet e saj më të rëndësishme.
Por, duke listuar disa premtime të tjera që, sipas tij, synojnë punësimin dhe rritjen e të ardhurave për shqiptarët, kryeministri Berisha i ftoi ata të bashkohen pa dallime politike me programin e Partisë Demokratike.
“Alternativa tjetër e shpalli Shqipërinë karrocë invalidi. Nderimin më të madh për invalidët tanë, përpjekjet tona më të mëdha për integrimin e tyre. Por, Shqipëria sot është anëtare e NATO-s, Shqipëria meriton statusin e vendit kandidat, Shqipëria do të marrë statusin dhe do të ecë e sigurt drejt Bashkimit Europian. Ti rri në autobusin tënd mavi, me xhama të errët. Ne do të ecim përpara drejt punësimit, përpara drejt mirëqenies, përpara drejt Europës”, shtoi Berisha.
Top Channel