“Në selinë mavi nuk ka lider”

21/05/2013 00:00

Nga Lezha, ku synon të marrë 5, nga 4 mandate që ka aktualisht, dhe ku kandidon edhe ish-socialisti Xhovalin Kadeli, kryeministri Sali Berisha e komentoi atmosferën e mitingjeve elektorale të Partisë Demokratike, me entuziazmin e vitit ’92.

Sipas kryeministrit, shqiptarët besojnë se Partia Demokratike është e vetmja forcë politike, që mund të integrojë vendin në Europë, një proces që, sipas tij, e mbajti peng tre vjet rresht kryetari i Partisë Socialiste.

Për kryeministrin Berisha, zoti Rama është i pabesueshëm për shqiptarët, sepse ai vetëm mohon dhe nuk njeh asnjë arritje.

“Sepse ai jeton prej vitesh në autobusin mavi, me xhama të zinj dhe nuk sheh asgjë përreth. Sot në Shqipëri, i djathtë, i majtë dhe shqiptar pa parti, konstaton se në selinë mavi ka lumenj fjalësh, lumenj shpifjesh, lumenj trillimesh, por vetëm një gjë nuk ka. Nuk ka lider, nuk ka ide, nuk ka vizion”, tha Berisha.

Kryeministri përsëriti ftesën ndaj emigrantëve, që të kthehen në Shqipëri dhe të investojnë pa taksa kursimet e tyre.

“Cilido prej jush, që të ndjehet në vështirësi në vendin ku jeni, mirëse të vini në vendin tuaj. 3 deri në 5 vjet pa taksa, pa detyrime”, theksoi Berisha.

Për banorët e qarkut të Lezhës, kryeministri bëri dy premtime specifike, që lidhen me infrastrukturën.

“Do të ndërtojmë autostradën me 4 korsi Shkodër-Lezhë dhe do të përfundojmë rrugën Milot-Laç e më tutje”, tha kryeministri.

Programi i Partisë Demokratike premton hapjen e 250 mijë vendeve të reja të punës dhe kryeministri ftoi shqiptarët ta realizojnë së bashku këtë projekt në 4 vitet e  ardhshme.

Top Channel