
Nga Fieri ku prezantoi 16 kandidatët për deputetë të Frymës së Re Demokratike, kryetari i kësaj force politike, Bamir Topi, akuzoi kryeministrin Berisha se po shfrytëzon administratën shtetërore për të mbushur sheshet e mitingjeve.
“Administrata lëviz në çdo miting të Berishës. Kemi në krye të vendit një komunist”, tha Topi.
Më tej, kreu i FRD-së u ndal edhe tek situata e krijuar me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Nuk mund të kemi zgjedhje të lira, tha ai, pasi certifikimi është në rrezik. Duhet një rikompozim urgjent i KQZ-së, tha Topi.
Akuzave të kreut të FRD-së nuk u shpëtoi as kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama të cilin e bëri bashkëfajtor me kryeministrin Berisha për ato që Topi i quajti pazare me qeverisjen e vendit.
Topi sulmon Topallin
Duke sqaruar se në rrugëtimin e tij politik nuk merret me
ish-bashkëpunëtorë dhe ish-kolegë, kryetari i Frymës së Re Demokratike
Bamir Topi tha se nuk mund t’i bindet këtij rregulli për Jozefina
Topallin, të cilën e quajti njeri të vogël që ka abuzuar me pushtetin.
Këto deklarata i beri nga qyteti i Shkodres.
“Kanë abuzuar me qytetarinë e këtij qyteti, kanë abuzuar me emrin e Shkodrës dhe absolutisht kanë qenë vetëm shërbëtorë të rëndomtë të kryestalinistit, të komunistit të fundit në Shqipëri. Jam i bindur që 23 qershori do të jetë fundi politik i tyre, i asaj që në emër të këtij qyteti ka shkuar në institucionin më përfaqësues të Shqipërisë dhe fati jonë i keq se e ka përfaqësuar në mënyrën më vulgare të mundshme”, tha Topi.
Shkodër, 100-vjetori i bashkisë
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka marrë pjesë në festimet e 100-vjetorit të Bashkisë së Shkodrës. Në aktivitetin e organizuar me këtë rast zonja Topalli e ka vënë theksin tek vlerat dhe historia që mbart ky qytet.
“Po të hedhim një sy, Shkodra dhe historia jonë, sigurisht që secili prej nesh ka kënaqësinë më të madhe të krenarisë. Kryeqendra ekonomike, kreyqendra e tregtisë, kryeqendra e kulturës. Shpirti i kulturës së Shkodrës është gjëja më e bukur që shkodranët kanë reflektuar në të gjithë territoret e tjera të Shqipërisë dhe përtej”, tha zonja Topalli.
PS: Berisha gënjen fshatin
Partia Socialiste akuzoi kryeministrin Berisha se ka gënjyer fshatin duke mos u mbajtur premtimet e dhëna. Në kuadër të nismës “100 arsye për të mos votuar Berishën”, deputeti socialist, Artan Gaci tha se gjendja në fshat është mjerane dhe akuzoi kryeministrin se nuk mbajti premtimin për barazimin e pensioneve të fshatit me ato të qytetit.
“Edhe 33 ditë na ndajnë nga 23 qershori, dita kur shqiptarët me votë do të ndëshkojnë kryeministrin e premtimeve të pambajtura, Sali Berisha. Sali Berisha më shumë se kushdo tjetër e ka braktisur fshatin. Varfëria është ulur këmbëkryq në fshatin shqiptar, ku njerëzit e braktisur nga shteti mundohen të mbijetojnë si në mesjetë. Sali Berisha premtoi se pensionet e fshatit do të barazohen me pensionet e qytetit, por sot që flasim pensionet në fshat janë sa gjysma e atyre të qytetit. Pra jo vetëm që pensionet nuk janë të barabarta, por mbeten sa gjysma e atyre të qytetit”, deklaroi deputeti i Partisë Socialiste, Artan Gaci.
Mediu në Shkodër: Të zgjidhim cështjen e pronës
Kryetari i Republikaneve Fatmir Mediu deklaroi ne Shkoder se ka ardhur koha e zgjidhjes perfundimtare te ceshtjes se prones, e cila do te zhvilloje vendin dhe çliroje te ardhura per te gjitha familjet.
“Eshtë shumë e rëndësishme, nëse flasim për Europë të zbatojnë ato standarde europiane. Bashkë me pronarët e ndershëm dhe të ligjshëm do të vazhdojmë të kërkojmë ta zgjidhim këtë çështje në mënyrë përfundimtare”, tha Mediu.
Lesi: Të rregullojmë njerëzit tanë
Prezantimin me original te kandidatit e ka bere kreu i LDK-se Nikolle Lesi. Gjate prezantimit te kandidatit te kesaj partie ne Lezhe ai tha se edhe nje vote eshte e vlefshme, pasi marreveshja qeverisese eshte e tille qe partite aleate edhe nese nuk marrin deputete, do te marrin poste te tjera ne baze te votave kombetare.
Top Channel