“Jemi gati të qeverisim dhe ta ndryshojmë realitetin e sotëm shqiptar, duke përdorur politikën si një instrument për qytetarin dhe jo për pasurimin e pushtetit”.

Ky ishte mesazhi, që Edi Rama përcolli në ditën e dytë të Konventës kombëtare, dedikuar prezantimit të programit për një Rilindje shqiptare.

“Ne kemi detyrimin, t’i nxjerrim njerëzit nga ajo ëndërr për një jetë më të mirë dhe t’u japim atyre mundësinë të shohin atë ëndërr shqiptare, që ne do ta realizojmë së bashku. Dua që ky të jetë rregulli themelor i kësaj fushate. Ne nuk jemi në këtë betejë për veten tonë. Ne jemi në këtë betejë për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi. Kjo nuk është betejë mes dy të njëjtëve, por mes Shqipërisë së shkuar dhe Shqipërisë të së ardhmes. Kjo është një betejë mes dy botësh, mes botës së një politike të etur për pushtet dhe asaj që kërkon të shkëputet, për t’u bashkuar me atë botë, ku politika është për njerëzit dhe me njerëzit”, tha Rama.

Rama, gjatë fjalës së tij, i kushtoi një vëmendje të veçantë shtresave të mesme, të cilave do t’i vijë në ndihmë taksimi i ndershëm.

“U themi mësuesve, policëve, infermierëve e rrogtarëve të shtetit, se rritja e rrogës, që shoqërohet me rritje inflacioni, rritje çmimesh dhe rënie të fuqisë blerëse, nuk është zgjidhje, por hile. Kjo zgjidhet përmes taksimit të ndershëm. Taksimi i ndershëm është: kush fiton më shumë, paguan më shumë, dhe kush fiton më pak, paguan më pak. Me taksimin e ndershëm do të fitohet një rrogë më shumë në fund të vitit. Kjo është arsyeja përse ne jemi ndryshe me ata. Për ata, mjafton të jetojnë mirë vetë, bashkë me një grup njerëzish, dhe s’e kanë problem, që pasuritë e vendit të jenë përqendruar në më pak se 5 përqind të popullsisë. Ne duam t’i ulim taksat për 95 përqind. Në Shqipëri do vendoset një ekuilibër i ri, duke i ndarë drejt përgjegjësitë”, shtoi Rama.

Më tej, kreu i PS ka folur edhe për ngjarjen e 21 janarit, duke premtuar se zbardhja e saj do të rivendosë themelet e një sistemi gjyqësor tërësisht të rrënuar. Shëndetësia ka qenë një tjetër pikë e prekur prej tij, duke premtuar ofrimin e një sistemi shëndetësor falas dhe jo vetëm për ata që kanë mundësi të paguajnë. Po ashtu, ka thënë Rama, të njëjtin ndryshim do të ketë edhe sistemi i arsimit, i cili, sipas tij, do të shkojë në favor të atyre që s’kanë mundësi financiare.

“Në 23 qershor nuk është një zgjedhje, për çfarë ne ruajmë brenda vetes si pasoja të një të shkuare ndasie, mllefi, urrejtjeje, që e ka futur komunizmi dhe e ka ushqyer Saliu gjithë këto vite, por është një zgjedhje mes rrënimit dhe Rilindjes, rrënimit të vendit, të biznesit, të ekonomisë, të arsimit, të shëndetësisë, të fshatit ose Rilindjes së të gjitha këtyre”, u shpreh Rama.

Konventët e përshëndeti edhe prezantuasja Alketa Vejsiu, e cila nuk ka nguruar të mbështesë Edi Ramën, si kandidat për kryeministër.

“Erdha sot këtu për të thënë disa fjalë zemre, jo për të thyer zemrat e atyre që nuk mendojnë si unë, por për t’u dhënë zemër të gjithë atyre që, njësoj si unë, duan që Shqipëria të jetë një vend më i mirë për të jetuar. Kam besimin e palëkundshëm, që sot Shqipëria ka mundësinë e madhe që, në rrugën e lirisë, të udhëhiqet nga shqiptari më energjik, shumë i talentuar, me pasion patriotik, i gojëtarisë dhe i punëve të mëdha në shërbimin tonë. Liria do të lartësojë të gjithë shqiptarët dhe të gjithë Shqipërinë, me Edi Ramën kryeministër”, tha Vejsiu.

Prezantimi i programit për Rilindje

Para fjalimit të kryetarit Rama, eksponentë të Partisë Socialiste prezantuan të detajuar programin e Rilindjes për zgjedhjet e 23 qershorit.

Ilir Beqja: Programi ofron punësim real, model të ri ekonomik, ekonomi rurale dhe produktive që furnizon tregun e brendshëm dhe jep të ardhura. Sfida është e vështirë, por tërësisht e mundur.

Taulant Balla: Këto 8 vjet kemi treguar qindra histori korrupsioni. Një biznesmen i huaj erdhi në Shqipëri, takoi kryeministrin dhe pas dy orësh përfundoi në zyrën e konsulencës së vajzës së tij, ku iu vendos haraçi prej 3 milionë eurosh. Ne e konsiderojmë luftën kundër korrupsionit një prioritet.

Sajmir Tahiri: Në 300 ditët e paara do rivendosim rendin, do kthejmë policinë në krye të detyrës dhe do luftojmë e parandalojmë krimin.

Eduard Shalsi: Do rimarrim nën kontroll pasuritë natyrore të Shqipërisë dhe do t’ua kthejmë shqiptarëve. Gjithashtu, ne do t’i japim fund kontrabandës së naftës dhe evazionit fiskal. 

Top Channel