Meta: Opozita, fitore e thellë   

20/05/2013 00:00

Ilir Meta, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim rikonfirmoi se fronti
opozitar i bashkuar do të fitojë në 23 qershor duke i dhënë në këtë
mënyrë, siç tha ai, një tjetër hov zhvillimit të vendit.

Zoti Meta tha se me Partine Socialiste eshte rene dakort ne marrveshje qe pas 23 qershorit Kryeministri aktual te mos jete me ne ate post dhe kjo, siç tha ai, eshte gjeja me e rendesishme per shqiptaret.

“Ne kemi rënë plotësisht dakord që doktori të mos jetë më Kryeministër. Dhe ajo që është më e rëndësishme për të gjithë qytetarët shqiptarë është fitorja e opozitës së bashkuar dhe kjo është një ngjarje plotësisht e sigurt dhe diferenca do të jetë e jashtëzakonshme, mbi 200 mijë vota. Çështjet e tjera janë në përputhje me të gjitha normat dhe rregullat e demokracisë. Marrëdhëniet tona me Partinë Socialiste janë mjaft konstruktive, natyrisht edhe me forcat e tjera të koalicionit opozitar dhe të tilla do të vazhdojnë të jenë edhe pas 23 qershorit në mënyrë që ne t’i qëndrojmë besnikë të gjitha atyre parimeve të cilat u firmosën në deklaratën e Shkodrës”, tha Meta.

Kreu i Levizjes Socialiste per Integrim i eshte pergjigjur edhe pyetjes mbi deklaratat e deputetit Naço, se vete zoti Meta do te jete pas 23 qershorit Kryeminster i vendit.

“E para, pa asnjë diskutim që objektivi kryesor i LSI-së dhe i imi si kryetar i saj është fitorja e Aleancës për Shqipërinë Evropiane më 23 qershor dhe sigurisht arritja e një rezultati historik dhe i tillë do të jetë, për LSI-në. Lidhur me deklarata të caktuara mendoj se ato nuk na shmangin nga objektivat kryesore që ne kemi dhe njëkohësisht sikurse u konfirmua edhe në Konventën e organizuar nga PS-ja koalicioni është në një sintoni të plotë dhe me një rritje të jashtëzakonshme të frymës së bashkëpunimit gjë që thellon çdo ditë fitoren e 23 qershorit”, tha Meta.

Zoti Meta hodhi poshte edhe ato qe i quajti tentativa te deshtuara te Kryeministrit per te futur diversion brenda se majtes.

Ashtu sikurse deklaroi në intervistën e të shtunës dhënë për Top Channel, Meta i ngarkoi Berishës edhe një tjetër përgjegjësi, ngërçin në KQZ. Ai pohoi se situata është anormale në këtë institucion dhe se në rast dështimi të zgjedhjeve ka vetëm një emër përgjegjës.

Top Channel