Hand: Lojë e pistë me KQZ-në

20/05/2013 20:10

Ekziston ende mundësia për zgjedhje të rregullta në Shqipëri, por për këtë duhet vepruar shpejt. Robert Hand, vëzhgues i hershëm i zgjedhjeve në vendin tonë dhe njohës i mirë i zhvillimeve politike këtu, sheh dritë në fund të tunelit.

Por më parë, në një intervistë dhënë “Zërit të Amerikës”, ai shpreh keqardhjen për ato që i quan “lojra politike”, përfshirë situatën e krijuar me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ai thotë se, nëse arrihet një marrëveshje për KQZ-në, ajo duhet të jetë afatgjatë dhe në mbështetje të ligjit.

“Komuniteti ndërkombëtar nuk është i kënaqur me mënyrën e të bërit politikë në Shqipëri, çka po pengon realizimin e potencialit të plotë të vendit”, deklaron Hand.

I pyetur se çfarë varet sipas tij nga zgjedhjet e 23 qershorit, Hand jep një përgjigje tepër të drejtpërdrejtë: durimi me Shqipërinë po soset gjithmonë e më shumë.

Këshilltari i lartë politik i Komisionit amerikan të Helsinkit shprehet se SHBA duan që vendi të jetë i suksesshëm, ai vlerëson se ka pasur progres, por nuk është i mjaftueshëm.

“Mendoj se nuk vihet në diskutim që Shqipëria duhet të ishte në gjendje deri tani të mbante zgjedhje që të jenë pa mëdyshje “të lira dhe të drejta”, që gjithkush të kishte krijuar besim tek institucionet dhe si rrjedhojë tek rezultatet e zgjedhjeve. Për fat të keq kemi filluar të shohim se po bëhen shumë lojra per zgjedhjet e ardhshme. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është një prej tyre; kjo po shkakton humbje besimi dhe mendoj se kjo është për të ardhur keq”, deklaron Hand.

Sipas tij, nëse zgjedhjet e kësaj radhe në Shqipëri nuk marrin notë të mirë, pa diskutim që do të ketë pasoja për shpejtësinë e integrimit në Bashkimin Evropian.

“Anëtarësimi, edhe në rrethana ideale do kohë që të bëhet, kështu që nuk mund të përballohen vonesa të mëtejshme. Prandaj, zgjedhjet duhet të jenë të rregullta. Ende ekziston mundësia, por duhet vepruar me shpejtësi për ta realizuar një gjë të tillë”, thotë Hand.

Ai thekson se forcat politike duhet të ulen së bashku të diskutojnë sesi ta plotësojnë KQZ-në, por nuk duhet të jetë thjesht një vazhdim i lojës politike ku një shtrëngim duarsh mes dy partive politike del mbi ligjin.

“Them se shumë njerëz mendojnë se nëse do të ishte respektuar ligji, ky veprim nuk duhet të kishte ndodhur. Prandaj mendoj se duhet të ketë një riangazhim ndaj kodit zgjedhor, ndaj ligjeve dhe një ide të qartë për ecurinë e mëtejshme”, nënvizon Hand.

“Pikëpamja ime për KQZ-në është se anëtarët zgjidhen nga partitë, por pasi janë miratuar duhet të pritet prej tyre që të sillen me profesionalizëm, jo në mënyrë politike. Do të duhet një marrëveshje politike për ta rikthyer këtë formulë, por do të duhet gjithashtu një rikonfirmim i qartë që do ta respektojnë kodin, do të respektojnë ligjet dhe jo thjesht të bien në ujdi për atë që duan apo nuk duan të bëjnë”, shton ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA