Pas rezultateve të përgjithshme, INSTAT bëri publike të dhënat e
Censusit të popullsisë dhe banesave në nivel qarku, të ndara sipas
bashkive dhe komunave.

Sa i përket numrit të popullsisë, që krahasuar me vitin 2001 ka pësuar një rritje me 8 për qind, Tirana mbetet qarku më i madh, ku është përqendruar 27% e popullsisë. Pas Tiranës vijnë Fieri dhe Elbasani me 11% respektivisht, ndërsa dy qarqet me popullsinë më të vogël janë Kukësi dhe Gjirokastra, ku është përqendruar 3% e popullsisë së vendit.

Sipas rezultateve të dhjetorit, pyetjes që ngjalli polemika, asaj mbi përkatësinë etnike, 82.58 % i janë përgjigjur se janë shqiptarë ndërsa 0.87 % se janë grekë. Kurse asaj mbi fenë 56.70 % i janë përgjigjur se janë myslimanë, 10. 03 % katolikë dhe 6.75 % ortodoksë. Në të dyja rastet kanë refuzuar të përgjigjen 14 % e të anketuarve. Por të dhënat sipas qarqeve tregojnë se pjesa më e madhe e pakicave etnike greke është e përqendruar në Gjirokastër dhe Vlorë, me rreth 7 për qind. Ndërsa e asaj maqedonase në Korcë, me rreth 2 për qind.

Dy qytetet që janë përgjigjur në përqindjen më të lartë se janë shqiptarë, janë Shkodra dhe Dibra me rreth 91 për qind. Kurse sa i përket fesë, pjesa më e madhe e ortodoksëve është përqendruar në Gjirokastër e Korcë, me 16 dhe 17 për qind dhe Vlorë me 14 për qind. Ajo katolike është e përqendruar në Lezhë e Shkodër me 72 dhe 47 për qind, ndërsa myslimane në Kukës me rreth 84 për qind dhe Berat e Dibër me 82 për qind. Këto të dhëna janë kundërshtuar nga përfaqësues të kishës ortodokse, sipas të cilëve numri i të krishterëve ortodoks është shumë herë më i madh se ai i publikuar në census. Edhe tek këto të dhëna mungojnë rezultatet mbi numrin e të papunëve në vend, një tjetër pikë e shumëdebatuar e censusit të parë të realizuar pas atij të 10 viteve më parë por që pritet të publikohet në fund të këtij viti.   

Top Channel