Kryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ishte në Vlorë ku pati në fokus sektorin e turizmit, i cili ka pësuar dhe do të pësojë një rritje të madhe edhe në vitet në vazhdim.

“Turizmi është rritur rreth 14 herë. Nga 300 mijë turistë, Shqipëria shkoi në 4 milionë turistë. Në katër vitet e ardhshme do të shkojmë në 7 milionë turistë e vizitorë e do rrisim rreth 30% punësimin në këtë sektor”, theksoi Berisha.

Pikërisht në mbështetje të këtij sektori, kryeministri shpalosi edhe një tjetër projekt gjigand për zonën e bregdetit: “Me kompanitë më serioze të botës do të punojmë për projektin ndoshta më të madh jo vetëm në historinë e Shqipërisë, por në tërë historinë e Ballkanit: kompleksi Karaburun, Sazan, Naltë dhe Zvërnec. Ky kompleks do të jetë më mahnitësi.”

Nuk munguan në fjalën e kryeministrit edhe akuzat ndaj kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama: “I tha Shpëtim Gjikës që do e mbrojë Vlorën nga betoni, por po i lë Koço Kokëdhimën në shtëpi. Shikoni se çfarë i ka bërë Himarës, shikoni pallatet se si i kanë mbyllur sytë Himarës dhe gjysma e saj nuk e sheh detin.”

Top Channel