
Në prezantimin e kandidatëve të qarkut Gjirokastër, ku ministrat Genc Ruli dhe Spiro Ksera janë favoritë në listën e Partisë Demokratike, kryeministri Sali Berisha bëri disa premtime të reja elektorale.
Premtimi i parë ishte për emigrantët.
“Emigrantët shqiptarë të kthehen në Shqipëri. 3-5 vjet invetime pa taksa. Kthehuni vëllezër. Sillini ato kursime në vendin tuaj. 3-5 vjet nuk do të keni asnjë taksë”, u shpreh Berisha.
Premtimi i dytë i kryeministrit Berisha ishte për të gjithë ata, që kanë në pronësi një hotel. Nëpërmjet uljes së TVSH-së për hotelet, kryeministri synon edhe uljen e çmimeve, për të rritur fluksin e turistëve vendas dhe të huaj, jo vetëm gjatë sezonit turistik.
“Tërë hoteleria do të ketë një ulje të madhe të TVSH-së në një kohë të shkurtër”, tha Berisha.
Duke iu referuar kërkesës së një qytetari, për të shpallur qendrën e Gjirokastrës zonë të lirë e pa taksa, kryeministri Berisha sfidoi kryetarin socialist të Bashkisë, që të ushtronte kompetencën e të zgjedhurit vendor.
“Zoti Flamur Bino, mblidh këshillin dhe shpalle. Ne jemi parti e taksave të ulta”.
Gjatë takimit elektoral, kryeministri Berisha i cilësoi kandidatët e Partisë Demokratike si njerëzit, që i duhen qarkut të Gjirokastrës për të çuar deri në fund investimet e nisura. Ndërsa kandidatët socialistë, ai i përshkroi si persona, që nuk kanë lidhje me interesat e qytetarëve.
“Caci, përveç parave, që i ka dhënë Edi Ramës për t’u vendosur në listë, nuk ka asgjë të përbashkët me ju, nuk iu përfaqëson. Kur juve ju ndërpritej telefonata, se nuk kishit lekë në telefon, Arben Hermesi vidhte Telekomin shqiptar me kompanitë përkatëse”, tha Berisha.
Kryeministri ftoi banorët e qarkut të Gjirokatrës të votojnë për programin për punësim dhe integrim të Partisë Demokratike dhe të refuzojnë atë që e quan alternativë kundër zhvillimit të Shqipërisë dhe që, sipas tij, përfaqësohet nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.
Top Channel