
Kryeministri Sali Berisha ka qenë në zonën e Dropullit, në kuadër të
fushatës elektorale. “Së pari përshëndetjet e mia më të përzemërta dhe
një falenderim më miqësor për këtë pritje vëllazërore që më bëtë në
fshatin tuaj”, tha Berisha.
Gjatë inaugurimit të rikonstruksionit te rruges Llongo – Koshovice, Kryeministri Berisha ka sulmuar ashper dy kreret e partive kryesore te frontit opozitar. Sipas tij, bashkepunimi mes zotit Rama e zotit Meta eshte nje bashkepunim në emer të një beteje për pushtet dhe jo për të zhvilluar Shqipërinë.
“Zoti Rama ka qenë 11 vjet personi i dytë më i rëndësishëm, në fuqinë ekzekutive të vendit, kryetar i Bashkisë së Tiranës. Zoti Meta qëndroi 4 vjet si zëvendëskryeministër dhe ministër në Qeveri dhe iku me qëllimin e vetëm që ose të marrë kreun e Partisë Socialiste ose të marrë karrigen time që s’do ta marrë kurrë”, tha Berisha.
Duke patur ne fokus investimet ne infrastrukture, si prioritet i qeverise aktuale, zoti Berisha nuk kufizoi sulmet edhe ndaj perfaqesueseve te tjere te minoritetit ne kete zone, siç eshte kreu i PBDNJ-së Dule dhe deputeti i LSI-së Vangjel Tavo, ndersa beri thirrje per mbeshtetje te ministrit Ksera.
“Thirrja ime të votoni për koalicionin për Punësim, Mirëqënie dhe Integrim, të votoni për përfaqësuesin tuaj më të shquar që nuk i bën cështje pazaresh problemet tuaja, por i bën çështje për t’i zgjidhur ato me vendosmëri dhe më ndershmëri”, tha Berisha.
Berisha: Gati për tre ligjet. Mbledhim Parlamentin që nesër
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët në qytetin e Gjirokastrës, që i parapriu mitingut, kryeministri Berisha deklaroi se është sërish gati për të votuar tre ligjet e mbetura për marjen e statusit të vendit kandidat në BE. Ai tha se Parlamenti mund të mblidhet në çdo çast nëse opozita do të jetë gati t’i votojë.
“Pasi bënë dëmin e madh që lanë shqiptarët pa status, u garantuan se statusi nuk merret. Tani ndihen të lehtësuar. Që nesër do të kërkoj që parlamenti të mblidhet për të votuar tre ligjet. Z. Rama, i cili beson se mund të mashtrojë qytetarët shqiptarë, beson se duhet tu kërkojë 220 herë të falur për çdo ditë, që nuk i votoi duke iu bërë një dëm kolosal, duke privuar vendin nga një pasaporte dinjiteti”, deklaroi Berisha.
Dule i përgjigjet Berishës
Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule reagoi menjëherë pas deklaratave të kryeministrit Berisha gjatë vizitës së tij në zonat e minoritetit.
Dule tha se priste nga kryeministri, në kuadër të vizitës së tij në Gjirokastër, përgjigje për disa çështje konkrete që preokupojnë komunitetin e zonës dhe minoritetin etnik grek.
Sipas kreut të PBDNJ-së, ato lidhen kryesisht me shkeljen e të drejtave të njeriut dhe minoriteteve, censusin dhe pronat e paluajtshme, grabitjen e trashëgimisë kulturore dhe sigurinë publike dhe të jetës, mjerimin social, mungesën e zhvillimit, diskriminimin ekonomik dhe mungesën e veprave infrastrukturore.
“Por në vend të një pergjigjeje erdhi shpifja e radhës për pazar politik. Opozita ka bërë pazarin me qytetarët dhe mbarë shoqërine për të larguar përfundimisht qeverinë e kryesuar nga Sali Berisha dhe për t’i hapur rrugë zhbllokimit të demokracisë dhe integrimit të vendit me votën plebishitare të 23 qershorit”, deklaroi Dule.
Top Channel