“Në krizë njeriu, jo ekonomia”

19/05/2013 00:00

Është njeriu në krizë të thellë dhe jo ekonomia, pohon Papa Françesku, që iu drejtua me këto fjalë turmës gjigante të besimtarëve, të mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit.

250.000 vetë mbushën sheshin, sipas Selisë së Shenjtë, ndërsa nga njerëzit gëlonin edhe rrugët aty pranë.

Pelegrinët vërshuan në Vatikan, pas një ceremonie parapake të nisur përpara të dielës së rreshajave, festa e mbajtur 50 ditë pas Pashkëve e që simbolizon lindjen e kishës.

Për Papën Francesku, kriza bankare nuk ka bërë gjë tjetër, veçse ka errësuar tragjedi më të mëdha njerëzore. Politika, tha ai, mendon për bankat dhe financat, por jo për ata që vuajnë nga uria.

“Kjo është ajo që po ndodh sot. Nëse investimet në banka bien pak, është një tragjedi dhe njerëzit pyesin ‘Si do t’ia bëjmë?’, por kur të tjerë vdesin nga uria, nuk kanë çfarë t’u japin fëmijëve për të ngrënë, apo janë të sëmurë rëndë, nuk është gjë. Unë them se kjo është kriza e vërtetë e ditëve tona”, tha Papa.

Papa Bergoglio deshi të takonte nga afër njerëzit e mbledhur për të dëgjuar fjalën e tij, një rekord, sipas mediave italiane, që kapërcente edhe numrin e personave të grumbulluar në ceremoninë e tij të zgjedhjes në krye të kishës katolike, më 19 mars.

Për të përshëndetur besimtarët, Ati i Shenjtë u ngrit në këmbë në makinën që e transportonte dhe e ka përshkuar të gjithë rrugën duke bekuar njerëzit në të dyja anët e saj.

Francesku ishte takuar mëngjesin e së shtunës me kancelaren gjermane, Angela Merkel, në Vatikan.

Më herët gjatë javës, ai lëshoi një apel të fuqishëm për reformë financiare botërore, duke dënuar, siç e quajti ai, “diktaturën e pashpirt të ekonomisë”, ndërsa për krizën ekonomike, tha se ia ka bërë jetën të mjerueshme miliona vetëve në vendet e pasura e në ato të varfra.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA