Partia Socialiste nisi Konventën 2-ditore, që ka si moto “Bashkë për një fitore plebishitare, që sjell ndryshim rrënjësor”. Tre janë elementët përbërës të saj: Prezantimi i koalicionit për Shqipërinë europiane dhe dalja përpara publikut bashkarisht, të 140 kandidatëve socialistë për 12 qarqet, në ditën e parë. Kurse paraditen e së hënës, Konventa do të vijojë me prezantimin e programit të PS-së.

Pak përpara nisjes së Konventës, Top-Channel e pyeti kryesocialistin Edi Rama për rëndësinë e saj.

“Çdo ballafaqim zgjedhor ka edhe momentin e shpalosjes së forcës programatike dhe ky është momenti ynë. Sigurisht, në një shfaqje ku, nga njëra anë, i bëjmë jehonë koalicionit më të madh që është krijuar ndonjëherë në opozitë, për të garantuar rotacionin, ndryshimin dhe hapjen e rrugës së shpresës, dhe nga ana tjetër programit tonë, i cili tanimë ka përfunduar dhe është një program më i detajuari, që një forcë politike ka pasur në këto dy dekada përpara një ballafaqimi zgjedhor, sepse praktikisht nuk është një program elektoral i radhës, por është një kontratë qeverisëse me shqiptarët”, deklaroi kreu i PS-së.

Konventa u hap me me një letër përshëndetëse nga patriarku i socialistëve, shkrimtari Dritëro Agolli, i cili shprehu nevojën madhore të një rotacioni dhe fitoren e opozitës. Ndërsa, ish-presidenti Rexhep Meidani deklaroi se “qeveria e ardhshme nuk duhet të kthehet në burim problemesh”.

Më pas, të gjithë kryetarët e Aleancës për Shqipërinë Europiane përshëndetën konventën.

“Populli shqiptar i dha një votë plebishitare ndryshimit rrënjësor në vitin 1992. Në 23 qershor, populli shqiptar me një tjetër votë plebishitare do të mbyllë kapitullin e rrënimit dhe do të hapë kapitullin e shpresës dhe ëndrrave që do të bëhen realitet me Shqipërinë Europiane”, theksoi Rama.

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi: “Bashkimi i së majtës është një aksion politik për forca politike europiane dhe për misionarë të së nesërmes europiane. Edhe pak javë na ndajnë nga fitorja historike dhe plebishitare e 23 qershorit.”

Edhe kreu i PLD-së, Spartak Ngjela, u shpreh i sigurt për ndryshimin e qeverisjes më 23 qershor, ndërsa tha se opozita e bashkuar do i japë fund errësirës: “Dhëntë Zoti që kjo të jetë beteja e fundit ndaj marrëzisë totalitare.”

“Shumë persona mund të thonë që është mision i lehtë për opozitën kur ka përballë koalicionin e papunësisë dhe dështakëve të integrimit, por është misioni më i vështirë”, tha Vangjel Dule i PBDNJ-së.

Paskal Milo u shpreh: “T’i japim Shqipërisë ndryshim cilësor. Kjo konventë nuk është thjesht një manifestim zgjedhor që e bëjmë në prag të fushatës. Është përpjekje që ëndrrat dhe aspiratat e shqiptarëve të gjejnë realizim të plotë. Ekipi ynë do jetë i ndryshëm. Kjo konventë hap rrugën e suksesit tonë. Nuk ka rrugë tjetër vetëm ai ajo e fitores së opozitës”.

“Kjo është skuadra, që ka privilegjin të ketë në krye, kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama. Vlora e bukur dhe e pasurive nuk e meriton të iki nga sytë këmbët, për shkak të papunësisë që i ka lënë Sali Berisha. Unë dua ta garantoj atë sot, ashtu si të gjithë juve që jeni këtu, si dhe të gjithë shqiptarët që i kanë sytë nga kjo sallë e nga Partia Socialiste, se nga Vlora do fillojë Rilindja, se në Vlorë fitorja do të jetë spektakolare”, tha Valentina Leskaj.

“Ne, përfaqësuesit e qarkut të Lezhës, vota e lezhianëve do të shkojë në shumicë për Partinë Socialiste dhe Aleancën për një Shqipëri Europiane, duke bërë ne lezhjanët diferencën e fitores së Partisë Socialiste”, theksoi Mimi Kodheli.

“Qarku i Gjirokastrës do t’i japë Partisë Socialiste atë ditë, 4 mandate për të garantuar një qeverisje të qëndrueshme, të fortë të Partisë Socialiste me kryeministër Edi Ramën”, tha përfaqësues i PS në Gjirokastër.

“Shkodranët sot janë dyfish më të papunë se mesatarja e vendit. Sot ndodhet në absurdin e një përçarjeje, të shkaktuar nga dhuna për kafshatën e gojës”, tha përfaqësuesja e PS në Shkodër.

“Nëse ju ka ardhur në majë të hundës me gjuhën e urrejtjes kaq shumë të përhapur, që po na mbyt e neverit çdo ditë, votoni Rilindjen”.

“Matjanët, bulqizakët dhe dibranët do të jenë pjesë e kësaj fitoreje plebishitare në 23 qershor”, tha Shkëlqim Çani.

“Qarku i Beratit ka ngelur si një ishull larg Shqipërisë, pa rrugë, pa investime, pa shkolla, pa shëndetësi. Do të bëjmë ndryshimin e madh dhe i japim besimin të gjithë qytetarëve dhe bashkëfshatarëve tanë të qarkut, se do ta fillojmë me rrugën Lushnjë-Berat, Berat-Skrapar dhe Skrapar-Tre Urat”, tha kryesuesi i listës së Beratit, Fidel Ylli.

“Sot e kemi një shpresë. Shpresa e vetme është vota masive për Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama”, tha Zamira Kita.

“Më 23 qershor, Korça, Pogradeci, Kolonja e Devolli, fillojnë një kohë të re, Rilindjen Kombëtare, tingëllon në Korçë më bukur se në çdo qark tjetër”, tha Bashkim Fino.

Rama, në fund të ditës së parë të konventës
Në fund të ditës së parë të punimeve të konventës zgjedhore të PS-së, ka folur sërish Edi Rama.

Sipas tij, “Shqipëria kërkon punësim real dhe jo rritje të mëtejshme të papunësisë. Kërkon shërbime sipas nevojës dhe jo sipas qejfit. Vendi ka nevojë për një fshat të rilindur dhe jo të braktisur. Shqipëria nuk ka nevojë për plehëra të importuara nga jashtë”.

Më tej, kreu i Partisë Socialiste ka theksuar se “shqiptarët kanë nevojë për një taksim të ndershëm”. Rama nuk ka harruar të vërë në pah programin e partisë së drejtuar prej tij, për të cilin është shprehur: “Jam krenar, sepse sot kemi programin më të detajuar se çdo forcë tjetër politike”.

“Do t’i japim mundësinë çdo familjeje të jetojë me punën e saj të ndershme. Jemi të bindur se programi dhe skuadra jonë kanë mbështetjen e shumicës së shqiptarëve dhe se PS do të jetë lokomotiva e një transformimi të madh”, është shprehur Rama.

“Në 23 qershor do të fitojmë për qytetarët e Shqipërisë europiane, ndërsa Aleanca jonë do t’i kthejë këtij vendi të drejtën për t’u qeverisur nga shumica”, ka përfunduar deklaratën e tij, kreu i PS-së.

Top Channel